Në deklarime publike zyrtarët zotohen në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, e në data kur bota bashkohet në konkretizim të saj, promovim monumentesh e lokalitetesh arkeologjike, institucionet e Kosovës heshtin. Asnjë aktivitet – disa nisma periferike – nuk është organizuar në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, e Ministria e Kulturës e ka uruar atë në rrjete sociale tri orë para mesnatës
Tash më shumë se katër dekada – prej vitit 1983 kur 18 prilli u shpall Ditë Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve e njohur edhe si Dita Botërore e Trashëgimisë Kulturore – bota bëhet bashkë në thirrjet për sensibilizim mbi rolin e monumenteve dhe jo vetëm. Organizohen ngjarje të ndryshme, shpalosen strategji. Por për institucionet e Kosovës, e enjtja ka qenë krejt e zakonshme dhe një ditë si kjo ka kaluar në heshtje.
Krejt në mbrëmje, Ministria e Kulturës – e cila gjatë ditës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS – ka shpërndarë në rrjete sociale urimin e ministrit Hajrulla Çeku shoqëruar me një kolazh videoje për punët e fundit “në restaurimin, promovimin e funksionalizimin e aseteve të trashëgimisë kulturore të vendit”.
Në agjendë s’e ka pasur as Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, dhe të tjerat që operojnë për trashëgimitë kulturore. Ndërkaq nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore kanë thënë se 18 prillin e kishin shënuar disa ditë më herët me një aktivitet simbolik.
“Për ditën e sotme nuk kemi organizuar diçka, por e kemi pasur një ekspozitë në Ferizaj me datë 16 dhe Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve e kemi shënuar me atë aktivitet”, është shprehur Argjenda Kojqini, zyrtare e lartë për trashëgimi arkitekturale nga KKTK-ja, duke iu referuar ekspozitës së 83 aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, e hapur në inaugurimin e restaurimit të Shkollës së Parë Shqipe në Ferizaj, e shkrumbuar para një viti.
Nga qendrat rajonale për Trashëgimi Kulturore u kujtua ajo e qytetit të Prizrenit, e cila identifikohet për nga pasuritë e trashëgimisë kulturore. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale iu bë thirrje inkurajuese që të vizitoheshin monumentet dhe muzetë e qytetit.
“QRTK Prizren me rastin e shënimit të 18 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, ju fton të vizitoni monumentet dhe muzetë e qytetit: Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Muzeu Arkeologjik i Rajonit të Prizrenit dhe Hamami i Gazi Mehmet Pashës”, shkruhej në postim teksa njoftohej se hyrja do të jetë falas për këtë ditë.
Bota i fuqizon aktivitetet pikërisht më 18 prill, kur Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s më 1983 kishte aprovuar propozimin e Këshillit Ndërkombëtar për Monumente dhe Lokalitete që kjo datë të shënohet simbolikisht nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, si vizita nëpër monumente e lokalitete, konferenca, artikuj gazetash e tryeza. Këshilli Ndërkombëtar për Monumente dhe Lokalitete (ICOMOS) mbledh ekspertë nga fusha të ndryshme si: antropologë, arkitektë, inxhinierë, gjeografë, arkeologë dhe artistë, me një qëllim të vetëm. Ndërkaq synimi është ruajtja dhe promovimi i ngritjes së sensibilizimit për diversitetin e trashëgimisë kulturore në botë. Këto aktivitete realizohen duke iu referuar temës së paracaktuar e cila është e ndryshme secilën herë. Sivjet tema ka qenë “Disasters & Conflicts Through the Lens of the Venice Charter” (Fatkeqësitë dhe konfliktet nëpërmjet këndvështrimit të Kartës së Venecias). I referohet një qasjeje përmes këndvështrimit të Kartës së Venecies – e cila ishte krijuar si një udhëzim mbi konservimin dhe restaurimin e monumenteve dhe lokaliteteve të shkatërruara gjatë shekullit të XX – që nxit në reflektim dhe angazhim mbi rreziqet që po i kanosen së fundmi trashëgimisë kulturore botërore si ngrohja globale dhe luftërat.
“Karta e Venecias doli më 1964, dy dekada pas Luftës së Dytë Botërore dhe në një epokë që premtoi përparim dhe zhvillim ekonomik të pakufishëm. Gjashtë dekada më vonë ne përballemi me një emergjencë klimatike, një numër në rritje të fatkeqësive natyrore, si dhe konflikte që shkatërrojnë vendet kulturore dhe zhvendosin masivisht grupe njerëzish nga vendbanimet e tyre. ICOMOS do të festojë 60-vjetorin në vitin 2024 dhe do të jetë si një narrativë kryesore për ngjarjet e ICOMOS-it gjatë gjithë vitit deri më 31 maj kur shënohet përvjetori i Kartës së Venecias”, ka bërë të ditur organizata në ueb-faqen zyrtare.
Shkatërrimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore edhe në periudhën e pasluftës nuk është temë e panjohur për Kosovën. Veçmas djegiet e monumenteve. Vetëm vitin e kaluar u shkrumbuan tri monumente. Seria nisi në marsin e vjetëm me djegien e Shkollës së Parë Shqipe në Ferizaj, për të vazhduar me Shkollën e Muzikës në Gjakovë dhe me atë te Shtëpia e Familjes Koroglu, 300 vjet të vjetër dhe atë nën mbikëqyrjen e organeve policore.
Profesorin e antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, kjo datë – së cilës ia di mirë rëndësinë – nuk e ka gjetur me ndonjë ftesë nga institucionet e kulturës.
“Kësaj here më ra që të jem në terren në Pejë, ku pata mundësi të vizitoj edhe klasën e punëtorisë kreative në gjimnazin “Bedri Pejani”, i mirënjohur si gjimnaz, ku pashë disa piktura fort të mira të nxënësve, të cilat temë kishin trashëgiminë kulturore. Pata mundësinë edhe të bisedoj me ta. Qenë të shkëlqyeshëm. Mendoj se ne duhet të shfrytëzojmë çdo ditë, jo vetëm këto të njohura si zyrtare, por çdo ditë, që shkollat tona të jenë shkolla që mësojnë përmes trashëgimisë kulturore”, ka thënë Canolli duke shtuar se lënda e trashëgimisë kulturore, sipas tij, duhet të jepet krahas fillores edhe në shkollat e mesme.
Bashkë me kolegët nga Departamenti i Antropologjisë në UP, Arben Hajdari dhe Sedat Baraliu në shkurt të këtij viti botuan librin shkollor “Trashëgimia kulturore – klasat VIII-IX”. Synohet që përmes tij të mbushet boshllëku për lëndët zgjedhore që i dedikohen trashëgimisë dhe diversitetit kulturor për klasat VIII–IX, përmes kapitujve që trajtojnë shtyllat e njohjes së trashëgimisë kulturore e deri te mbrojtja e saj, promovimi dhe turizmi kulturor.
Roli i njohjes dhe krijimit të afinitetit dhe ndjeshmërisë për trashëgiminë kulturore, për të është qenësor.
“Trashëgimia kulturore është tregues i identitet, por edhe i ndryshimit e gërshetimit të identitetit. Përmes saj njihet e kaluara e njerëzimit, e kombit, e familjes. Nëse fjala diversitet kulturor është esenca e antropologjisë, atëherë fjala trashëgimi kulturore është esenca e diversitetit kulturor të njerëzimit. Nuk mund të vlerësojmë shumësinë e kulturave pa e vlerësuar atë që ka mbetur, ruhet e rikrijohet si trashëgimi kulturore”, ka thënë ai në një prononcim për KOHËN.
Shënimi i kësaj dite nuk u bë as me ndarje të çmimeve për këtë fushë tash e katër vjet. Kontributi në trashëgimi kulturore ka ngelur i pavlerësuar, nuk përbën prioritet as me çmimet e themeluara prej vetë Ministrisë së Kulturës.
“Por çmimet për vlerësimin e profesionistëve që mbrojnë, ruajnë e promovojnë trashëgiminë kulturore, që kanë qenë para do vjetëve, duket se janë shuar, së bashku me çmimin për kontribut në mbrojtjen e ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore ‘Anton Çetta’. Pra, nuk nderohen më as individët, a bartësit, as profesionistët”, ka shtuar Canolli në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, të cilën institucionet e kanë “shënuar” në rrjete sociale.