Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Teatri i Operës dhe Baletit pa projekt në vitin e “nisjes së punimeve”

Përderisa punimet nuk janë kurrkah, njësoj sikurse as projekti zbatues e buxheti, Ministria e Kulturës e “ka ngritur” në letër e në ide, Pallatin e Operës dhe Baletit

Përderisa punimet nuk janë kurrkah, njësoj sikurse as projekti zbatues e buxheti, Ministria e Kulturës e “ka ngritur” në letër e në ide, Pallatin e Operës dhe Baletit

Gati në fund të këtij viti – kur ishte paralajmëruar se do të nisnin punimet – Teatri i Operës dhe Baletit nuk ka as projekt të detajuar përderisa buxheti i paraparë për të në tre vjet nuk mbulon as 2 për qind të kostos totale prej 50 milionë eurosh sa ishte llogaritur konkretizimi i tij. Në vend të punimeve a të projektit final, të martën janë prezantuar renderët e radhës tok me paralajmërimin e ministres së Kulturës Saranda Bogujevci, se “Kosova po bën hapa konkretë drejt krijimit të një shtëpie të re për institucionet kulturore skenike dhe artistët skenikë”

Zotimet qeveritare se më 2026 do të nisë ndërtimi i  projektit më të madh të infrastrukturës kulturore që synon shteti, kanë mbetur vetëm fjalë. Madje, as projekti zbatues nuk është gati. Fiks 21 muaj pasi është prezantuar projekti ideor për Teatrin e Operës dhe Baletit, janë shpalosur renderët e radhës. Kësaj here, në zyrën e ministres së Kulturës, Saranda Bogujevci. Prej aty tërthorazi është dhënë po ashtu lajmi se projekti zbatues ende nuk është përfunduar. E, buxheti i paraparë për vitin që vjen për këtë projekt është rreth 2 për qind e vlerës totale. Në anën tjetër, problemet me Komunën e Prishtinës sa i përket lokacionit te Pallati i Rinisë dhe Sporteve janë muhabet më vete. Vetëm projekti peshon 2 milionë e 450 mijë euro. Para gati dy vjetësh, rreth 50 milionë euro ishte llogaritur kostoja e konkretizimit të këtij projekti. 

Mbrëmjen e së martës, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka bërë të ditur se gjatë ditës janë njoftuar nga ekipi projektues për ecurinë e projektit të Teatrit të Operës dhe Baletit, i cili, sipas saj, është një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore për kulturën në Kosovë dhe që do të ndikojë në zhvillimin e institucioneve vendore të arteve muzikore dhe skenike për dekadat që vijnë.

“Kosova po bën hapa konkretë drejt krijimit të një shtëpie të re për institucionet kulturore skenike dhe artistët skenikë. Projekti, i hartuar nga studioja prestigjioze daneze BIG, e udhëhequr nga arkitekti Bjarke Ingels, parasheh një infrastrukturë bashkëkohore, me katër salla për shfaqje dhe performanca artistike, hapësira për prova dhe përgatitje të artistëve, si dhe ambiente për edukim, konferenca dhe aktivitete publike”, ka njoftuar Bogujevci. Sipas saj, kjo hapësirë do të krijojë kushte moderne për artistët dhe institucionet kulturore, duke pasuruar ofertën artistike dhe jetën kulturore në vend. Ajo ka bërë të ditur se puna e projektimit ende nuk ka përfunduar.

“Nga prezantimi pamë se projekti kryesor është drejt finalizimit dhe po avancon në përputhje me planin dinamik të paraparë. Pas përfundimit të projektit zbatues, Ministria do të nisë procedurat e prokurimit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Një hap i rëndësishëm drejt realizimit të kësaj vepre që do t’i shërbejë kulturës dhe artistëve tanë”, shkruhet në njoftimin e ministres Bogujevci.
Por, sipas planifikimeve financiare të Ministrisë së Kulturës, për ta implementuar këtë projekt del se duhen rreth 25 vjet. Ministria e Kulturës, në Projektbuxhetin e vitit që vjen, për atë që figuron si “Objekti Teatër dhe Operë ‘Dr. Ibrahim Rugova’”, ka ndarë zero euro. Një milion e 250 mijë euro figurojnë si bartje nga viti 2026. Kurse për vitin 2028 janë planifikuar 500 mijë, e për vitin 2029 një milion euro.

