Fenerbaçe lëshoi të tjera pikë të rëndësishme të shtunën mbrëma. Në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës së Turqisë, Feneri luajti 2:2 në udhëtim ndaj Kocaelisporit.
Vedat Muriqi hyri në lojë në fillim të pjesës së dytë, kur rezultati ishte 0:0. Fenerbahçe kaloi në epërsi 1:0, por golin për 2:2 e shënoi vetëm në minutën e 93-të. Muriqi nuk realizoi.
Ai së fundi ka shënuar më 4 nëntor, për fitoren 3:2 ndaj Liverpoolit në Champions. Prej atëherë i ka dy ndeshje me Kosovën dhe dy me Fenerbahçen pa gjetur rrugën drejt rrjetës. Në kampionatin turk së fundi shënoi më 17 tetor në fitoren 3:0 ndaj Alanyasporit. 32-vjeçari ka katër ndeshje rresht në Superligë pa gol të realizuar. Mbetet me shtatë gola e dy asistime në 12 paraqitje. Katër prej golave i realizoi ndaj Eyupsporit në fitoren 8:0.
“Jemi të dëshpëruar. Nuk e kemi nisur ndeshjen si kemi dashur. Sidomos në 30 minutat e parë, e kemi lejuar Kocaelisporin të luajë. Më pas jemi rikuperuar. Nëse goli i Lukakut do të ishte i vlefshëm, ndoshta do të flisnim për gjëra të tjera, por jemi të dëshpëruar”, ka thënë Muriqi.
Lukaku shënoi në fund të pjesës së parë, por goli u anulua për lojë me dorë. Më pas Lukakun e zëvendësoi Muriqi. Derisa Muriqi në fillim kishte përparësi ndaj Lukakut, tani duket e kundërta.
Fenerbahçe tashmë duket jashtë garës për titull të kampionit në Turqi. Ka 11 pikë më pak se Galatasaray, që mban vendin e parë.
“Si grup i lojtarëve, duke nisur nga unë, të gjithë duhet të marrim më shumë përgjegjësi. Duhet të bashkohemi si grup i lojtarëve, të diskutojmë se çka kemi bërë mirë e çka kemi bërë keq dhe të mundohemi të jemi të denjë për fanellën e Fenerbahçes”, ka theksuar Muriqi.
Fenerbahçe menjëherë të mërkurën luan me Shakhtar Donetskun në Ligën e Kampionëve. Por tifozët e zjarrtë të Fenerbahçes e kërkojnë titullin e kampionit, të cilin e presin gjatë. Me gjithë ndryshimet e shumta të bëra gjatë verës, ku përfshihet edhe transferimi i Muriqit, titulli aktualisht duket shumë larg.