Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka vendosur që hapësira prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve të jetë vend për ndërtimin e tetarit të operës dhe baletit. Po ashtu ajo hapësirë do të shpërbëjë edhe për një platformë multifunksionale.
Me 37 vota për, 0 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi Komunal para pak minutash ka vendosur që Ministrisë së Kulturës t’i ndahet lokacioni për projektin më të madh kapital që shteti synon në infrastrukturën kulturore.
Teatri i operës është “zhvendosur” prej hapësirës pranë Fakultetit Teknik në “Kodër të Diellit”, ku më 2009 u hapën themelet dhe shkuan huq mbi një milion euro. Se nuk do të ndërtohet aty, u bë punë e kryer vitin e kaluar, kur edhe Ministria e Kulturës hoqi dorë prej atij lokacioni, përderisa Komuna e Prishtinës zyrtarizoi të tjera plane për atë parcelë.
I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr.Ibrahim Rugova”. Pas krejt pak punimeve puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.
Projekti ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.