Më 14 shkurt, 2021 (Koha Ditore) dhe më 15 maj 2022 (Bota Sot), kam shkruar në mjetet e informimit publik (këto shkrime, ua kam dërguar edhe kompetentëve) lidhur më Teatrin e Operës dhe Baletit në Prishtinë, këtë ndërtesë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe kulturën e saj.
Mjerisht, për këto shkrime – edhe pse kam pritur reagime nga njerëzit kompetentë të kulturës dhe atyre të Komunës së Prishtinës – nuk ka pasur (aq sa jam në dijeni).
Sot, duke u mbështetur në Statutin e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, kodin moral të arkitektëve dhe natyrisht në Kushtetutën tonë, mendoj se kam të drejtë, detyrë dhe obligim që edhe një herë publikisht të reagoj lidhur me lokacionin e ri, të aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, në bazë të kërkesës së Ministrisë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pra, këtë vendim të Komunës e konsideroj jo vetëm presedan por të gabuar. Përse?
Sepse, vendimit në fjalë është dashur t’i paraprijë një debat i gjerë publik, tek e fundit, kështu ndodh në çdo vend kur bëhet fjalë për ndërtesë me rëndësi nacionale.
Lokacioni i aprovuar është prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve pra prapa një objekti që ka dimensione grandioze si rezultat i vetë destinimit të tij. Ndërtesa mund të shihet, vetëm kur të jesh shumë afër saj. Kjo ndërtesë lyp një shesh ose vend prej ku shihet, e jo vend të fshehur siç është rasti me këtë lokacion. Aty tani ndodhet një parking i përkohshëm publik, pasi kompleksi akoma nuk është përfunduar.
Sipas zgjidhjes urbanistike-arkitektonike të aprovuar me konkursin e viteve ‘70, aty është planifikuar të ndërtohet edhe pishina e mbyllur olimpike, pishinat e hapura, terrenet sportive dhe pasarela për këmbësorë si lidhje e logjkshme me lagjen “Arbëria”. Pse duhet të ndërrohet ky projekt? Për këto objekte (sa e di ekziston dokumentacioni teknik – projektet). Pra tërë hapësira është e definuar dhe miratuar si tërësi në aspektin programor, funksional, urbanistik dhe arkitektonik. Besoj se ky fakt është i ditur. Aprovimi i ri për lokacionin e kësaj ndërtese nga Kuvendi i Prishtinës mendoj se shkel rëndë edhe të drejtën e autorit të garantuar me ligj pra, Komuna mbi një projekt të aprovuar më herët – vendos për objekt tjetër. Nuk mund ta kuptoj arsyen e këtij vendimi.
Mendoj se çfarëdo ndryshimi i projektit të miratuar për këtë kompleks, përveç tjerash, dëmton rëndë këtë tërësi funksionale. Ndërhyrja për ndryshim është e papranueshme, sidomos profesionalisht.
Në shkrimet e mia, pa kurrfarë interesi personal, por për interes shtetëror, publik e profesional, jam munduar që me argumente profesionale të kontribuoj pak.
Ky objekt do t’u shërbejë shumë gjeneratave. Ai nuk guxon të lidhet me asnjë mandat zgjedhor. Për këtë çështje, e përsëris, duhet organizuar debat publik – para çdo vendimi.
Kam pritur që Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës apo dikush tjetër nga jeta kulturore ta shprehë mendimin e vet për këtë lokacion e ndërtesë me rëndësi të madhe për të gjithë ne. Sa e di, kjo nuk ka ndodhur.
Edhe më këtë rast (si herën e parë me 14 shkurt 2021, në Koha Ditore) do ta citoj ndërtuesin e lashtë të Pekinit, Kublaj Kan, i cili në shekullin XIII thotë:
“Për të ndërtuar mirë duhet të fillojmë me ndërtimin e konceptit të mirë”.
Kam përshtypjen se ky koncept i mirë, ka munguar që prej vitit 2006 kur flitet e shkruhet për këtë ndërtesë. Ky problem, mendoj se duhet trajtuar me shumë kujdes e profesionalizëm. Kjo punë nuk mund t’i lihet vetëm një rrethi të ngushtë.
Ndërtesa e Teatrit të Operës dhe Baletit, në çdo shoqëri ka vend të rëndësishëm, kështu duhet të jetë edhe të ne në Kosovë. Nuk shoh asnjë arsye që të jetë ndryshe.
Për fat të mirë, mendoj se kemi kuadro të dëshmuara që mund të merren më këtë problem, por atyre duhet dhënë mundësinë.
Përzgjedhjes së lokacionit duhet t’i paraprijnë shumë analiza të nevojshme urbanistike, programore e të tjera.
Lokacioni i miratuar nuk është adekuat dhe sipas bindjes sime, duhet ndërprerë çdo aktivitet tjetër që lidhet me këtë lokacion dhe këtë projekt. Edhe profesionistët duhet ta thonë fjalën e vet. Kjo ndërtesë, pa dyshim për nga karakteri dhe rëndësia duhet të jetë në qendër të Prishtinës, por natyrisht është e ditur se duhet siguruar mjete financiare edhe për shpronësim, e jo të merret vendim që të vendoset në një lokacion, pra kompleks me destinim krejtësisht tjetër, vetëm se momentalisht është parking. E dihet mirë destinimi i tij. Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, jam i bindur se i kanë të gjitha informatat e nevojshme për këtë kompleks dhe këtë lokacion. Ky fakt, mendoj se nuk bën dhe nuk duhet të harrohet nga kompetentët, para çdo vendimi.
Prishtinë, korrik, 2022
Autori është arkitekt