Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Instalacionet gjigante të dy artisteve aziatike pushtojnë Londrën

Instalacionet gjigante të dy artisteve aziatike pushtojnë Londrën

Instalacioni me titull, “A Heart to Heart”, një model gjigant i zemrës njerëzore, i krijuar nga një kornizë çeliku dhe rroba të përdorura, vepër e Yin Xiuzhen

Foto: Associated Press

Dy artiste aziatike kanë pushtuar galerinë e njohur të Londrës “Hayward” me instalacione gjigante. Chiharu Shiota dhe Yin Xiuzhen përdorin objekte të gjetura dhe tekstile, për të eksploruar konceptin e kujtesës. Këto dy artiste të veçanta në artin që krijojnë, janë bashkuar për këtë ekspozitë të dyfishtë. Natyra zhytëse e veprave të tyre, si dhe shkalla dhe ngjyrat mbresëlënëse e bëjnë ekspozitën ideale për t’u fotografuar dhe shpërndarë në rrjetet sociale

Një rrjetë mbresëlënëse me fije të kuqe ka pushtuar dhomën në galerinë “Hayward” në Londër. Të varura nga fijet janë çelësa për dyer, sirtarë dhe brava, të harruara prej kohësh.

Vepra e artistes japoneze, Chiharu Shiota, përfaqëson natyrën e ngatërruar të marrëdhënieve njerëzore, si dhe rrjetën e kujtimeve që bartim me vete.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një hapësirë tjetër të galerisë, një instalacion e dominon hapësirën. Është instalacioni me titull, “A Heart to Heart”, një model gjigant i zemrës njerëzore, i krijuar nga një kornizë çeliku dhe rroba të përdorura.

Artistja kineze, Yin Xiuzhen, dëshiron që njerëzit të hyjnë brenda veprës së saj për të pasur biseda domethënëse me njëri-tjetrin, ose thjesht me veten.

Sipas kuratorit të ekspozitës, Yung Ma, vepra e artistes Xiuzhen është një reagim ndaj ndryshimeve të mëdha që ka pësuar qyteti i saj i lindjes.

“Threads of Life” nga Chiuda Shiota përfaqëson natyrën e ngatërruar të marrëdhënieve njerëzor (Foto: AP)

“Edhe pse ajo ka jetuar gjithmonë në Pekin, mendoj se si qytet ai ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë gjatë 30 vjetëve të fundit. Prandaj, përmes veprës së saj, ajo në fakt dëshmon të gjitha ndryshimet përreth saj”, ka thënë ai. “Ajo që është interesante në praktikën e saj është se, megjithëse filloi nga një perspektivë shumë personale në mesin e viteve ’90, duke përdorur rrobat e saj si pikënisje, shumë shpejt u largua nga kjo dhe u përqendrua në krijimin e përvojave kolektive”.

Ndoshta pamja në ndryshim e qyteteve është ajo që frymëzoi edhe veprën tjetër të Xiuzhenit, “International Airport: Terminal 2”. Një shirit transportues për valixhe mban valixhe, secila prej të cilave përmban një qytet miniaturë të krijuar me pëlhurë.

Në anën tjetër, mijëra metra fijesh të zeza mbulojnë radhë shtretërish në veprën e titulluar “During Sleep”. Për këtë instalacion, Chiharu Shiota, u frymëzua nga përvoja e saj e ndërrimit të banesës nëntë herë brenda tre vjetësh, kur u shpërngul për herë të parë në Gjermani.

Për artisten japoneze ishte një përvojë tronditëse të zgjohej në një vend të ri, pa e ditur saktësisht se ku ndodhej.

“Chiharu ka jetuar në Gjermani për rreth 30 vjet, kështu që ka qenë larg shtëpisë për një kohë të gjatë dhe mendoj se fakti që është vetë emigrante, është shumë i rëndësishëm për të kuptuar kujtimet e shtëpisë së saj. Kjo është pothuajse një pikënisje. Shpesh puna e saj lidhet edhe me kujtimet e përvojave të jetës, vdekjen e babait, lindjen e fëmijës së saj dhe sëmundjet me të cilat është ballafaquar”, ka thënë Ma.

Për veprën “During Sleep”, Chiuda-Shiota u frymëzua nga përvoja e saj e ndërrimit të banesës nëntë herë brenda tre vjetësh (Foto: AP)

Këto dy artiste të veçanta në artin që krijojnë, janë bashkuar për këtë ekspozitë të dyfishtë. Natyra zhytëse e veprave të tyre, si dhe shkalla dhe ngjyrat mbresëlënëse e bëjnë ekspozitën ideale për t’u fotografuar dhe shpërndarë në rrjetet sociale.

Por kritiku i artit, Tabish Khan, ka thënë se bëhet fjalë për më shumë sesa një postim tërheqës online.

“Ka një spektakël të vërtetë vizual në të dyja ekspozitat dhe ekziston ai aspekti ‘i përshtatshëm për Instagram’, por sigurisht ka edhe diçka më të thellë këtu. Artistet me punimet e tyre trajtojnë ripërdorimin e objekteve, çelësat e humbur dhe pyetjen se kujt i përkisnin dikur, si dhe rrobat e përdorura në instalacionin që gjendet në katin e poshtëm. Nga erdhën ato rroba? Kush i ka veshur? Cila është historia që qëndron pas këtyre objekteve? Të gjitha këto pyetje lindin nga punët e prezantuara në ekspozitë”.

Punimet e artisteve aziatike, Chiharu Shiota dhe Yin Xiuzhen, janë në dispozicionin e publikut londinez deri më 3 maj.