Kulturë

Murakami mat pulsin e shoqërisë përballë traumës

Murakami

Në veprat e tij, Murakami u referohet fenomeneve kulturore popullore japoneze si anime dhe manga, videolojërave, hartave të ilustruara dhe trendeve të modës së rrugës

“Ecja mbi bishtin e një ylberi” është titulli i ekspozitës me të cilën Takashi Murakami në Muzeun e Artit në Cleveland të SHBA-së, eksploron ndikimin e traumës tek individët dhe te kultura në përgjithësi. Portretet me rrënjë në histori janë dëshmi se çfarë po bën një shoqëri dhe sa e shëndetshme është ajo

Artisti bashkëkohor japonez, Takashi Murakami, nuk është kufizuar kurrë në një medium të vetëm. Ka realizuar portrete dhe skulptura, artikuj luksozë me shtëpi mode si “Louis Vuitton”, ballina albumesh dhe një koleksion ekskluziv të produkteve për shitje me pakicë me Major-Ligën e Bejsbollit.
Tani, ai ka mbushur një sallë muzeu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me portrete në çdo ngjyrë, në ekspozitën e hapur në Muzeun e Artit në Cleveland.

Ekspozita me titull, “Takashi Murakami: Stepping on the Tail of a Rainbow”, (Takashi Murakami: Ecja mbi bishtin e një ylberi), një përditësim i një ekspozite të prezantuar për herë të parë në Los Angeles, përfshin më shumë se 100 vepra në pikturë e skulpturë.

Shtresëzimi i temave të lehta me ngjarje historike të lidhura me traumën është i qëllimshëm

Kuratori, Ed Schad, ka thënë se arti eksploron ndikimin e traumës tek individët dhe te kultura në përgjithësi.

“Do të kuptoni që portretet kanë rrënjë historike dhe se ato mund të ju tregojnë shumë për atë çfarë po bën një shoqëri. Sa e shëndetshme është një shoqëri, çfarë po ndodh dhe ndaj çfarë po reagon një shoqëri. Dhe ajo ndaj së cilës shoqëria reagon më shpesh në këtë ekspozitë është ideja e traumës”, ka thënë ai.  

Një skulpturë paraqet Murakamin dhe qenin e tij me gjysmën e trupave të tyre në formë anatomike, duke treguar kockat dhe organet e tyre, ndërsa gjysma tjetër është pamja e tyre e jashtme. Skulptura me titull, “Pom and Me”, përshkruhet si interpretimi i Murakamit për përvojën e tij në Perëndim, përmes lentës së identitetit të tij japonez.

Ajo që dikush mund të admironte në artin e tij si fëmijë, ka shumë të ngjarë të mos jetë ajo që admirohet nga një i rritur

Arti i paraqitur në ekspozitë, sipas përshkrimit që ia bën Muzeu i Artit në Cleveland, mund të shihet përmes lentës së tri ngjarjeve në historinë e Japonisë: bombardimet atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit nga Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, tërmeti dhe cunami i Tōhokus në vitin 2011, që çuan në aksidentin bërthamor të Fukushima Daiichi dhe pandemia COVID-19. 

Në veprat e tij, Murakami u referohet fenomeneve kulturore popullore japoneze si anime dhe manga, si dhe videolojërave, hartave të ilustruara dhe trendeve të modës së rrugës.

Ai ka thënë se ky shtresëzim i temave të lehta me ngjarje historike të lidhura me traumën është i qëllimshëm.

“Është pak keqkuptim që vepra ime është shumë e lehtë dhe shumë e popullore, por kjo është në rregull, sepse mund të them se është një truk i imi”, ka thënë Murakami për “Associated Press”.

Takashi Murakami përshëndet vizitorët në ekspozitën e tij të hapur në Muzeun e Artit në Cleveland (Foto: AP)

Ai ka thënë se ajo që dikush mund të admironte në artin e tij si fëmijë, ka shumë të ngjarë të mos jetë ajo që admirohet nga një i rritur.

“Shumica e fëmijëve mund ta shijojnë punën time dhe pastaj, kur këta të rriten mund të thonë ‘Oh, kjo vepër është vërtet komplekse’”, ka thënë artisti.

Krijimtaria e Murakamit në Muzeun e Artit në Cleveland është mirëpritur edhe nga artdashësit amerikanë, të cilët e kanë vlerësuar ekspozitën si një mundësi të rrallë jetësore.   

“Familja jonë e adhuron artin. Unë jam terapeut i artit, prandaj mundësia që ta takoj një artist të famshëm dhe të jashtëzakonshëm në një vend magjik siç është Muzeu i Artit në Cleveland, është një shans që të vjen një herë në jetë”, ka thënë Laurel Larson, vizitor dhe terapeut i artit. 

“Kjo është një mundësi shumë emocionuese. Një ekspozitë me vepra kumbuese dhe tejet frymëzuese. Thjesht më bën që ta shikoj gjithë ditën”, ka thënë Trav Hen, një tjetër vizitor i ekspozitës.

“Takashi Murakami: Stepping on the Tail of a Rainbow” do të qëndrojë e hapur për publikun deri në fillim të shtatorit.