Tashmë është zyrtarizuar se lokacioni i ri i teatrit të operës dhe baletit do të jetë parkingu prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Të enjten, asamblistët kanë votuar për ndarjen e parcelës, siç kishte kërkuar Ministria e Kulturës. Projekti nis nga e para, duke lënë prapa 13 vjet dështime, themelet te Fakulteti Teknik ku u vendos guri themeltar në fund të 2009-s, e për të cilin u dogjën mbi 1 milion euro. Tash, së paku me letra bashkë me teatrin, në po atë vend, vijnë në propozim edhe “objektet e platformës multifunksionale”
Shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për teatrin e operës dhe të baletit. Me këtë i kanë hapur rrugë rinisjes së procesit krejt të ri për investimin më të madh kapital që shteti e synon në infrastrukturën kulturore. Duhet bërë studim fizibiliteti, detyrë projektuese, konkurs për projekt ideor, më pas atë detaj për të ardhur deri te nisja e punimeve. Në emër të atij që ndër vite quhej “teatri i operës dhe baletit, dr. Ibrahim Rugova” kanë shkuar huq mbi 1 milion euro, dhe është shembulli i dështimit tash e gati 13 vjet. Të enjten, janë lënë prapa themelet te Fakulteti Teknik, e krejt ato që lidheshin me këtë projekt.
“Zhvendosja” në parking
Shumica e këshilltarëve komunalë zellshëm kanë shtypur butonat për të votuar pro ndarjes së hapësirës së re. Por një pjese jo të vogël të tyre zor t’u ketë shkuar mendja se do t’u binte hise të votojnë për këtë propozim. Disa kanë qenë në shkollë fillore kur më 2004 ish-asamblistët kishin ndarë lokacionin afër Fakultetit Teknik që të ndërtohej teatri i operës dhe baletit “dr. Ibrahim Rugova”. Me 37 vota pro, asnjë kundër dhe 2 abstenime është votuar projekt-propozimi i ekzekutivit komunal “për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objekteve të platformës multifunksionale, teatrit të operës dhe baletit në Prishtinë”.
Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje megjithëse e ka përkrahur propozimin në parim, ka pasur vërejtje sa i përket specifikimit të parcelave pasi bëhet fjalë për hapësirë me sipërfaqe 2.2 hektarë.
Asamblistja Nora Kelmendi ka thënë se bëhet fjalë për propozim-vendim gjysmak pasi mungon i gjithë dokumentacioni.
Edhe
Hapësira prapa Pallatit të Rinisë ndahet për teatër të operës dhe baletit
“Pritëm që pas takimit në Komitetin për Politikë dhe Financa të na i dërgojnë dokumentacionin, por na dërguan vetëm certifikatat e pronës”, ka thënë ajo. Sipas Kelmendit, pjesa tekstuale me atë grafike nuk përputhen. Por, për ekzekutivin komunal kjo çështje nuk ka paraqitur problem.
“Ndarja kadastrale nuk është e rregulluar mirë. Por nuk paraqet problem. Hapësira është shumë më e madhe se vendi ku do të ndërtohet ndërtesa. S’ka palë që mund ta kontestojë ndarjen”, ka thënë drejtori i Urbanizmit, arkitekti Arbër Sadiki.
Komuna ka vepruar kësisoj pas kërkesës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që t’i ndahet një hapësirë për ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit. Në seancë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kanë pasur bisedime me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka treguar se Ministria ka kërkuar një lokacion tjetër, por ka qenë e pamundur në aspektin e planifikimit urban.
Më vonë gjatë ditës, në një përgjigje për KOHË-n, kryetari Rama ka thënë se objektet e platformës multifunksionale dhe teatri i operës dhe baletit janë dy gjëra të ndryshme.
“Teatri i operës dhe baletit e ka pozicionimin e vet. Është hapësirë e madhe 2.2 hektarë dhe pjesa tjetër është multifunksionale. Ne kemi biseduar për bashkë-investim me MKRS-në për ta çuar projektin përpara”, ka thënë Rama. Sipas tij, objekti multifunksional do të ketë “parkingun nëntokësor pastaj qendër e ekspozimit për biznese vendore, të rajonit dhe të botës”. “Kjo është ideja, që ta krijojmë Prishtinën si një pikë ku gravitojnë bizneset, kultura e arti. Në të njëjtën kohë do të jetë edhe platforma e gjelbër që e lidh ‘Arbërinë’ me qendrën e Prishtinës”, ka thënë ai. Ka dhënë përgjigje se çfarë do të ndodhë me sallën koncertale në objektin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Sipas tij, ai mbetet projekt i veçantë, i cili do të realizohet me fondet e Bashkimit Evropian.
Institucionet e injoruara
Sa i përket teatrit të operës dhe baletit, Ministria e Kulturës tash e dhjetë ditë nuk është përgjigjur nëse institucionet që do ta shfrytëzojnë ndërtesën janë konsultuar sa i përket lokacionit dhe cilat janë institucionet që do të akomodohen në këtë objekt.
