Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dhënë grupit militant Hamas në Gazë, tre deri në katër ditë afat që t’i përgjigjet planit të tij për paqe në Gazë.
Në një konferencë shtypi me Netanyahun të hënën, Trumpi ka thënë se do t'i jepte Izraelit "mbështetjen e tij të plotë për të bërë atë që do të duhej të bënte" nëse Hamasi e refuzon marrëveshjen.
Plani i Trumpit përmban 20 pika dhe parasheh ndër të tjera lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve izraelite nga Hamasi.
“Ne thjesht po e presim Hamasin”, ka thënë Trumpi duke folur me gazetarët para Shtëpisë së Bardhë në lidhje me planin 20-pikësh.
Ai ka paralajmëruar se do të ketë “një fund shumë të trishtueshëm” nëse Hamasi nuk e nënshkruan marrëveshjen.
I pyetur se si mund të duket përgjigjja e Izraelit nëse Hamasi e refuzon marrëveshjen, Trumpi ka thënë se do ta lërë Izraelin "të bëjë atë që duhet të bëjë".
"Me Hamasin, është shumë e thjeshtë", ka thënë ai.
“Ne duam që pengjet të kthehen menjëherë dhe duam sjellje të mirë”, ka shtuar.
Plani përfshin përfundimin e luftimeve, kthimin e pengjeve izraelite dhe krijimin e një "Bordi Paqeje" ndërkombëtar për të ndihmuar në drejtimin e Gazës, i cili do të përfshijë ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair.
Plani gjithashtu ngre mundësinë e një "rruge të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze", nëse plotësohen kushtet, por kryeministri izraelit Netanyahu këmbëngul se Izraeli do ta "rezistojë me forcë" këtë ide.