Fotografitë ku “personazhe” janë monumentet e Kosovës, vijnë si një thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Autori i tyre – Arben Llapashtica, i njohur jo vetëm si fotograf e kameraman, por edhe si pasionant ndaj trashëgimisë kulturore. Ekspozita me veprat e tij është edhe shëtitje nëpër një pjesë të thesarit të pasur të Kosovës
Secila fotografi ka një monument e rrëfim prapa e të bëra bashkë si tërësi ofrojnë një udhëtim nëpër një pjesë të mozaikut të trashëgimisë kulturore. Me ekspozitë fotografike në oborrin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve është shënuar të premten në Prishtinë, Dita Botërore e Monumenteve dhe Lokaliteteve. Janë foto të realizuara nga fotografi dhe kameramani, Arben Llapashtica. Ekspozita vjen si një thirrje për ndërgjegjësim në mbrojtjen e këtyre monumenteve, por jo vetëm.
Organizuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, kjo ekspozitë është e hapur për publikun deri kah mesi i javës së ardhshme.
“Ekspozita e aseteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme është organizuar për nder të Ditës Botërore të Monumenteve dhe Aseteve, e cila mbahet më 18 prill, mirëpo meqenëse e hëna është ditë feste, ne kemi vendosur ta hapim ekspozitën më herët”, ka thënë Arbresha Kojqini, zyrtare e lartë e trashëgimisë arkitekturale në KKTK, institucioni i cili vendos se cilat monumente hyjnë nën mbrojtje të përhershme. Prej vitit 2016, Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përhershme nuk është pasuruar.

“Për momentin Kosova ka 23 në mbrojtje të përhershme, nëntë janë prej trashëgimisë arkeologjike, ndërsa 14 të tjerat janë nga trashëgimia arkitekturale. Brenda këtij viti do të shpallet vendimi edhe për mbrojtjen e një grupi të aseteve të tjera, të cilat janë propozuar nga Ministria e Kulturës dhe së shpejti Këshilli i Kosovës do të dalë me një vendim”, ka thënë Kojqini.
Kalaja e Novobërdës, Manastiri i Deçanit, Hamami i Gazi Mehmed Pashës, Kalaja e Harilaqit, Kalaja e Korishës janë disa prej “stacioneve” të rrugëtimit me imazhe nëpër trashëgimi kulturore.
Edhe
Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve harrohet në Kosovë
Panot e aseteve që shihen në ekspozitë janë të shoqëruara edhe me nga një tekst përshkrues për secilën veç e veç, ndërsa përshkrimi është bërë në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht.
“Interesimi është i madh, qytetarët e Kosovës kanë njohuri për trashëgiminë kulturore, mirëpo jo edhe aq kur vjen puna te mbrojtja e këtyre monumenteve, e kjo është më e rëndësishmja”, ka thënë Kojqini.
Arben Llapashtica, pos mjeshtërisë në kamerë e fotografi, njihet edhe si pasionant i rrallë ndaj trashëgimisë kulturore. Jo rrallë, subjekt i veprave të tij janë monumentet.
“Këto fotografi janë realizuar në dhjetë vjetët e fundit. Jam i lumtur që në të gjenden disa nga monumentet që unë i vizitoj shpesh, por meqenëse unë vij nga Komuna e Novobërdës dhe Kalaja e Novobërdës, së bashku me disa monumente të tjera, nuk është ende pjesë e mbrojtjes së përhershme. Shpresoj se së shpejti edhe ato të jenë pjesë e saj”, ka thënë Llapashtica, drejtor i fotografisë në Kohavision.
Ka potencuar edhe rëndësinë që këto fotografi kanë në paraqitjen sa më të dinjitetshme të Kosovës.

“Fotografitë e mia i kam dhuruar falas në shumicën e ambasadave nëpër botë. Këtë e kam bërë me qëllim që ta ngreh imazhin e Kosovës. Më herët, nëse nëpër ueb-faqe të ndryshme ke kërkuar diçka për Kosovën atëherë imazhet nuk kanë qenë fort të mira, ndërsa tani, së bashku edhe me shumë fotografë të tjerë, kjo gjë ka ndryshuar për të mirë”, ka thënë Llapashtica.
Edhe
Dita e Monumenteve bashkon fëmijët për njohjen e trashëgimisë kulturore
18 prilli u caktua Dita Botërore e Monumenteve dhe e Lokaliteteve, me propozim të Këshillit Ndërkombëtar të Monumenteve dhe Lokaliteteve, për t’u miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s më 1983.
Tema globale për këtë vit është “Trashëgimia dhe klima”.