Vendlindja e gjeniut të muzikës, Mozart po e shënon 270-vjetorin e lindjes së tij me një vepër të pazakonshme. Salzburgu është zbukuruar me 300 statuja të arta. Disa prej skulpturave me lartësi prej 50 centimetrash tashmë janë vjedhur. “Nuk doja të krijoja një monument për Mozartin. Ka tashmë mjaft të tillë. Doja të tregoja anën e tij njerëzore, faktin se ai ishte një njeri i zakonshëm, pavarësisht gjenialitetit të tij”, ka thënë artisti konceptual, Ottmar Hörl
Njihuni me Mozartin dhe qenin e tij të preferuar, Pimperl. Në fakt, 300 statuja të arta të kompozitorit zbukurojnë kopshtin e fondacionit “Mozarteum” në Salzburg, në kuadër të kremtimit të 270-vjetorit të lindjes së kompozitorit.
Statujat, të projektuara nga artisti gjerman i artit konceptual, Ottmar Hörl, janë më pak se një metër të larta.
“Nuk doja të krijoja një monument për Mozartin. Ka tashmë mjaft të tillë. Doja të tregoja anën e tij njerëzore, faktin se ai ishte një njeri i zakonshëm, pavarësisht gjenialitetit të tij. Ai i donte qentë dhe familja e tij shëtiste këtu, në kopshtet ‘Mirabell’, gjë që tregon se bënin një jetë normale”, ka thënë Hörl.
Për t’u dhënë statujave një prekje më njerëzore, Hörl e ka paraqitur Mozartin së bashku me qenin e tij të preferuar, Pimperl. Mozarti dhe familja e tij njiheshin për shëtitjet e gjata me qentë e tyre në kopshtet “Mirabell”, pranë vendbanimit të tyre.
Mini-Mozartët nuk gjenden vetëm në kopshte, por edhe në ish-banesën e Mozartit, si dhe në disa pavijone.
Edhe
Mozarti si frymëzim në kohë krizash
Nga 400 statujat e planifikuara fillimisht, aktualisht janë ekspozuar vetëm 300. Pjesa tjetër ruhet si rezervë në rast vjedhjeje.
Për Hörl, vjedhja e veprave të tij artistike nuk është diçka e re.

Në një instalacion në Bayreuth, e gjithë seria e statujave të Wagnerit u vodh brenda vetëm dhjetë ditësh.
“Kjo është natyra e hapësirës publike. Kur punon si artist në një hapësirë publike, nuk duhet të ankohesh për atë që ndodh aty. Mund të përballesh me shkatërrim, por edhe me vjedhje. Kështu është. Hapësira publike nuk është hapësira ime. Unë e përdor për një periudhë të shkurtër dhe më pas largohem. Mund të ndodhë që, edhe para se të përfundojë ekspozita, gjithçka të jetë zhdukur, si në Bayreuth, ku të gjitha statujat e Wagnerit u vodhën brenda dhjetë ditësh”, ka shpjeguar Hörl.
Edhe disa nga statujat e Mozartit tashmë janë zhdukur. Megjithatë, projekti synon të tërheqë një publik më të gjerë dhe t’i afrojë vizitorët me muzikën e Mozartit.
“Është një mënyrë shumë e thjeshtë për t’iu afruar Mozartit. Vjen këtu dhe ndoshta sheh kokat e vogla të arta që shkëlqejnë në diell. Kjo zgjon kureshtjen e njerëzve. Pastaj nis një proces që është shumë i rëndësishëm për ne: të krijojmë kontakt mes njerëzve të rinj dhe Mozartit. Ata fillojnë të kërkojnë informacione, të lexojnë për të dhe ndoshta përjetojnë për herë të parë muzikën e tij, qoftë edhe në një nivel shumë bazik”, ka deklaruar Linus Klumpner nga fondacioni “Mozarteum”, një organizatë jofitimprurëse, fokusi kryesor i së cilës ka qenë jeta dhe vepra e Wolfgang Amadeus Mozartit.
Hörl njihet për skulpturat e tij të realizuara prej polimeri. Në vitin 2010 ai ekspozoi 10 mijë bufë plastikë në Athinë, ndërsa vepra “Homazh për Dürerin” paraqiti kopje gjigante plastike të lepurit të piktorit, Albrecht Dürer, në Muzeun e Artit në Daegu në Korenë e Jugut.
Në vitin 2009, prokuroria gjermane nisi hetime ndaj Hörlit për një seri xhuxhësh dekorativë të artë që bënin përshëndetjen naziste. Akuza ishte përdorimi i simboleve të ndaluara nga Kushtetuta e Gjermanisë. Vetë Hörl deklaroi se veprat ishin një satirë ndaj ideologjisë së epërsisë racore të nazistëve.
Edhe
Skulptura rreth 800-vjeçare e Krishtit, zbulim i pazakontë në Norvegji
Wolfgang Amadeus Mozart lindi më 27 janar 1756 në Salzburg dhe u shqua shumë herët si një fëmijë me talent të jashtëzakonshëm, nën udhëheqjen e babait të tij, Leopold Mozart, një pedagog i njohur. Gjatë jetës së tij ai krijoi më shumë se 800 vepra, duke përfshirë disa nga shembujt më të shquar të pothuajse të gjitha zhanreve muzikore të kohës: simfoni, koncerte, muzikë dhome, opera dhe muzikë korale. Sot ai konsiderohet një nga kompozitorët më të mëdhenj në historinë e muzikës klasike perëndimore.
Statujat e arta të Mozartit do të qëndrojnë të ekspozuara në Salzburg të Austrisë deri më 30 gusht.