Kulturë

Parkingu prapa Pallatit të Rinisë – opsion për teatër opere dhe baleti

Nëse miratohet propozimi, teatri i operës do të “zhvendoset” prej hapësirës pranë Fakultetit Teknik në “Kodër të Diellit”, ku më 2009 u hapën themelet dhe shkuan huq mbi një milion euro. Se nuk do të ndërtohet aty u bë punë e kryer vitin e kaluar, kur edhe Ministria e Kulturës hoqi dorë prej atij lokacioni, përderisa Komuna e Prishtinës zyrtarizoi të tjera plane për atë parcelë. Qëllimi i Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës është që teatri i operës dhe baletit të ndërtohet te parkingu i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Nëse ky lokacion do të jetë përfundimtar, pritet të votohet në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Kjo çështje pritet të jetë në rend dite të enjten

Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës janë duke bërë ujdi që t’i bëjnë vend projektit që dështoi tash e më shumë se një dekadë: teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Opsioni: parkingu i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Nëse ky lokacion do të jetë përfundimtar, pritet të votohet në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Kjo çështje pritet të jetë në rend dite në mbledhje të Kuvendit të enjten.

Nëse miratohet, teatri i operës do të “zhvendoset” prej hapësirës pranë Fakultetit Teknik në “Kodër të Diellit”, ku më 2009 u hapën themelet dhe shkuan huq mbi një milion euro. Se nuk do të ndërtohet aty, u bë punë e kryer vitin e kaluar, kur edhe Ministria e Kulturës hoqi dorë prej atij lokacioni, përderisa Komuna e Prishtinës zyrtarizoi të tjera plane për atë parcelë.

Për gjashtë ditë Komuna dhe Ministria e Kulturës kanë heshtur në pyetjet e KOHËS dhe deri në momentin e raportimit nuk kanë kthyer përgjigje. Për një lokacion të ri të teatrit të operës dhe baletit kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte folur edhe në fushatë zgjedhore të zgjedhjeve lokale të nëntorit të kaluar. Për investimin më të madh në infrastrukturën e kulturës është edhe një tjetër projekt: ai i sallës koncertale, i cili aktualisht “mbetet” në objektin e ish-“Gërmisë” e për të cilin është hartuar edhe projekti ideor. Nëse do të shkrihet aty edhe salla koncertale, mbetet opsion. Gjatë fushatës elektorale të vitit të kaluar kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, kishte prezantuar plane që pas Pallatit të Rinisë të zinte vend një sallë koncertale.

Fiks 13 vjet pasi shteti vuri gurin themeltar për investimin më të madh kapital në infrastrukturën kulturore do të propozohet një lokacion i ri.

“Propozim-vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objekteve të platformës multifunksionale, Teatrit të Operës dhe Baletit në Prishtinë”, është pika e 15-të e rendit të ditës e paraparë për mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës të enjten e kësaj jave.

Por për krejt këtë nuk janë konsultuar fare institucionet qendrore të kulturës. As ato që planifikohet të shfrytëzojnë ndërtesën e re.

Sinan Kajtazi këtë muaj ka marrë drejtimin e Baletit Kombëtar të Kosovës. Ka thënë se nuk ka ndonjë informacion zyrtar sa i përket këtij propozimi.

“Unë sapo kam marrë detyrën dhe nuk kam ndonjë informacion zyrtar në lidhje me këtë projekt. Mendoj që në disa faza të projektit duhet të konsultohen institucionet për nevojat e tyre, sepse në fund të fundit ne do ta shfrytëzojmë atë objekt”, ka thënë Kajtazi, i cili si solist kishte performuar në vënien e gurit themeltar të teatrit të operës dhe baletit në dhjetor të vitit 2009, atje ku Komuna ka përcaktuar të ndërtohet një kampus i ri universitar. Sipas Kajtazit, do të ishte e rrugës që çështja të trajtohej me seriozitet.

“Koha ka qenë qysh moti me u realizu ky projekt. Mirëpo, nëse vërtet do të merret seriozisht, do të ishte mjaft motivuese dhe shpresëdhënëse për artistët në vendin tonë”, ka thënë Kajtazi.

Filharmonia e Kosovës ishte pjesë e nismës së MKRS-së që teatri i operës dhe baletit të ndërtohej afër Fakultetit Teknik në “Kodër të Diellit”. Për planet e reja këtë institucion as që e ka njoftuar kush.

“Ne nuk na ka pyetur asgjë askush. Ku është lokacioni i Filharmonisë së Kosovës? Çdo iniciativë për çfarëdo qoftë ndërtese për kulturë është e mirëseardhur. Në cilësinë e drejtuesit të Filharmonisë është e natyrshme që të shtroj pyetjen se a është dikush duke menduar për objektin e Filharmonisë? Apo problematika mbulohet me ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit?”, ka thënë drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari. Aktualisht Filharmonia e Kosovës funksionon në një objekt të Komunës ku kushtet në të cilat punohet nuk janë as për një ansambël amator.

