Kulturë

Shteti heq dorë nga lokacioni për teatrin e operës, artistët injorohen

Mbi një dekadë e humbur kot, “djegia” e mbi një milion eurove në hapje themelesh e projektim, përplasje midis institucioneve qendrore e lokale, konkurse ndërkombëtare, anulim konkursesh e projektesh, akuza, debate e tryeza... janë historia e projektit për ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit “Dr.Ibrahim Rugova”. Epilogu është dështimi. Tash për teatër opere e baleti s’ka as lokacion. Komuna e Prishtinës e ka zyrtarizuar që në hapësirën afër Fakultetit Teknik, që dikur u destinua për këtë projekt, të ndërtohet objekt universitar. Ministria e Kulturës është pajtuar pa u marrë vesh për tjetër vend. Një konkurs ndërkombëtar për projekt ideor të teatrit të operës dhe baletit do të anulohet. Artistët, për të cilët do të ndërtohej ky objekt, as që janë pyetur e as informuar për dështimin e radhës të këtij projekti

Në kushte normale, Filharmonia e Kosovës dhe Baleti Kombëtar i Kosovës, do të numëronin disa vjet duke ushtruar e interpretuar në ambiente që do t’i plotësonin kërkesat e tyre. Por, pas më shumë më shumë se një dekade pritjeje për ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit “Dr.Ibrahim Rugova”, këto institucione nuk e dinë se as ku planifikohet të zë vend objekti që më nuk ekziston as në letër.

Fiks 11 vjet pas gurit themeltar të vendosur afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, është “varrosur” synimi që aty do të ketë një ndërtesë për institucione kulturore. Në atë vend do të ngrihet një kampus i ri universitar, pavarësisht se mbi një milion euro janë shpenzuar për hapje themelesh për teatër opere e baleti.

Komuna e Prishtinës e ka vulosur përfundimisht nismën e vet për një kampus universitar te Fakulteti Teknik. Këtë e ka bërë duke e votuar së fundmi në Kuvendin Komunal “Planin rregullues të hollësishëm për zonën e Fakultetit Teknik, në lagjen ‘Bregu i Diellit’ ”. Pritet që aty të zërë vend objekti i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore e i atij Ekonomik. Kjo nismë ishte ngjallur qysh në vitin 2019. E menaxhmenti aktual i Ministrisë së Kulturës është pajtuar me planet e Komunës. Menaxhmentet e kaluara kishin të tjera plane.

Nga investimi në dështim kapital

Ministria e Kulturës me shkresat e qershorit të vitit 2018 dhe të tetorit të vitit 2019 kishte njoftuar Komunën për procedurat që po zhvillonte për një projekt të ri për lokacionin e vjetër. Ky institucion bazohej në vendimin e vitit 2006, kur Komuna e Prishtinës kishte përcaktuar se parcela në lagjen “Bregu i Diellit” do të jetë vendi i teatrit të operës dhe baletit. Prej atëherë Qeveria kishte shpenzuar goxha për të çuar përpara kërkesën e kamotshme të artistëve.

I pari projekt i hartuar afro 15 vjet më parë, ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes tjerash edhe me një program artistik, ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr.Ibrahim Rugova”. Pas krejt pak punimeve, puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.

Projekti ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.

Nga ajo kohë e deri më sot, nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, në vjeshtën e vitit 2018, autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve.

Në vjeshtën e vitit 2018 do të dilte në pah synimi për plane komunale sa i përket asaj hapësire. Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” dhe Komuna e Prishtinës kishin nxjerrë në publik projektin e hollësishëm për atë zonë. Pas diskutimeve publike, projekti ishte reviduar.

Në janar të këtij viti Komuna e Prishtinës ishte zmbrapsur të paktën për një kohë të shkurtër nga lënia pa lokacion e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Këtë e kishte bërë Kuvendi Komunal duke shtyrë propozimin e ekzekutivit që do t’i hapte rrugë ndërtimit të një kampusi të ri universitar në hapësirën afër Fakultetit Teknik. Ministria e Kulturës ishte në procesin e rivlerësimit të projekteve për teatër të operës dhe baletit pas konkursit të hapur më 2019. Por, gjërat kanë ndërruar të enjten e javës që shkoi, kur Kuvendi Komunal i dha dritën jeshile planeve të reja.

Me krejt këtë është pajtuar edhe menaxhmenti i MKRS-së. Madje, pa gjetur një tjetër lokacion për teatrin e operës dhe baletit.

Odiseja deri te tërheqja nga lokacioni

Në pyetjen se a ka hequr dorë MKRS-ja nga lokacioni që u përcaktua qysh prej vitit 2006 për ndërtimin e teatrit të perës, Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, është përgjigjur prerazi. “Po”, ka thënë ajo. “Në vitet e kaluara MKRS-ja dhe Komuna e Prishtinës kanë zhvilluar dy procese paralele, të pakoordinuara për parcelën në fjalë, garën e dytë ndërkombëtare për teatrin e operës dhe baletit dhe planin e hollësishëm për ndërtimin e një fakulteti nga UP-ja”, shkruhet në përgjigje.

Sipas Fetiut, gjithashtu parcela e planifikuar për ndërtim të TOB-it gjendet në lagje me funksion primar banimin, me aktivitete të pakta ekonomike, si dhe funksionet ndërlidhëse me edukimin, përfshirë fakultetin dhe konviktet.

