Kulturë

Ministria godet 11 projekte për 1.8 milionët e teatrit të operës

Ekzekutivi ka miratuar të mërkurën kërkesën e Ministrisë së Kulturës për transfer mjetesh nga buxheti i saj. Me qëllim që të ndahen 1 milion e 824 mijë euro për teatrin e operës dhe baletit që tash ka vetëm lokacionin, paratë janë marrë nga 11 projektet në kulturë, rini e sport

Ministria e Kulturës ka vendosur ta rëndojë kuletën kur ka mbledhur paratë për projektin më të madh kapital të saj: teatrin e operës dhe baletit. Por për t’i bërë gati dy milionë euro për këtë projekt për të cilin ende s’ka nisur asnjë procedurë – pos ndarjes së hapësirës – është dashur që t’i sakrifikojë 11 projekte të tjera kapitale.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën ka kaluar kërkesa e Ministrisë së Kulturës për të bërë transferr dhe rialokime të mjeteve.

Sipas vendimit të nxjerrë nga Qeveria, u janë marrë mjete katër projekteve kapitale të kulturës, tri të sportit e po aq të rinisë dhe një tjetër për ndërtimin e arkivit komunal në Prizren.

“Dy milionë euro për inicimin e ndërtimit të ndërtesës së Teatrit, Operas dhe Baletit, si dhe realizimin e ndërhyrjeve në katër asete të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar kryeministri Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë.

Janë 105 mijë euro të ridestinuara për katër asetet të trashëgimisë kulturore: Shtëpia e Ryshyt Këpuskës në Gjakovë, ajo e Sali Safçes në Prishtinë, Kulla e Sylë Tahirsylës dhe Shtëpia e Islam Shipolit, do të përfitojnë nga kjo rindarje e mjeteve. Por goditen projektet kapitale, si ai për muzeun e artit bashkëkohor, për shtëpinë e kulturës në Suharekë, për qendër kulturore në Pagarushë, rinovimin e Qendrës së Kulturës në Skenderaj, janë sakrifikuar shkaku i grumbullimit të mjeteve për teatrin e operës dhe baletit.

Te sporti mjetet u janë marrë projekteve, si ai për palestër të sportit në Zahaq të Pejës, ato për ndërtimin e stadiumit në Zhur të Prizrenit e për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë. Te rinia është dashur që të merren mjete nga projekti për qendër rinore në Prizren, ai për hapësirën për teknologji, inovacion dhe arte e po ashtu edhe nga projekti për qendrën multifunksionale në Ferizaj.

Vendimi për projektin kapital ku mendohet të sistemohen Opera e Kosovës – kurdo që të jetë praktikisht institucion – dhe Baleti Kombëtar i Kosovës, ka bërë që të ndahen 1 milion e 824 mijë euro. Janë 200 mijë të tjera që veç ishin të parapara me Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti.

Meë28 prill të këtij viti Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka ndarë një pjesë të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për teatrin e operës dhe të baletit. Por në emër të atij që ndër vite quhej “teatri i operës dhe baletit, dr. Ibrahim Rugova”, kanë shkuar huq mbi 1 milion euro, dhe është shembulli i dështimit tash e gati 13 vjet.

Historia e teatrit të operës dhe baletit është një seri e vjetër dështimesh.

Ministria e Kulturës me shkresat e qershorit të vitit 2018 dhe të tetorit të vitit 2019 kishte njoftuar Komunën për procedurat që po zhvillonte për një projekt të ri për lokacionin e vjetër afër Fakultetit Teknik. Ky institucion bazohej në vendimin e vitit 2004, kur Komuna e Prishtinës kishte përcaktuar se parcela në lagjen “Kodra e Diellit” do të jetë vendi i teatrit të operës dhe baletit. Prej atëherë Qeveria kishte shpenzuar goxha për të çuar përpara kërkesën e kamotshme të artistëve.

I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes të tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas krejt pak punimeve, puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.

Projekti ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.

Nga ajo kohë e deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, në vjeshtën e vitit 2018 autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve.

Në vjeshtën e vitit 2018 do të dilte në pah synimi për plane komunale sa i përket asaj hapësire. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Komuna e Prishtinës kishin nxjerrë në publik projektin e hollësishëm për atë zonë. Pas diskutimeve publike projekti ishte reviduar.

Në janar të vitit 2021, Komuna e Prishtinës ishte zmbrapsur të paktën për një kohë të shkurtër nga lënia pa lokacion e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Këtë e kishte bërë Kuvendi Komunal duke shtyrë propozimin e ekzekutivit që do t’i hapte rrugë ndërtimit të një kampusi të ri universitar në hapësirën afër Fakultetit Teknik. Ministria e Kulturës ishte në procesin e rivlerësimit të projekteve për teatër të operës dhe baletit pas konkursit të hapur më 2019. Por gjërat do të ndërronin në shtator të vitit 2021, kur Kuvendi Komunal ua dha dritën jeshile planeve të reja.

Me krejt këtë është pajtuar edhe menaxhmenti i MKRS-së. Madje, ende pa gjetur një tjetër lokacion për teatrin e operës dhe baletit, të cilit tash së paku në propozime nuk i figuron emri “Dr. Ibrahim Rugova”.