“Filharmonia është themeluar para 22 vjetësh dhe vepron në një objekt gjysmë të rrënuar të Komunës. Kohëve të fundit është folur për zhvendosje të përkohshme te Pallati i Rinisë dhe Sportit”, ka thënë Jashari. Sipas tij, tash është duke u folur për objekt të një institucioni që nuk ka as orkestër, as kor, por ka një këshill iniciues. Ka aluduar në Operën e Kosovës që si institucion është themeluar në letër, në verën e vitit të kaluar, e më pas edhe është mbajtur një koncert inaugurues. Por realisht pos zëvendësuesit të drejtorit dhe këshillit iniciues, Opera e Kosovës nuk ka asnjë punonjës tjetër. Jashari ka thënë se Filharmonia pos programit të rregullt performon edhe në krejt ngjarjet më të rëndësishme shtetërore e po ashtu shënon edhe ditët historike të vendit. Sipas tij, është koha e fundit që të mendohet për një objekt të Filharmonisë.

Zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka thënë se është propozim i kahershëm dhe tashmë edhe i këshillit iniciues që Opera të vendoset në sallën e madhe – hapësirën e djegur – të Pallatit të Rinisë dhe Sportit.

“Dhe së fundmi dëgjuam që janë afër marrëveshjes me Komunën dhe që po presim të na ftojnë për një takim dhe konsultim më të gjerë me te gjitha palët ndërmjetësuese”, ka thënë Ferizi.

Historia e teatrit të operës dhe baletit është prej dështimeve më të mëdha të institucioneve qendrore e lokale sa u përket investimeve në infrastrukturën kulturore.

Ministria e Kulturës me shkresat e qershorit të vitit 2018 dhe të tetorit të vitit 2019 kishte njoftuar Komunën për procedurat që po zhvillonte për një projekt të ri për lokacionin e vjetër afër Fakultetit Teknik. Ky institucion bazohej në vendimin e vitit 2006, kur Komuna e Prishtinës kishte përcaktuar se parcela në lagjen “Kodra e Diellit” do të jetë vendi i teatrit të operës dhe baletit. Prej atëherë Qeveria kishte shpenzuar goxha për të çuar përpara kërkesën e kamotshme të artistëve.

I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr.Ibrahim Rugova”. Pas krejt pak punimeve, puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.

Projekti ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.

Nga ajo kohë e deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, në vjeshtën e vitit 2018 autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve.

Në vjeshtën e vitit 2018 do të dilte në pah synimi për plane komunale sa i përket asaj hapësire. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Komuna e Prishtinës kishin nxjerrë në publik projektin e hollësishëm për atë zonë. Pas diskutimeve publike projekti ishte reviduar.

Në janar të vitit 2021, Komuna e Prishtinës ishte zmbrapsur të paktën për një kohë të shkurtër nga lënia pa lokacion e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Këtë e kishte bërë Kuvendi Komunal duke shtyrë propozimin e Ekzekutivit që do t’i hapte rrugë ndërtimit të një kampusi të ri universitar në hapësirën afër Fakultetit Teknik. Ministria e Kulturës ishte në procesin e rivlerësimit të projekteve për teatër të operës dhe baletit pas konkursit të hapur më 2019. Por gjërat kanë ndërruar në shtator të vitit 2021, kur Kuvendi Komunal ua dha dritën jeshile planeve të reja.

Me krejt këtë është pajtuar edhe menaxhmenti i MKRS-së. Madje, pa gjetur një tjetër lokacion për teatrin e operës dhe baletit.

Aktualisht Filharmonisë së Kosovës për koncerte i ngelet Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, e Baletit - skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Sa i përket sallës koncertale, edhe për këtë ndërtesë në tentativë ka një histori përplasjesh. Por Komuna të paktën publikisht nuk ka hequr dorë nga ish-ndërtesa e qendrës tregtare “Gërmia” në qendër të Prishtinës. KOHA ka marrë vesh se shkrirja e këtij projekti tek ai për teatër të operës është opsion.

“Salla koncertale te Gërmia - Komuna e Prishtinës ka bërë analizën hidrologjike të prurjeve të lumit, i cili kalon poshtë themeleve të ndërtesës ekzistuese të Gërmisë. Rezultatet e këtij studimi kanë mundësuar kushte teknike për vendosjen e ndërtesës së re”, shkruhet në raportin e punës që Komuna e ka publikuar për periudhën dhjetor-mars.

Në prill të vitit 2021, Komuna e Prishtinës kishte bërë publik vlerësimin e jurisë në përbërje të vendorëve dhe ndërkombëtarëve sa u përket tri projekteve ideore për sallën koncertale.

Komuna synonte që ta realizonte projektin që ka marrë më së shumti pikë – “One Roof – Germia for Concert Hall” – i realizuar nga arkitekti me nam botëror, japonezi Kengo Kuma, në partneritet me kolegun e tij në Kosovë, Bekim Ramku, dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akim Mühendislik. Shpërblimi për këtë projekt qe 50 mijë euro.

Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar qe 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiku B.I, G+A Architects” me shifrën 6 969 , që ka marrë 70.12 pikë dhe shpërblimi financiar prej 20 mijë eurosh. Pos Sadikut, bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi. Sadiku në shkurt është emëruar drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.