Showbiz

Kim Kardashian: Kurrë nuk do të mund të isha avokate e shkurorëzimeve

Kim Kardashian

Kim Kardashian

Foto: Associated Press

Ylli televiziv, Kim Kardashian, ka thënë se asnjëherë nuk do të mund të ishte avokate e shkurorëzimeve. Ajo ende nuk e di nëse e ka kaluar provimin, por ka thënë se nuk po planifikon ta përdorë ligjin për ndarjet.

45 vjeçja, e cila luan rolin e një avokates së divorceve, Allura Grant, në dramën “All’s Fair”, të kanalit Disney, i ka thënë BBC-së se më shumë i pëlqen drejtësia penale dhe puna me reforma.

“Asnjëherë nuk mendoj se mund të punoj me ligjin e familjes”, ka thënë Kardashian.

Ajo, që gjashtë vjetët e fundit është duke studiuar që të bëhet avokate, duke ndjekur një program praktik që e përjashton nevojën për diplomë universitare.

“Ishte ideja më e çmendur që po shkoja në juridik, por për mua ka kuptim dhe shpresoj të jem gjithmonë kureshtare e gjithmonë të provoj gjëra të reja”, ka thënë ajo.

Ylli që ka katër fëmijë me ish-burrin e saj, reperin Kanye West, udhëheq gjithashtu brendin e veshjeve të brendshme “SKIMS”, si dhe shfaqet në reality shown “The Kardashian’s” bashkë me familjen.

Interesimi i saj për drejtësinë penale është dokumentuar në këtë reality show, ku ka avokuar për reforma në burgjet e SHBA-së si dhe zbutjen e dënimeve për personat që dënohen për herë të parë.

E pakënaqur me agjendën e saj tashmë shumë të ngjeshur, përkushtimi në aktrim ka ngjallur çudi të shumëkush, por kjo nuk ka ndikuar tek ambiciet e saj.

“Besoj se nuk jetoj në kuti të pritshmërive të të tjerëve”, ka thënë ajo.

Kardashian gjithashtu ka thënë se i pëlqejnë shumë kritikat konstruktive, por nuk e kupton pse njerëzit mendojnë që ajo nuk do të mund të bënte diçka që do të donte apo që është kurioze ta mësojë për ta bërë.

Ishte viti 2023 kur ajo u njoh së pari me aktrimin, pasi shkoi ne audicion për sezonin e 12-të të serialit “American Horror Story”, ku luan rolin e një publicisteje.

Kardashian ka marrë kritika kryesisht pozitive për portretizimin e këtij roli, gjë që e ka inkurajuar të vazhdojë aktrimin.

Projekti filmik “All’s Fair” e bashkon yllin me kolegun nga “American Horror Story”, Ryan Murphy, i cili ka krijuar edhe seritë e tjera të famshme si “Glee” dhe “Pose”.

Projekti i tij i fundit, “All’s Fair”, është dramë për drejtësinë që zhvillohet në SHBA, ku Kardashian luan rolin e një avokateje divorcesh, përkrah aktoreve të tjera të famshme si Sarah Paulson, Naomi Watts, Glenn Close, Niecy Nash dhe Tayana Taylor.

Kardashian ka thënë se e kishte prioritet të jetë “e përgatitur” në xhirime, duke shtuar se kalonte çdo ditë duke i parë dhe duke mësuar nga këto gra, të cilat i ka quajtur “trajneret më të mira të aktrimit në botë”.

“Aspak nuk doja të dukesha joprofesionale, të isha vonë apo të mos e disa pjesën time të skenarit”, ka thënë Kardashian.

“E kam përjetuar në familjen time”

“All’s Fair”, traileri i së cilës, sipas “Disneys”, është më i shikuari i të gjitha kohërave, është dramatizim spektakolar i jetës së avokateve që mundohen të zgjidhin problemet e divorceve për klientë gra të pasura e të famshme.

Kardashian ka thënë se divorci për të është temë e njohur, pasi e ka përjetuar në familje, pasi prindërit iu ndanë teksa ajo rritej.

Ajo vetë, është divorcuar tri herë, së fundmi më Westin, në vitin 2022 pas tetë vjetësh martesë.

