Presidenti i Republikës Sërpska, Savo Miniq, e ka mandatuar Igor Dodikun për formimin e qeverisë së re të këtij entiteti serb të Bosnje e Hercegovinës.
Igor Dodik është djali i Millorad Dodikut, kryetarit të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).
Në një deklaratë për media, Igor Dodik vuri në plan të parë zhvillimin ekonomik dhe transparencën në punën e institucioneve, por nuk harroi të përmend as marrëdhëniet me Serbinë.
“Do të punojmë në mënyrë transparente. Është e domosdoshme të rritet angazhimi në institucionet publike. Duhet të dihet se si shpenzohen paratë. Do të kërkoj menaxhim të përgjegjshëm dhe për lëshime do të duhet të mbahet përgjegjësi. Bashkëpunimi me Serbinë mike do të ketë një vend të veçantë në punën tonë të mëtejshme. Dëshiroj t’i vazhdojmë projektet e përbashkëta”, ka thënë Dodik.
Igor Dodik ushtron funksionin e sekretarit organizativ të SNSD-së.
Në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti, të mbajtura në fillim të tetorit, ai ishte bartës i listës së kësaj partie për Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska.
Mandatarin e propozoi Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, partia që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje e Hercegovinë, në fillim të tetorit.
Para shpalljes së emrit të mandatarit, Miniq zhvilloi konsultime me SNSD-në, ndërsa dy ditë më parë ishte takuar edhe me partitë opozitare.