Profesoresha universitare e muzikës dhe drejtoresha menaxhuese e “Chopin Piano Fest”, Besa Luzha, ka thënë se komuniteti artistik është në pritje të Sallës Koncertale dhe Teatrit të Operës dhe Baletit. Sipas saj, TOB-i kërkon më shumë kohë, mjete financiare dhe përkushtim institucional.
“Por rëndësia e tij është e jashtëzakonshme për të ardhmen e arteve performuese në Kosovë. Pavarësisht kostos, mendoj se komuniteti ynë artistik tashmë e ka dëshmuar se ka potencial programor, krijues dhe burime njerëzore për t'i jetësuar këto hapësira. Çdo vit, nga institucionet tona arsimore dalin gjenerata të reja muzikantësh, aktorësh, këngëtarësh, valltarësh dhe profesionistësh të tjerë të artit. Ata kanë nevojë për hapësira ku mund ta zhvillojnë talentin, profesionin dhe krijimtarinë e tyre”, ka thënë ajo. Sipas Luzhës, nëse supozohet se të dy projektet së bashku kushtojnë 100 milionë euro, sigurisht që bëhet fjalë për një investim të konsiderueshëm. Por investimet e kësaj natyre nuk bëhen domosdoshmërisht brenda një viti.

Kur flet për dy projekte, Luzha i referohet edhe atij për sallën multifunksinale që planifikohet të adaptohet në ish-objektin e shtëpisë së mallrave “Gërmia”, projekt i Komunës së Prishtinës i cili pos projektit zbatues nuk ka tjetër hap. 

“Ato mund të planifikohen dhe zotohen në faza, përmes buxheteve shumëvjeçare, të bashkëfinancohen nga nivele të ndryshme institucionale dhe të plotësohen me fonde evropiane, përfshirë instrumentet IPA, si dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë e donatorëve. Kështu veprojnë vendet që kulturën e trajtojnë si prioritet zhvillimor, e jo si shpenzim dytësor”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nuk bëhet fjalë vetëm për investim në dy ndërtesa. Ka thënë se ndërtimi duhet të shoqërohet edhe me plane të qëndrueshme për funksionimin, mirëmbajtjen dhe programimin artistik të këtyre institucioneve.

“Sepse nuk na duhen vetëm ndërtesa të bukura, por institucione të gjalla, me jetë artistike të përditshme. Kultura nuk është luks, por as lëmoshë. Ajo është shpirti i një populli. Ajo ruan kujtesën dhe trashëgiminë tonë, por njëkohësisht krijon hapësirë për shprehje të reja, për ide, dialog dhe zhvillim”, ka thënë ajo. Ka përmendur edhe shifrat e buxhetit.

“Projektbuxheti i Kosovës për vitin 2027 është 4.27 miliardë euro. Nëse supozojmë se dy projektet madhore, Salla Koncertale dhe Teatri i Operës dhe Baletit, do të kushtonin së bashku 100 milionë euro, kjo shumë përfaqëson vetëm 2.34 për qind të një buxheti vjetor. Dhe askush nuk po kërkon që ato të ndërtohen brenda një viti”, ka thënë ajo. Sipas Luzhës, nëse investimi shpërndahet përgjatë pesë vjetëve, mund të ndahen nga 20 milionë euro në vit, apo më pak se 0.5 për qind e buxhetit vjetor të shtetit.

“Natyrisht që ka shumë nevoja dhe prioritete publike. Por kultura nuk duhet të jetë vazhdimisht ajo që pret derisa të përmbushen të gjitha nevojat e tjera. Sepse ajo është vetë pjesë e zhvillimit të një shoqërie. Pyetja nuk është vetëm sa kushtojnë këto institucione, por sa i kushton Kosovës mungesa e tyre, vit pas viti, brez pas brezi”, ka thënë ajo.

Në kulm të fushatës zgjedhore, në fillim të shkurtit të vitit 2025, Ministria e Kulturës kishte mbledhur artistët në një hotel luksoz në periferi të kryeqytetit. Ishte festa e dytë pas asaj të vënies së gurthemelit, në dhjetorin e vitit 2009, për një projekt që nuk u realizua kurrë dhe u shpenzuan kot mbi një milion euro.

