Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama ironizon me Bogujevcin për Teatrin e Operës dhe Baletit: Tash nuk paska trashëgimi kulturore

Perparim Rama Saranda Bogujevci Teatri i Operas

Foto-Ilustrim

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka njoftuar për ecurinë e projektit të Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërsa një ditë më vonë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar me ironi duke thënë se “tash nuk paska trashëgimi kulturore” në hapësirën ku parashihet të ndërtohet teatri.

Në një shkrim në Facebook të martën mbrëma, Bogujevci ka bërë të ditur se projekti është hartuar nga studioja daneze BIG, e udhëhequr nga arkitekti Bjarke Ingels. Sipas saj, projekti parasheh katër salla për shfaqje dhe performanca artistike, hapësira për prova dhe përgatitje të artistëve, si dhe ambiente për edukim, konferenca dhe aktivitete publike.

Ajo ka thënë se projekti kryesor është drejt finalizimit dhe se, pas përfundimit të projektit zbatues, Ministria do të nisë procedurat e prokurimit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ndonëse më herët ishte premtuar se punimet do të nisnin në fund të këtij viti.

“Sot u njoftuam nga ekipi projektues për ecurinë e projektit të Teatrit të Operës dhe Baletit, një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore për kulturën në Kosovë, që do të ndikojë në zhvillimin e institucioneve tona të arteve muzikore dhe skenike për dekadat që vijnë. Kosova po bën hapa konkretë drejt krijimit të një shtëpie të re për institucionet kulturore skenike dhe artistët skenikë”, ka shkruar Bogujevci.

Pas njoftimit të Bogujevcit ka reaguar Rama sot në mëngjes, i cili me ironi ka shkruar: “Tash nuk paska trashëgimi kulturore!”.

Rama i është referuar përplasjes së mëhershme lidhur me projektin “Ishulli Urban”, punimet për të cilin janë bllokuar në hapësirën ku parashihet të ndërtohet edhe Teatri i Operës dhe Baletit.

“A nuk ka trashëgimi kulturore tash aty ku po e bllokoni ‘Ishullin Urban’, projekt që lidh 30.000 banorë me qendrën? Apo nuk përbën problem, kur ju duhet me paraqit një projekt kuturu, veç sa me thënë se po bëni diçka, pas vdekjes klinike të institucioneve kulturore prej se keni ardhë në pushtet?”, ka shkruar Rama.

Ai ka kritikuar Ministrinë e Kulturës edhe për gjendjen e institucioneve kulturore, duke përmendur mbylljen e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës.

“Teatri Kombëtar i Kosovës 5 vjet i mbyllur. Muzeu Kombëtar i Kosovës 5 vjet i mbyllur. E tash, propozim për Operën!”, ka shkruar ai.

Sipas Ramës, projekti i Operës dhe Baletit është propozuar pa bashkëpunim, koordinim dhe planifikim të përbashkët me Komunën e Prishtinës. Ai ka thënë se shqetësimi i tij nuk lidhet me përplasjen e projekteve, por me rrezikun që, sipas tij, qytetarët të mbesin pa një objekt të tillë.

“Prandaj, ejani të bashkëpunojmë që Opera potencialisht të bëhet. Ne jemi të gatshëm ta ndajmë hapësirën, t’i angazhojmë ekspertët më të mirë që kemi dhe t’ju ndihmojmë të koordinohemi në çdo hap. Që në fund të fitojnë qytetarët dhe artistët ta kenë shtëpinë që e meritojnë”, ka shkruar Rama.

Ndërtimi i “Ishullit Urban”, i cili synon të lidhë lagjen “Arbëria” me Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, është bllokuar për më shumë se dy vjet. Shkak është bërë përfshirja e hapësirës në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Ndërkohë, parcelat që preken nga projekti i “Ishullit Urban” janë ndarë nga vetë Komuna e Prishtinës për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit që në vitin 2022.

Ish-asamblisti i VV-së: Rama po viktimizohet, vetë i ndau parcelat për ndërtimin e Teatrit të Operës

5 min. më parë / 11 nën 2026 12:57
Petrit Reçica

Ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Petrit Reçica, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, lidhur me lokacionin prapa Pallatit të Rinisë, ku është planifikuar ndërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit.

Reçica ka thënë se Rama po viktimizohet dhe po e paraqet të pavërtetë çështjen e ndarjes së kësaj parcele. Sipas tij, në vitin 2022, kur ishte anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës, me propozim të vetë Ramës dhe pa kundërshtime nga partitë apo anëtarët e tjerë të Kuvendit, ishte votuar që kjo parcelë t’i ndahej Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Në një reagim në Facebook, Reçica ka thënë se për arsye shëndetësore ishte tërhequr nga komentimi i çështjeve publike, por se deklarimet e Ramës e kanë shtyrë të reagojë.

“Po kryetari Rama din me t’i nxjerrë fjalët me dana, me të pavërtetat që është në gjendje me i thënë. Sot paska dalë e e paska bërë atë që e bën zakonisht, viktimizohet e e thotë të pavërtetën për lokacionin/parcelën mbrapa Pallatit të Rinisë”, ka shkruar ai, duke bashkangjitur edhe dokumentin e vendimit.

May be an image of text
Dokumenti i publikuar nga Reçica

Ai ka ironizuar në fund me problemin me bërllok në Prishtinë.

“Kryetar, aman qeta berllok mujsh hekna!”, ka shkruar Reçica.

Gjatë ditës së sotme, Rama reagoi ndaj ministres së Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e cila njoftoi për ecurinë e projektit të ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Rama ironizoi me këtë njoftim, duke thënë se “tash nuk paska trashëgimi kulturore” në hapësirën ku parashihet të ndërtohet teatri. Në atë hapësirë gjithashtu është projektuar ndërtimi i “Ishullit Urban” nga Komuna e Prishtinës, projekt për të cilin punimet janë pezulluar prej dy vjetësh, pasi vendi ku parashihet realizimi i tij është përfshirë në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Projekti synon të lidhë lagjen “Arbëria” me Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.