Por, sipas drejtuesve të baletit Kombëtar të Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës, askush nuk i ka pyetur për ndarjen e lokacionit.
Pas vendimit të Kuvendit Komunal, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se dihet që edhe para shumë vjetësh, është vendosur lokacioni për teatrin e operës dhe baletit, madje është vënë edhe guri themeltar.
“Mirëpo, për fat të keq ai projekt nuk u jetësua kurrë. Uroj që kësaj radhe të mos dëshpërohemi, por ta kemi objektin meritor për artistët tanë që punojnë pa pushim për çdo ditë”, ka thënë Kajtazi.
Kajtazi si solist kishte interpretuar në një skenë të improvizuar në dhjetor të vitit 2009 kur u vu guri themeltar për teatrin e operës dhe baletit afër Fakultetit Teknik. Në atë ceremoni interpretoi edhe Filharmonia e Kosovës.
Për planet e reja nuk e ka konsultuar kush as Filharmoninë e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar drejtori i këtij institucioni, Baki Jashari. Ai ka thënë se nuk është kundër infrastrukturës së re kulturore dhe se i gëzohet ndërtimit të teatrit të operës dhe baletit.
Edhe
Parkingu prapa Pallatit të Rinisë – opsion për teatër opere dhe baleti
“Në cilësinë e drejtuesit të Filharmonisë është e natyrshme që të shtrojë pyetjen se a është dikush duke menduar për objektin e Filharmonisë? Apo problematika mbulohet me ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit?”, ka përsëritur drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, pyetjet që i shton tash e sa kohë. Aktualisht Filharmonia e Kosovës funksionon në një objekt të Komunës ku kushtet në të cilat punohet nuk janë as për një ansambël amator.
Sipas tij, tash është duke u folur për objekt të një institucioni që nuk ka as orkestër, as kor, por ka një këshill iniciues. Ka aluduar në Operën e Kosovës që si institucion është themeluar në letër, në verën e vitit të kaluar, e më pas edhe është mbajtur një koncert inaugurues. Por realisht pos zëvendësuesit të drejtorit dhe këshillit iniciues, Opera e Kosovës nuk ka asnjë punonjës tjetër. Jashari ka thënë se Filharmonia pos programit të rregullt performon edhe në krejt ngjarjet më të rëndësishme shtetërore e po ashtu shënon edhe ditët historike të vendit. Sipas tij, është koha e fundit që të mendohet për një objekt të Filharmonisë.
Të hënën e kësaj jave, zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka thënë se është propozim i kahershëm dhe tashmë edhe i këshillit iniciues që Opera të vendoset në sallën e madhe – hapësirën e djegur – të Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
“Dhe së fundmi dëgjuam që janë afër marrëveshjes me Komunën dhe që po presim të na ftojnë për një takim dhe konsultim më të gjerë me të gjitha palët ndërmjetësuese”, kishte thënë Ferizi.
Historia e projektit të dështimeve
Historia e teatrit të operës dhe baletit është një seri e vjetër dështimesh.
Ministria e Kulturës me shkresat e qershorit të vitit 2018 dhe të tetorit të vitit 2019 kishte njoftuar Komunën për procedurat që po zhvillonte për një projekt të ri për lokacionin e vjetër afër Fakultetit Teknik. Ky institucion bazohej në vendimin e vitit 2004, kur Komuna e Prishtinës kishte përcaktuar se parcela në lagjen “Kodra e Diellit” do të jetë vendi i teatrit të operës dhe baletit. Prej atëherë Qeveria kishte shpenzuar goxha për të çuar përpara kërkesën e kamotshme të artistëve.
I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes të tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas krejt pak punimeve, puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.
Projekti ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.
Nga ajo kohë e deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, në vjeshtën e vitit 2018 autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve.
Në vjeshtën e vitit 2018 do të dilte në pah synimi për plane komunale sa i përket asaj hapësire. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Komuna e Prishtinës kishin nxjerrë në publik projektin e hollësishëm për atë zonë. Pas diskutimeve publike projekti ishte reviduar.
Edhe
Shteti heq dorë nga lokacioni për teatrin e operës, artistët injorohen
Në janar të vitit 2021, Komuna e Prishtinës ishte zmbrapsur të paktën për një kohë të shkurtër nga lënia pa lokacion e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Këtë e kishte bërë Kuvendi Komunal duke shtyrë propozimin e ekzekutivit që do t’i hapte rrugë ndërtimit të një kampusi të ri universitar në hapësirën afër Fakultetit Teknik. Ministria e Kulturës ishte në procesin e rivlerësimit të projekteve për teatër të operës dhe baletit pas konkursit të hapur më 2019. Por gjërat do të ndërronin në shtator të vitit 2021, kur Kuvendi Komunal ua dha dritën jeshile planeve të reja.
Me krejt këtë është pajtuar edhe menaxhmenti i MKRS-së. Madje, ende pa gjetur një tjetër lokacion për teatrin e operës dhe baletit, të cilit tash së paku në propozime nuk i figuron emri “Dr. Ibrahim Rugova”.