Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Komuna i kërkon Ministrisë së Kulturës bashkëpunim për sallën koncertale

Salla Koncertale

Në pranverën e vitit 2024, projekti ideor ishte miratuar me kusht nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Udhëheqja e Komunës kishte planifikuar që në fillim të vitit 2024 të nisnin punimet, por gjërat s’kanë shkuar ashtu. Kostoja e ndërtimit është rritur goxha

Procesi i nisur të paktën tash e tetë vjet, ende ngelet pa vizion se kur do të realizohet projekti më i kërkuar nga komuniteti kulturor në kryeqytet. Tash Komuna e Prishtinës pretendon se Ministria e Kulturës s’është duke u treguar bashkëpunuese. Në mars të këtij viti, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se do të hapë thirrje për ndërtimin e sallës koncertale. Njoftimi është bërë në atë që është faqja elektronike e shpalljes së tenderëve “E-prokurimi”. Kam parë disa e-maila të kryetarit Rama drejtuar Ministrisë së Kulturës. Kërkohet një marrëveshje nga dy institucionet, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës. Marrëveshje, që sa kam parë nga komunikimi, kryetari Rama po e kërkon, por ende s’kemi marrë përgjigje nga Ministria e Kulturës”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Isah Mustafa

Janë bërë gati dy vjet prej kur projekti është miratuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore, tenderimi e nisja e punimeve për sallën koncertale në Prishtinë as që shihet në horizont. Procesi i nisur të paktën tash e tetë vjet ende ngelet pa vizion se kur do të realizohet projekti më i kërkuar nga komuniteti kulturor në kryeqytet. Tash Komuna e Prishtinës pretendon se Ministria e Kulturës s’është duke u treguar bashkëpunuese. 

Në mars të këtij viti, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se do të hapë thirrje për ndërtimin e sallës koncertale. Njoftimi është bërë në atë që është faqja elektronike e shpalljes së tenderëve “E-prokurimi”. “Njoftim paraprak” është hapi i marrë nga Komuna, nëpërmjet të cilit tregohet se pritet të hapet tenderi për projektin me titull “Ndërtimi i sallës koncertale”. Kostoja e parashikuar është tre milionë euro, rreth një e dhjeta e shumës, që sipas projektuesve, do të shpenzohet për implementimin e projektit. Projekti që është i gatshëm prej vjeshtës së vitit 2024, ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” e bën qendër multikulturore “Evropa”, pjesë e së cilës është salla e koncerteve dhe ai që përshkruhet si muze i artit. Ndërtesa aktuale, dikur “Gërmia”, përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të jetë një lloj galerie a muzeu i qytetit. Kurse prapa saj do të marrë formë ndërtesa e re – salla koncertale.

“Kryetari Rama është duke u marrë me këtë projekt. Kam parë disa e-maila të kryetarit Rama drejtuar Ministrisë së Kulturës. Kërkohet një marrëveshje nga dy institucionet, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës. Marrëveshje, që sa kam parë nga komunikimi, kryetari Rama po e kërkon, por ende s’kemi marrë përgjigje nga Ministria e Kulturës”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Isah Mustafa. Ai këtë deklaratë e ka dhënë në mbrëmjen e së martës në emisionin “Express” në KTV. KOHA ka provuar që të marrë një deklaratë të ministres së Kulturës e Turizmit, Saranda Bogujevci, por ka qenë e pamundur. Mustafa ka thënë se salla koncertale është një projekt që të gjithë e presin me padurim. 

“Besoj që në momentin kur nënshkruhet marrëveshja me Ministrinë e Kulturës nis ekzekutim edhe në terren”, ka thënë ai. 

Në janar të vitit 2025, kryetari i Komunës së Prishtinës kishte thënë se janë humbur mjetet me të cilat mendohej të niste puna për implementimin e projektit të hartuar nga studioja e arkitektit japonez, Kengo Kuma, dhe ajo e arkitektit vendor, Bekim Ramku. 

Edhe Komuna e Prishtinës s’ndalet, punime pa leje për treg midis monumenteve Kulturë Komuna e Prishtinës s’ndalet, punime pa leje për treg midis monumenteve

“Projekti është i gatshëm. Kemi pasur zotime nga fondet evropiane IPA për financim deri në 20 milionë. Mirëpo si rezultat i masave të padrejta të vendosura ndaj Republikës së Kosovës, këto fonde janë humbur”, kishte thënë kryetari Rama. Masat janë larguar tërësisht në fillim të këtij viti. 

“Po ashtu jemi duke diskutuar seriozisht me komunitetin evropian që të rishikojmë aspektin e fondeve të IPA-s që ta fusim më 2025-2027 mundësinë që të na e financojnë këtë projekt”, kishte thënë ai. 

Përderisa sivjet me Ligjin mbi ndarjet buxhetore, Ministria e Kulturës nuk ka paraparë asnjë cent për këtë projekt, në buxhetin e Komunës janë paraparë 2.5 milionë euro.

