Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Udhëheqësi i opozitës izraelite dënon sulmet me zjarrvënie në Bregun Perëndimor

Gadi Eisenkot

Foto: Associated Press

Ish-gjenerali izraelit, Gadi Eisenkot, ka fajësuar “terrorizmin hebre” për sulmet me zjarrvënie ndaj palestinezëve, të kryera gjatë natës të së shtunës në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Policia izraelite ka thënë se po hetonte për të zbuluar se kush i kishte vënë zjarret dhe kishte shkruar mbishkrime në mure.

Eisenkot ka thënë se qeveria e djathtë e kryeministrit Benjamin Netanyahu, e cila ka miratuar mbi 100 vendbanime të reja, e kishte “çuar zonën në prag të anarkisë”. 

Eisenkot aktualisht po përpiqet të formojë një koalicion qeveritar që do të largonte Netanyahun dhe kabinetin e tij nga pushteti.

“Sulmet me zjarrvënie të natës së kaluar në Jude dhe Samari ishin akte të terrorizmit hebre, në çdo kuptim të fjalës”, ka thënë Eisenkot në një deklaratë, duke përdorur emërtimin biblik për Bregun Perëndimor.

“Grupet ekstremiste që u vënë zjarrin automjeteve dhe shtëpive po minojnë stabilitetin rajonal, po vënë jetët në rrezik dhe po i shkaktojnë dëme të rënda sigurisë kombëtare dhe marrëdhënieve të jashtme të Izraelit”, ka shtuar ai.

Ahmad Ghneimat, banor i Kafr Malik, ka thënë se dhuna ishte shtuar pas ngritjes së disa vendbanimeve të reja të kolonëve izraelitë në këtë zonë. Sipas tij, kolonët kanë vjedhur dele dhe kanë ngacmuar me dhunë punëtorët që merreshin me vjeljen e ullinjve.

“U zgjuam në orën 2:30 të natës nga zhurma e shpërthimeve. Ishin veturat që po digjeshin, shtatë vetura, nga këtu deri atje”, ka thënë Muntasir Al-Malik, një tjetër banor.

“Natyrisht, dolëm nga shtëpitë dhe na kaploi paniku”, ka shtuar ai.

Eisenkot ndërkohë ka bërë thirrje që përgjegjësit të arrestohen dhe ndaj tyre të vendosen “sanksione të ashpra”.

Në shtator, ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, i ka colësiar kolonët izraelitë të dhunshëm si “terroristë”, duke përdorur një term që zyrtarët amerikanë zakonisht e rezervojnë për militantët palestinezë.