“Kemi drojë se ky lokacion minimizon ndikimin e investimit në hapësirën rrethuese, ose ndikon negativisht në dinamikën urbane të lagjes. Për më tepër, nuk ekziston një studim i fizibilitetit që dëshmon se ky lokacion është i përshtatshëm. Në anën tjetër, është projekti i fakultetit, që siguron rrjedhshmëri të funksioneve urbane duke u ndërlidhur me konviktet dhe FN-në. Për këtë arsye, MKRS-ja ka hequr dorë, duke krijuar kushtet që MA/UP të përfitojë nga fondet IPA dhe të realizohet projekti”, shkruhet në përgjigje.

Fetiu ka sqaruar se në kuadër të programit qeverisës, parashihet një numër i konsiderueshëm i ndërtesave kulturore e sportive. Sipas saj, për të përcaktuar lokacionet, MKRS-ja planifikon të zhvillojë një studim të fizibilitetit, i cili do të informojë vendimmarrjen për të bërë zgjedhje adekuate që kontribuojnë në ringjalljen e zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë lokale.

Në janar të këtij viti, MKRS-ja u ishte kthyer vlerësimeve të projekteve për teatrin e operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pa e pasur të qartë se ku do të jetë lokacioni ku mendohej të zërë vend ndërtesa dhe duke qenë Qeveri në detyrë, ekzekutivi synonte që të rizgjedhë projektin ideor të investimit, por edhe të dështimit më të madh kapital në kulturë.

Ministria e Kulturës kishte ndërruar shumicën e anëtarëve të Komisionit vlerësues. Synonte që të përzgjidhte një nga katër projektet që ishin në garë. Vitin e kaluar qe zgjedhur njëri prej tyre. Por, pas një ankese në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, procesi qe kthyer në rivlerësim. Tash krejt projektet për atë lokacion do të bien në ujë.

“Duke qenë se Komuna tanimë ka miratuar Planin Hapësinor për atë lokacion, i cili ka karakter obligativ, ne, si MKRS, do të ndërmarrim hapat e nevojshëm për anulimin e atij procesi siç rregullohet me legjislacionin në fuqi”, shkruhet në përgjigjet e Fetiut.

Muajin e kaluar nëpërmjet një vendimi, Kuvendi i Kosovës ka themeluar Operën e Kosovës. Por, ky institucion është fiktiv. Ekziston veç në letër.

Lënia anash e komunitetit artistik

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se nuk janë në dijeni të asaj se për teatrin e operës dhe baletit nuk ka lokacion.

“Edhe më herët asnjëherë nuk jemi konsultuar. Herën e fundit na janë kërkuar se cilat janë nevojat tona para se të hapej konkursi për projekt ideor. Më pas e kemi parë se kërkesat tona nuk ishin obligative në konkurs”, ka thënë Jashari. Sipas tij, shteti tash e më shumë se një dekadë vetëm ka hyrë në minus duke e menduar atë lokacion si vend për ndërtimin e TOB-it.

“Tash paskemi dalë nga minusi e qenkemi në zero pozitiv”, ka thënë ai.

Ka thënë se ka shpresë që gjërat të nisin nga fillimi e me tjetër qasje e shpejtësi.

“Duhet të konsultohen institucionet ekzistuese. Filharmonia ekziston qe 20 vjet dhe nuk ka objekt. Tash kemi të themeluar edhe Operën. Pyetja është ku mbetet Filhmarmonia? A do të kemi një objekt të përbashkët apo të jemi të ndarë?”, ka thënë ai.

Solisti i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, në dhjetorin e vitit 2009 kishte interpretuar në ceremoninë për vënien e gurit themeltar të TOB-it, në atë që me dërrasë ishte improvizuar si skenë. Për më shumë se një dekadë ka ngritur zërin që aty të ndërtohet objekti. Bile, në fillim të këtij viti, si në shenjë proteste, kishte bërë piruete pikërisht në “livadhin” afër Fakultetit Teknik.

“Mendoj që asnjëra qeveri deri tash, për fat të keq, nuk e ka parë të arsyeshëm ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit. Situata ekonomike si pasoje e pandemisë, besoj që e ka renditur edhe më poshtë këtë objekt sa i përket listës së prioriteteve. Personalisht, mendoj që pa ndonjë ndihmë nga jashtë, në forme të një donacioni, projekti i teatrit të operës dhe baletit, do të sorollatet nëpër zyra të Ministrisë edhe Komunës edhe për një kohë të gjatë”, ka thënë ai. Ka shtuar se ka shpresuar që do të ketë lëvizje konkrete në këtë drejtim nga qeveria e tanishme, sepse TOB-in e kanë pasur edhe në programin qeverisës.

“Me e ndërtu këtë objekt nuk është kurrë vonë. Duhet vetëm kurajë dhe gjykime më të rafinuara në raport me përfitimet që i kemi si shoqëri nga kultura dhe tempujt e kulturës”, ka thënë ai.

Ministria e Kulturës nuk ka ndonjë afat se kur do të nisë të shikojë lokacionet e mundshme për këtë ndërtesë. Filharmonisë i ngelet Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, e Baletit - skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Bashkë me historinë mbi një dekadëshe të dështimit kapital për infrastrukturën kulturore.