Një ekspozitë e re e artistit konceptual italian provokues, Maurizio Cattelan, është hapur në Berlin. Cattelan, i njohur më së shumti për veprat e kuajve të varur, bananet e ngjitura me shirit ngjitës dhe tualetet prej ari, sjell një vështrim të zymtë mbi botën moderne. Trajton autoritetin, diktaturën, keqpërdorimin e pushtetit, vdekjen, besimin dhe dyshimin
Artisti konceptual italian, Maurizio Cattelan, i njohur për veprat e tij satirike, pozon për fotografët përpara galerisë “Neue Nationalgalerie” në Berlin, në hapje të ekspozitës së tij të re. Më pas shihet teksa tregon drejt çatisë, ku një skulpturë mekanike e një djali që i bie daulles mbi çati i referohet veprës së Günter Grassit, “The Tin Drum” (Daullja prej teneqeje) dhe mund të interpretohet si një paralajmërim ose si thirrje për t’u zgjuar nga gjumi.
Ekspozita quhet “Night” (Nata) dhe trajton autoritetin, diktaturën, keqpërdorimin e pushtetit, vdekjen, besimin dhe dyshimin. Brenda saj vizitori përballet me atë që në pamje të parë duket si një skulpturë e një djali të gjunjëzuar. Por, po ta shikosh më nga afër, figura ka fytyrën e Adolf Hitlerit.
Kuratorja e ekspozitës, Lisa Botti, thotë se vepra “Him”, e krijuar në vitin 2001, mbetet aktuale edhe sot.
“Skulptura është në fakt e vitit 2001, pra nuk është një vepër e kohëve të fundit, por fatkeqësisht mbetet aktuale edhe në kohën tonë. Dhe kur ai e krijoi 20 vjet më parë donte ta bënte të dukshme të keqen absolute, ndaj zgjodhi këtë skulpturë”, ka thënë ajo.

Skulptura e Hitlerit të gjunjëzuar u shit për një rekord prej 17.2 milionë dollarësh në vitin 2016. Skulptura përfaqëson të keqen absolute, ndërsa mbetet e paqartë nëse Hitleri po lutet për falje, shton ajo: “Ajo që admiroj te kjo skulpturë është se i afrohesh dhe sheh një djalë të vogël duke u lutur. Pastaj kthehesh dhe papritur sheh fytyrën e një burri të rritur dhe ai është Adolf Hitleri. Por nuk e di vërtet nëse ai po lutet për falje apo jo. Mbetet mes këtyre dy mundësive. Dhe pikërisht kjo i jep asaj fuqinë për të të tronditur, por pa të dhënë një përgjigje të sigurt”.
Në një tjetër ambient të galerisë, vizitorët kalojnë përmes një versioni të zvogëluar të Portës së Brandenburgut, të titulluar “Purgatori”, ndërsa dhjetëra pëllumba të balsamosur i vështrojnë nga tavani i muzeut. Cattelan i ka përdorur pëllumbat edhe më parë në artin e tij, në vitin 1997 në Bienalen e Venecias, dhe përsëri në vitin 2016 në Monnaie de Paris.

Një tjetër vepër, “Novecento”, paraqet kalin e rraskapitur të varur nga tavani. Ai është një emblemë e shekullit të 20-të, që pasqyron ngritjen dhe rënien e fashizmit, pushtetit dhe autoritetit.
“Mund të thuash se është një simbol i shekullit të 20-të, sepse ishte shekulli i ngritjes së fashizmit, i pushtetit dhe autoritetit, dhe më pas i rënies së tyre. Pra, nga njëra anë, është edhe një referencë ndaj artit; kuajt kanë qenë gjithmonë simbol i fisnikërisë, ushtrisë dhe fitores. I shohim nëpër qytete kudo. I shohim në piktura. Por këtu është e kundërta. Është i dobët. Është i rraskapitur”, ka shpjeguar Botti.
Cattelan është cilësuar në mënyra të ndryshme si një artist që synon të tronditë dhe si “djali i keq” i artit bashkëkohor, një artist i vështirë për t’u kuptuar dhe për t’u përcaktuar qartë.

Kujtojmë se një vepër e artit konceptual të Cattelanit, e titulluar “Comedian”, që përbëhet nga një banane e thjeshtë e ngjitur në mur me shirit ngjitës, u shit për 6.2 milionë dollarë në një ankand në New York në vitin 2024. Një tualet prej ari i krijuar nga Cattelan u vodh në vitin 2019 nga një pallat në Angli. Vepra satirike, e titulluar “America”, tallej me pasurinë e tepruar. Ajo peshonte pak më shumë se 98 kilogramë. Në atë kohë, vlera e arit ishte 3.6 milionë dollarë, ndërsa vepra prej ari 18-karatësh ishte e siguruar për më shumë se 6 milionë dollarë. Vepra ishte ekspozuar më parë në Muzeun “Guggenheim” në New York.
Sipas kuratores Botti, artisti provokues italian ka zgjedhur ta titullojë ekspozitën e re, “Nata”, sepse është një kohë kur njeriu ndalet për të reflektuar, për të menduar, për të bërë një pauzë, por është gjithashtu një kohë festimi dhe gjithashtu garanton se pas saj do të vijë mëngjesi.