Gjykata Themelore në Mitrovicë ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë për të caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj katër zyrtarëve policorë të dyshuar për “manipulim të provave”.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, kundërshtimeve dhe argumenteve të paraqitura nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre, si dhe analizimit të të gjitha shkresave të lëndës, ka vlerësuar se nuk ka nevojë për caktimin e ndonjë mase. Me lënien në liri të të pandehurve, do të arrihet qëllimi i sigurimit të pranisë së tyre në procedurë, dhe kjo nuk do të ndikojë në pengimin apo vonimin e zhvillimit të suksesshëm të çështjes penale. Për këtë arsye, gjykata ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe ka urdhëruar që të pandehurit të lihen në liri, duke theksuar se nuk duhet zbatuar një masë më e rëndë kur është e mjaftueshme një masë më e butë për sigurimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurë”, ka njoftuar Themelorja në Mitrovicë.
Inspektorati Policor i Kosovës më 16 shtator kishte arrestuar katër policë, Q.K., B.M., L.T., dhe F.A, që ishin me detyrë në stacionin policor në Mitrovicën e Jugut për shkak se dyshohen se me një rast më 13 shtator kanë kryer veprën penale “manipulim me prova”.
Sipas njoftimit të IPK-së, katër policët dyshohet se para tre ditësh nuk kanë proceduar me rast penal në një rast të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”, si dhe dyshohet se kanë fshehur si dhe kanë manipuluar me provat e gjetura në vendin e ngjarjes.
“Si pjesë e procedurave administrative IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës - Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Jug edhe suspendimin për katër të dyshuarit të cilët kanë qenë me detyrë në Stacionin Policor në Mitrovicën e Jugut. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim.