Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do ta marrë në konsideratë mundësinë që ta lejojë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të rifillojë veprimet ushtarake në Gazë nëse Hamasi refuzon ta zbatojë marrëveshjen për armëpushim. Trump i ka thënë CNN-it se forcat izraelite mund të rikthehen në terren “sapo ta them fjalën”.
“Çfarë po ndodh me Hamasin – kjo do të sqarohet shpejt”, ka thënë shkurt presidenti.
Izraeli ka akuzuar Hamasin se nuk po respekton marrëveshjen për rikthimin e të gjitha pengjeve. Kjo ka shkaktuar kritika në Izrael, ku autoritetet kanë thënë se dërgesat humanitare që pritet të hyjnë në Gaza do të reduktohen ose shtyhen për afat tjetër.
Në planin 20-pikësh të Trumpit thuhet që brenda 72-orësh që kur Izraeli pranon marrëveshjen, të gjitha pengjet do të kthehen. Të mërkurën në mëngjes, 20 pengjet e gjalla izraelite janë kthyer. Por, Hamasi ka kthyer trupat e vetëm katër pengjeve të vdekur dhe Izraeli ka thënë se një prej tyre nuk është personi që kërkohej. Pesë trupa pritet të kthehen më vonë.
Pas kthimit të pengjeve, ka pasur përplasje të dhunshme mes Hamasit dhe grupeve rivale, me një ngjarje kulmuese të atyre që duken si ekzekutime publike.
Trumpi i ka thënë CNN-it se tash për tash Hamasi “po pastron bandat, bandat e dhunshme”.
“Po e hetoj”, ka shtuar ai kur u pyet nëse është e mundur që Hamasi po ekzekuton palestinezë të pafajshëm.
Si pjesë e planit të marrëveshjes, Hamasi duhet të çarmatoset dhe pjesëtarët do të amnistohen. Trumpi u pyet edhe se çfarë ndodh nëse nuk çarmatohet Hamasi.
“Izraeli do të rikthehet në ato rrugë sapo ta them fjalën”.