Bashkëprojektuesi, arkitekti, Bekim Ramkum, i cili prej ditës së gjashtë të këtij muaji është emëruar drejtor i Drejtorisë për Planifikim Strategjik në Komunë, kishte treguar se paramasa e bashkëprojektuesve qe mbi 30 milionë euro, kurse tashmë çmimet kanë ndryshuar dhe kostoja duhet të jetë rritur. 

Profesoresha universitare e muzikës që njëherësh bashkorganizon festivalin “Chopin Pisno Fest”, Besa Luzha, në prill kishte thënë se çdo hap dhe investim në drejtim të finalizimit të sallës koncertale është i mirëseardhur. Këtë e ka përsëritur prapë. 

“Fillimisht, shuma e përgjithshme ishte përmendur 15 milionë si investim nga fondet IPA. Për shkak të sanksioneve, puna ka ngecur. Komuna, por edhe Ministria, mund të fillojnë edhe me fonde vetanake, pjesë-pjesë, fazë pas faze, punët e nevojshme sipas projektit. Ne mezi po presim”, ka thënë Luzha.

Edhe Komuna e Prishtinës bindet se s’ka treg pa leje midis monumenteve Kulturë Komuna e Prishtinës bindet se s’ka treg pa leje midis monumenteve

Në pranverën e vitit 2024 projekti ideor ishte miratuar me kusht nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Udhëheqja e Komunës kishte planifikuar që në fillim të vitit 2024 të nisnin punimet, por gjërat s’kanë shkuar ashtu. Kostoja e ndërtimit është rritur goxha. Arsye për këtë është se volumi i krejt kompleksit kap mbi 19 mijë metra katrorë dhe në projektim është përdorur materiali më modern i mundshëm që hapësira të jetë sa më funksionale. 

Versioni i projektit ideor kishte 17 mijë e 226 metra katrorë. Krahas ndërtesës aktuale që shndërrohet në galeri, prapa saj do të jetë ndërtimi i ri, salla koncertale. Kapaciteti pritej të jetë prej 1.200 ulësesh. Një sallë më e vogël e quajtur, auditorium, pritet të ketë 400 ulëse. Por, me uljen e volumit si kërkesë e IKMM-së, hapësirat janë ngushtuar. Do të ketë të paktën tri ambiente komerciale, kafehane e dyqane. Me versionin e fundit, atë të miratuar, salla qendrore prej 1.400 ulëseve do t’i ketë 800, kurse ajo alternative prej 400 ka rënë në 170.

Kontrata midis Komunës së Prishtinës me projektuesit peshon fiks 1.6 milion euro. Prej tyre gjysmën e shumës, 825 mijë euro, do t’i paguante Komuna e gjysmën Ministria e Kulturës në bazë të Memorandumit të nënshkruar midis dy institucioneve në prill të vitit 2023.

Sa i përket sallës koncertale, goxha jehonë kishte bërë publikimi i projektit të ri në fund të gushtit të vitit 2023, kur kryetari Përparim Rama kishte publikuar imazhe të tij gjatë vizitës së tij në Japoni tek arkitekti Kengo Kuma. 

Komuna e Prishtinës e kishte konkretizuar nismën për ndërrim të qasjes në raport me ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Menaxhmenti aktual i Komunës kishte hequr dorë nga shndërrimi i monumentit në sallë koncertale. Projekti i dyshes Kuma-Ramku për transformimin e ndërtesës, që gjendet në qendër të Prishtinës, ishte shpallur fitues në pranverën e vitit 2021. Por, ai plan ideor tashmë do të mbetet veç pjesë e historisë.

Se Komuna do të ketë qasje të re, kjo qe paralajmëruar qysh në mars të vitit 2023, kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte pritur në takim arkitektin japonez, Kengo Kuma. Në ditën e 12-të të marsit të atij viti, Rama ia kishte bërë me dije Kumas se ndërtesën aktuale nuk do ta përdornin për sallë koncertesh, por do të jetë lloj galerie a muzeu, e aty tash është “Reporting House”. Kishte kërkuar që salla të projektohet prapa ndërtesës aktuale. Ashtu edhe është vepruar. 

Edhe Instituti miraton me kushte projektin ideor për tregun në Prishtinë Kulturë Instituti miraton me kushte projektin ideor për tregun në Prishtinë

Projekti fillestar i dyshes, Kuma e Ramku, ishte përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare nëpërmjet konkursit publik nga Komuna e Prishtinës më 2021. 

Projekti i përzgjedhur llogaritej të kushtonte rreth 12 milionë euro që të zbatohej. Komuna e Prishtinës vazhdimisht ka llogaritur edhe në përkrahje të fondeve të Bashkimit Evropian. Në vitin 2019 kishte humbur mundësinë e një fondi prej 12 milionë eurosh për këtë sallë në mungesë lokacioni e projekti.
Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.
Nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale. Me projektin final është vulosur që ajo të bëhet galeri a muze e prapa saj salla e shumëpritur koncertale.