Asokohe ishte thënë se projektit të bazuar në xhubletë – veshje që është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – do t'i duheshin rreth 15 muaj për t’u shndërruar në projekt zbatues dhe, sipas projektuesit, gjysmë dekade për t’u finalizuar në praktikë. Aty planet janë që të sistemohen Filharmonia e Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Opera e Kosovës. Kostoja ishte përllogaritur në mbi 50 milionë euro.

“Kjo ndërtesë, pas pothuajse pesë dekadash, do t’i dhurojë kryeqytetit tonë, Prishtinës, një ikonë të arkitekturës bashkëkohore dhe do t’i qëndrojë pranë një prej perlave të arkitekturës moderne, Pallatit të Rinisë dhe Sportit”, kishte thënë asokohe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Kishte treguar se Teatri do të përmbajë katër auditoriume me kapacitet nga 300 deri në 1 mijë e 200 ulëse, ndërsa në spektrin urban do të krijojë një faqe të re spektakolare të qendrës së qytetit.

Sipas paralajmërimeve në shkurt të vitit 2025, projekti zbatues i Teatrit të Operës, do të duhej të ishte gati për 15 muaj, që i bie në majin e sivjetmë. Por të martën, sërish janë prezantuar imazhet

Nuk ishte i preferuari i komisionit vlerësues, por projekti i Ingelsit me partnerët e tij kosovarë, “Alb Architect”, pas një viti procedurash dhe shumë ankesash, doli të ishte i pari.

Arkitekti i njohur për projekte bashkëkohore në botë, ndër të tjera edhe për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, që është në ndërtim e sipër, Ingels kishte treguar se gjatë projektimit të Teatrit të Operës dhe Baletit kishin pasur parasysh arkitekturën e Prishtinës dhe hapësirën përreth. Sipas tij, përderisa hapësirat e brendshme janë racionale, ajo e jashtme asocion me xhubletën dhe është tërheqëse për qytetarët. I pyetur për koston e implementimit, ai kishte thënë se ajo shkonte mbi 50 milionë euro. Sipas konkursit ndërkombëtar të hapur një vit më parë, MKRS-ja kishte kërkuar një ndërtesë që konkretizohej me 50 milionë euro. Arkitekti Ingels asokohe nuk kishte qenë në gjendje të fliste për detaje, ta zëmë, as për numrin e ulëseve në salla. Si të gjithë projektuesit e tjerë me emër, kishte folur në terma të përgjithshëm për dizajnin, për mënyrën se si hapësira do të kishte një arkitekturë bashkëkohore dhe se si ajo do të ishte një hapësirë që i fton qytetarët të futen brenda.

“Kemi provuar të krijojmë, le të themi, fabrikën më racionale dhe efiçiente të interpretimeve. Pastaj, për të qenë atraktive për publikun, e kemi lënë ndërtesën të hapur nga të gjitha anët, që të jetë ftuese. Zgjedhja arkitekturore bazohet në xhubletën. Në njërën anë është ndërtesë racionale e krijimit të interpretimeve, e në tjetrën një ndërtesë që fton qytetarët të hyjnë brenda”, kishte thënë ai. Projekti dukej madhështor. Njësoj duket edhe në renderët e rinj. Njëkohësisht, është shumë i vështirë për t’u implementuar në rrethanat e Kosovës, duke pasur parasysh tentimet për të pasur ndërtesa publike reprezentative.

Nëpërmjet “Facebook”-ut, projektin e kishte promovuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas tij, pas 50 vjetësh, shtëpia e re e institucioneve qendrore të arteve muzikore dhe skenike do t’i ofrojë Prishtinës një ikonë të munguar të arkitekturës bashkëkohore, duke e vendosur atë në lartësinë e hartës botërore të kulturës.

“Vlera e projektit për Teatrin e Operës dhe Baletit është 2 milionë e 450 mijë euro dhe do të përfundojë për 15 muaj, ndërsa zbatimi fillon në vitin 2026”, kishte shkruar Kurti.

Paraprakisht, më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar, por procesi nuk pati epilog. Para kësaj, më 2 dhjetor të vitit 2009, ishte vënë gurthemeli për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emrin: Teatri i Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.