Ani pse thotë që historitë që ndodhin në serial nuk janë të ngjashme me ato të jetës së saj të përditshme nëpër të cilat ka kaluar, ajo ka thënë gjithashtu se definitivisht është inspiruar duke praktikuar të jetë avokate.

Kolegia e Kardashianit, aktorja Naomi Watts, gjithashtu e pohon këtë. Përderisa seriali mund të jetë sensacional, historitë e grave që ju “duket se jetët e tyre kanë mbaruar në fund të një lidhjeje”, është e njohur për shumëkënd.

Nash, e cila në këtë serial luan rolin e një hetueseje ligjore, ka thënë se divorci është diçka që shumë njerëz të zakonshëm e kanë gjë të përbashkët me njerëz të famshëm dhe mendon se seriali ka arritur të jetë shumë i mirë e i suksesshëm për shkak se shpërfaq gjëra që me të vërtet ndodhin në jetën reale, ani pse është pak më dramatik.

Paulson shton se ani pse tema kryesore e serialit është divorci ai në fakt përqendrohet te ndjenjat njerëzore dhe procesi i pajtimit.

“Konflikti dhe zgjidhja janë një pjesë e bukur e serialit”, ka thënë ajo, duke shtuar se projekti trajton “marrëdhënie të mëdha, të rëndësishme dhe emocionale”.

“Magjia e Ryan Murphyt”

Një pjesë e madhe e diskutimit rreth serialit është përqendruar tek forca e kastit, i cili përbëhet vetëm nga aktore gra, disa prej emrave më të mëdhenj të Hollywoodit.

Të gjitha aktoret pajtohen se arsyeja kryesore pse pranuan të bëheshin pjesë e projektit ishte regjisori dhe producenti i njohur Ryan Murphy, i cili gjatë 25 vjetëve të karrierës në televizion, film dhe teatër ka fituar gjashtë çmime Emmy, një Tony dhe dy Grammy.

“Murphy më thërret dhe unë zakonisht nuk di t’i them ‘jo’”, ka thënë Paulson.

Ajo ka bashkëpunuar me të për shumë vite, duke u shfaqur në nëntë sezone të serialit “American Horror Story” nga viti 2011 deri në 2021.

Edhe Kardashian, ka folur për përvojën me Murphyn.

“Ne të gjithë hymë në këtë projekt pa e ditur saktësisht se çfarë po na priste, por ishte e mrekullueshme ta shihje magjinë e Ryanit të merrte jetë. Ai ishte shumë i qartë në mënyrën si e krijoi këtë projekt. Ai vërtet i do gratë dhe dëshiron t’i fuqizojë, ndaj krijon këto seriale me protagoniste gra. E shkroi kështu, dhe nuk e pa në asnjë mënyrë tjetër”, ka thënë ajo.

Edhe Watts është dakord, duke theksuar se Murphy “ka aftësinë të gjejë hapësira që nuk janë eksploruar më parë”.

“Ai është i mrekullueshëm në krijimin e historive për gratë në një moshë të caktuar, dhe pikërisht aty ndodhem unë tani në jetën time. Të gjitha këto gra bëjnë gjëra të jashtëzakonshme bashkë, jemi një grup i ndryshëm, me mosha dhe përvoja të ndryshme, por mbështesim njëra-tjetrën gjatë gjithë historisë”, ka thënë aktorja.

Murphy ka nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare me Netflix në vitin 2018, me vlerë rreth 300 milionë dollarë. Gjatë asaj periudhe, ai ka krijuar dy seriale të bazuara në histori të vërteta kriminale, “Dahmer: Monster- The Jeffrey Dahmer Story” dhe “Monsters: The Lyle and Erik Menendez Story”, si dhe dramën “The Politician”.

Tani Murphy ka marrëveshje të re me Disney+, që përfshin edhe serialin e ri “All’s Fair”. Ai është producent ekzekutiv së bashku me Kim Kardashian, Glenn Close, Sarah Paulson, Naomi Watts dhe Niecy Nash.

Në këtë projekt merr pjesë si regjisore edhe nëna dhe menaxherja e Kardashianit, Kris Jenner.