Botë

Mirëpritet plani i Trumpit për Gazën

AP

Liderë nga Evropa dhe Lindja e Mesme kanë mirëpritur planin e paqes të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Gazën, derisa presidenti amerikan Donald Trump, ka paralajmëruar Hamasin që ta pranojë këtë marrëveshje.

Plani, i cili është arritur në marrëveshje mes Trumpit dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, parasheh një ndalim të menjëhershëm të luftimeve dhe lirimin brenda 72 orëve të 20 pengjeve izraelite të gjalla që mbahen nga Hamasi, si dhe kthimin e trupave të më shumë se 20 pengjeve që besohet të jenë vrarë, në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve të ndaluar në burgjet izraelite.

Një burim palestinez ka konfirmuar për BBC-në se zyrtarëve të Hamasit u është dorëzuar një plan me 20 pika.

Plani gjithashtu parashikon që Hamasi të mos ketë rol në qeverisjen e Gazës dhe lë të hapur mundësinë për një shtet të ardhshëm palestinez, megjithëse Netanyahu më pas e ka përjashtuar sërish një gjë të tillë.

Duke folur në konferencën për media në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi e ka quajtur planin “ditë historike për paqen”. Ai ka theksuar se Izraeli do ta ketë përkrahjen e plotë të SHBA-së për “të përfunduar punën në shkatërrimin e kërcënimit që paraqet Hamasi”, nëse grupi militant nuk e pranon marrëveshjen.

Netanyahu më pas deklaroi se “Izraeli do të përfundojë punën” nëse Hamasi e  refuzon planin ose nuk e zbaton atë.

Në një deklaratë me video menjëherë pas konferencës, Netanyahu përsëriti kundërshtimin e tij të kahershëm ndaj krijimit të një shteti palestinez. “Kjo nuk është e përfshirë në marrëveshje. Ne kemi thënë qartë se do ta kundërshtojmë fuqishëm krijimin e një shteti palestinez”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se plani i paqes do t’i mundësojë Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të qëndrojnë në Gaza – ndonëse kjo bie ndesh me tekstin e propozimit të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Autoriteti Palestinez (AP), që qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, e ka cilësuar përpjekjen e presidentit amerikan si “të sinqertë dhe të vendosur”.

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore Wafa, AP-ja ka thënë se “ripohon përkushtimin e përbashkët për të punuar me Shtetet e Bashkuara, vendet e rajonit dhe partnerët e tjerë”, për t’i dhënë fund luftës në Gaza, për të siguruar dërgimin e ndihmave humanitare dhe për lirimin e pengjeve dhe të të burgosurve.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Katarit, Egjiptit, Jordanisë, Turqisë, Indonezisë dhe Pakistanit e mirëpritën “lidershipin e Trumpit dhe përpjekjet e tij të sinqerta për t’i dhënë fund luftës në Gaza”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, është shprehur i inkurajuar nga reagimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ndaj propozimit amerikan për paqe në Gaza.

“Jam inkurajuar nga përgjigjja pozitive e kryeministrit Netanyahu ndaj propozimit,” ka deklaruar Costa. “Të gjitha palët duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për t’i dhënë paqes një mundësi të vërtetë.”

Edhe kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ka mirëpritur planin, duke bërë thirrje për bashkëpunim të të gjitha palëve me administratën amerikane në përmbylljen dhe zbatimin e marrëveshjes.

“I bëjmë thirrje të gjitha palëve të bashkohen dhe të punojnë me administratën amerikane për ta finalizuar këtë marrëveshje dhe për ta kthyer atë në realitet,” ka thënë Starmer. “Hamasi duhet ta pranojë këtë plan dhe të i japë fund vuajtjes, duke dorëzuar armët dhe liruar të gjithë pengjet e mbetura,” ka shtuar ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Franca është e gatshme të japë kontributin e saj për përpjekjet për t’i dhënë fund luftës dhe për lirimin e pengjeve.

“Këto elemente duhet të hapin rrugën për diskutime të thella me të gjithë partnerët relevantë, në mënyrë që të ndërtohet një paqe e qëndrueshme në rajon, e bazuar në zgjidhjen me dy shtete,” ka theksuar Macron.

Ndërkohë, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka thënë në një deklaratë se propozimi amerikan “mund të përfaqësojë një pikë kthese në këtë proces”. “Italia u bën thirrje të gjitha palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe ta pranojnë planin,” ka thënë ajo.