Kulturë

Teatri i Operës dhe Baletit me konkursin e katërt për projektim në 16 vjet

Me historinë e dështimeve e milionave të humbur kot, Teatri i Operës dhe Baletit sërish pret projektimin. Ministria e Kulturës ka hapur konkurs ndërkombëtar që synon ta gjejë projektuesin dhe ky institucion ka përvojë në procedura të tilla. Më 2009 nisi konkretizimi i projektit që u pagua gjysmë milioni, po aq u shpenzuan në gur themeltar te Fakulteti Teknik dhe krejt projekti u shpall i pavlefshëm. Një dekadë më vonë u hapën dy konkurse, komisionet morën në shqyrtim projekte ndërkohë u ndërrua lokacioni, për te parkingu afër Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, dhe së paku në projekt i mungon emri i teatrit, “Dr. Ibrahim Rugova”

Shteti ia ka mësyrë që për herë të katërt prej pasluftës të dizajnojë ndërtesën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Konkursi ndërkombëtar bën thirrje që të realizohet projekti ideor e më pas edhe ai i detajuar. Ky tentim vjen pas konkursit të afro 16 vjetëve më parë, gurit themeltar të vitit 2009 dhe dy konkurseve të vitit 2019.

Në konkursin e ri titullohet “Zhvillimi i dokumentacionit teknik - projektit ideor dhe të hollësishëm të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e ‘Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës’ në Prishtinë, në Republikën e Kosovës”.

Me këtë veprim, pas ndërrimit të lokacionit, është bërë edhe një hap që mbyll historinë e shpenzimit të më shumë se një milion eurove, të cilat kanë shkuar huq për një projekt e gurin themeltar.

Ministria e Kulturës ka planifikuar që ky konkurs të rrumbullakohet me kosto prej 2.5 milionë eurosh. Kaq janë paraparë në Projektligjin e buxhetit të vitit 2023. Në buxhetin e këtij viti qenë paraparë 200 mijë euro.

Vendi i parë do të shpërblehet me kontratë, kurse i dyti me 30 mijë euro, ndërsa i treti me 20 mijë euro. Sipas konkursit, vendi i parë do të marrë edhe shërbimet për fazën e mëtutjeshme “të projektimit, përkatësisht të zhvillimit të projektit të hollësishëm të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e ‘Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës’”.

Aktualisht Ministria e Kulturës këtë proces e ka nisur vetëm bazuar në fondet qeveritare. Por, sipas MKRS-së, gjërat mund të ndërrojnë.

“Si MKRS jemi të angazhuar maksimalisht në mobilizimin dhe sigurimin e fondeve me të gjithë partnerët tanë”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së lidhur me këtë projekt.

Më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar. Në qershorin e atij viti do ta hapte konkursin, i cili ishte anuluar më 8 korrik me arsyetimin se konkurruesit kishin probleme në dërgimin e dokumentacionit në formë elektronike. Prej 11 deri më 27 korrik të po atij viti qe hapur konkursi i radhës në të cilin ofertat e tyre i paraqitën katër kompani të huaja, tri prej të cilave u morën në shqyrtim. Komisioni nisi punën, por procesi nuk pati epilog.

Institucionet si Baleti Kombëtar i Kosovës ka kohë që presin ndërtimin e këtij objekti.

Drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, ka thënë se kanë pasur disa takime me zyrtarët e Ministrisë së Kulturës para se të hapej konkursi.

“I kam pasur disa takime rreth kësaj çështjeje, ku i kam shprehur nevojat tona si institucion”, ka thënë ai. Ka treguar se sa më shpejt që të ndërtohet objekti, aq më mirë për institucionet që do ta shfrytëzojnë.

“Po shpresoj që do të ecë me hapa të shpejtë e të përfundojë Teatri sa më shpejt”, ka thënë Kajtazi, i cili më 2 dhjetor të 2009-s bashkë me kolegen e tij, Vjollca Llugiqi, në platformën si skenë e improvizuar te Fakulteti Teknik, do të performonin në ceremoninë kur u vendos guri themeltar për teatrin e operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.

Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se nuk ka dijeni për hapje të konkursit ndërkombëtar. Por, këtë e ka arsyetuar me faktin se ndërtesa projektohet për institucione të tjera.

“Nuk është e thënë se nuk do të kontaktohemi më vonë, por nuk çuditemi edhe nëse nuk kontaktohemi, pasi jemi institucione të ndara me Operën”, ka thënë Jashari.

Kuvendi i Kosovës në gushtin e vjetshëm themeloi institucionin e Operës, i cili ende mbetet në konsolidim përderisa një objekt për të është ende larg.

“Unë jam i gatshëm të jap kontribut për këtë temë pasi kam qenë në komisione të mëhershme pasi është diskutuar për këtë çështje”, ka thënë Jashari.

Në prill të këtij viti shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për Teatrin e Operës dhe të Baletit. Me këtë i kishin hapur rrugë rinisjes së procesit krejt të ri për investimin më të madh kapital që shteti e synon në infrastrukturën kulturore. Disa prej këtyre asamblistëve kishin qenë në shkollë fillore kur më 2004 ish-asamblistët kishin ndarë lokacionin afër Fakultetit Teknik që të ndërtohej teatri i operës dhe baletit “dr. Ibrahim Rugova”.

“Teatri i Operës dhe Baletit e ka pozicionimin e vet. Është hapësirë e madhe 2.2 hektarë dhe pjesa tjetër është multifunksionale. Ne kemi biseduar për bashkinvestim me MKRS-në për ta çuar projektin përpara”, kishte thënë atë ditë për KOHËN kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Historia e Teatrit të Operës dhe Baletit është një seri e vjetër dështimesh.

Ministria e Kulturës me shkresat e qershorit të vitit 2018 dhe të tetorit të vitit 2019 kishte njoftuar Komunën për procedurat që po zhvillonte për një projekt të ri për lokacionin e vjetër afër Fakultetit Teknik. Ky institucion bazohej në vendimin e vitit 2004, kur Komuna e Prishtinës kishte përcaktuar se parcela në lagjen “Kodra e Diellit” do të jetë vendi i Teatrit të Operës dhe Baletit. Prej atëherë Qeveria kishte shpenzuar goxha për të çuar përpara kërkesën e kamotshme të artistëve.

I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman, Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes të tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas krejt pak punimeve puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.

Projekti ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.

Prej asaj kohe deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, në vjeshtën e vitit 2018 autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve.

Në vjeshtën e vitit 2018 do të dilte në pah synimi për plane komunale sa i përket asaj hapësire. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Komuna e Prishtinës kishin nxjerrë në publik projektin e hollësishëm për atë zonë. Pas diskutimeve publike projekti ishte reviduar.

Në janar të vitit 2021, Komuna e Prishtinës ishte zmbrapsur të paktën për një kohë të shkurtër nga lënia pa lokacion e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Këtë e kishte bërë Kuvendi Komunal duke shtyrë propozimin e ekzekutivit që do t’i hapte rrugë ndërtimit të një kampusi të ri universitar në hapësirën afër Fakultetit Teknik. Ministria e Kulturës ishte në procesin e rivlerësimit të projekteve për Teatër të Operës dhe Baletit pas konkursit të hapur më 2019. Por gjërat do të ndërronin në shtator të vitit 2021, kur Kuvendi Komunal ua dha dritën jeshile planeve të reja.

Me krejt ishte pajtuar edhe menaxhmenti i MKRS-së. Madje ende pa gjetur një tjetër lokacion për Teatrin e Operës dhe Baletit, të cilit tash së paku në propozime nuk i figuron emri “Dr. Ibrahim Rugova”.