Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë të premten se do të kuptohet brenda 24 orëve të ardhshme nëse grupi militant palestinez Hamas ka vendosur ta pranojë ose jo atë që e klasifikoi si “propozimi përfundimtar” për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, ka raportuar Reuters.
Trumpi ka bërë të ditur gjithashtu se ka biseduar me zyrtarë të Arabisë Saudite për zgjerimin e “Marrëveshjeve të Abrahamit”, marrëveshje këto që lidhen me normalizimin e raporteve ndërmjet Izraelit dhe disa vendeve të Gjirit Persik, e që u ndërmjetësuan nga administrata e presidentit amerikan gjatë mandatit të tij të parë.
Trumpi pati thënë të martën se Izraeli i kishte pranuar kushtet e nevojshme për të finalizuar armëpushimin 60-ditor me Hamasin, gjatë të cilit palët do të punojnë për t’i dhënë fund luftës.
Tek iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se a e kishte pranuar Hamasi kuadrin e fundit të marrëveshjes për armëpushim, Trumpi është shprehur se “do të shohim çfarë do të ndodhë, do ta kuptojmë gjatë 24 orëve të ardhshme”.
Një burim i afërt me Hamasin ka njoftuar të enjten se grupi militant kërkon garanci që propozimi i ri për armëpushim, i mbështetur nga SHBA-ja, do të sigurojë përfundimin e luftës dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës.
Dy zyrtarë izraelitë kanë bërë të ditur se disa detaje ende po përpunohen.
Përplasja më e fundit në konfliktin shumëvjeçar izraelito-palestinez kishte shpërthyer në tetorin e 2023-tës, kur Hamasi e pati sulmuar Izraelin, duke vrarë të paktën 1,200 persona dhe duke kapur rreth 250 pengje.
Krahas kësaj, në Ministrinë e Shëndetësisë në Gazë kanë njoftuar se fushata e mëvonshme ushtarake e Izraelit ka vrarë mbi 56,000 palestinezë.
Kjo fushatë ka shkaktuar gjithashtu një krizë urie, ka zhvendosur të gjithë popullsinë e Gazës brenda territorit dhe ka nxitur akuza për gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Një armëpushim i mëparshëm dymujor përfundoi më 18 mars, kur sulmet izraelite vranë më shumë se 400 palestinezë.