Një shpërthim ka shkaktuar zjarr në një depo armësh në Bullgarinë qendrore gjatë natës, kanë njoftuar të shtunën mediat dhe zyrtarët vendas.
Ky është zjarri i dytë në një objekt municionesh brenda pak javësh.
Nuk është raportuar për të lënduar nga shpërthimi i cili ka ndodhur pranë fshatit Tsareva Livada.
"Për momentin, zjarri ndodhet në territorin e bazës së magazinimit të fabrikës. Ai po përhapet nga njëra depo në tjetrën," u ka thënë gazetarëve në orët e para të së shtunës Kristina Sidorova, guvernatorja rajonale e Gabrovos.
Duke cituar një zyrtar të kompanisë EMCO, mediat vendase raportuan se zjarri kishte rënë në një objekt të menaxhuar nga kjo kompani, e cila kishte përjetuar një shpërthim në një objekt tjetër muajin e kaluar.
EMCO drejtohet nga tregtari bullgar i armëve Emilian Gebrev. Prokurorët bullgarë pretendojnë se ai ka qenë shënjestër e sulmeve të mëparshme ndaj objekteve të tij nga agjentë rusë.
Në vitin 2024, Bullgaria ka lëshuar një urdhërarresti për gjashtë shtetas rusë, të akuzuar për përfshirje në shkatërrimin e depove të armëve të EMCO-s, ku ruheshin municione për eksport në Ukrainë dhe Gjeorgji midis viteve 2011 dhe 2020.
Në atë kohë, prokurorët deklaruan se mund të supozonin me arsye ekzistencën e lidhjeve midis shpërthimeve në Bullgari, një tentative për helmimin e Gebrevit në vitin 2015 dhe shpërthimeve në depot e municioneve në Republikën Çeke në vitin 2014.