Kulturë

Dialogu në elegancën e Ravelit harmonizohet me tingujt e kohës

KamerFest

Marko Pop Ristov në violinë dhe Isak Haraçiq në violonçel me dy veprat e luajtura, kanë sjellë një freski më moderne në maratonën e muzikës kamertale sivjet, e cila është gërshetuar me të vjetrën (Foto: Adi Beqiri)

“Ravel 150 – violina & violonçeli në dialog”, ka qenë titulli i koncertit që ka sjellë lojën mjeshtërore të violinistit Marko Pop Ristov nga Maqedonia e Veriut dhe violonçelistit Isak Haraçiq nga Bosnjë-Hercegovina. Koncerti ka qenë një lloj dedikimi për krijimtarinë e kompozitorit francez, e interpretimit të veprave të tij, i ka paraprirë “In the Web” e Beata Soderberg Quin që luan me tingujt e kohës dhe ka ardhur premierë në Prishtinë në kuadër të “KamerFestit”

“Gjuhë muzikore komplekse e globalizimit”, është konsideruar vepra që ka hapur natën e parafundit të edicionit të 24-t të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”. E bashkë me të, mbrëmjen e së martës e ka karakterizuar edhe sonata e kompozitorit francez Maurice Ravel. Në sallën akull të amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, ku një ngrohëse elektrike më shumë bënte zhurmë sesa nxehte, mes publikut të paktë në numër ka jehuar harmonia e tingujve të violinës e të violonçelit.

Është mbrëmje e shënuar për hir të 150-vjetorit të lindjes së Ravelit.

Titulli “Ravel 150 – violina & violonçeli në dialog”, e tregon dialogun harmonik ku janë ndërthurur eleganca dhe emocioni i muzikës së Ravelit. Si koncerti i tetë nga nëntë gjithsej sa ka ky edicion, mbrëmja ka sjellë një dyshe fantastike nga Ballkani, Marko Pop Ristov nga Maqedonia e Veriut dhe Isak Haraçiq nga Bosnjë-Hercegovina. Me dy veprat e luajtura, ata kanë sjellë një freski më moderne në maratonën e muzikës kamertale sivjet, e cila është gërshetuar me të vjetrën.

Beata Soderberg Quin është kompozitorja dhe violonçelistja, vepra e së cilës është interpretuar në hapje të natës së tetë, të martën. E titulluar “In the Web”, vepra është kompozimi më i ri i saj dhe vjen për herë të parë në Prishtinë. Gjashtë kohët e saj: “In the Web”, “The Cloud”, “Accept All Cookies”, “New Software”, “Bugs”, si dhe “Icons” janë interpretuar me një qetësi të lehtë, e heshtja në sallë i bënte edhe më të ndjeshme. Kjo vepër ua rikthen kuptimin shprehjeve dhe koncepteve që përdoren zakonisht sot. Kompozitorja ndikohet prej trashëgimisë së saj tradicionale suedeze, e ajo trashëgimi përzihet në valle akustike edhe me pasionin e saj për muzikën tango, duke kënaqur kështu pikëpamjen alternative të kohëve të sotme.

Në shënim të 150-vjetorit të lindjes së kompozitorit francez Maurice Ravel, është luajtur edhe “Sonata për violinë dhe violonçel M. 73” e kompozuar në vitin 1922, pas Luftës së Parë Botërore. E ashpër dhe e ngarkuar emocionalisht, vepra i dedikohet Claude Debussyt, i cili kishte vdekur pak vjet para se të kompozohej. Në të njëjtën kohë, vepra është edhe meditim mbi brishtësinë e paqes dhe plagët e lëna nga lufta. Me katër kohët e saj: “Allegro”, “Tres vif”, “Lent” dhe “Vif, avec entrain”, për afro një çerek ore është ndier harmonia e njëtrajtshme e kombinimit të violinës me violonçel.

Maqedonasi Marco Pop Ristov ka filluar violinën me violinisten Sihana Badivuku dhe më pas ka studiuar edhe në Londër. Është shfaqur si solist në shumë koncerte orkestrale. Të dy këta janë edhe anëtarë të “No Borders Orchestra”, një ansambël që përfshin muzikantë të rinj nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe që para një muaji kanë performuar edhe në Prishtinë, në kuadër të turneut ballkanik “Turning Point”.

Marco Pop Ristov, gati të pamundur e ka quajtur veprën e Ravelit, teksa me kompozitoren e re, ka treguar se ka raporte të ngushta kolegiale.

Në shënim të 150-vjetorit të lindjes së kompozitorit francez Maurice Ravel, është luajtur edhe “Sonata për violinë dhe violonçel M. 73” e kompozuar në vitin 1922, pas Luftës së Parë Botërore. E ashpër dhe e ngarkuar emocionalisht, vepra i dedikohet Claude Debussyt, i cili kishte vdekur pak vjet para se të kompozohet (Foto: Adi Beqiri)

“Pjesa e parë është nga Beata, ajo është një mike imja, në njëfarë mënyre është shumë personale, jam krenar për të si muzikante dhe si kompozitore, andaj ishte vepër intime. Muzika është bashkëkohore, por jo disonante, nuk i largon audiencat, por i ngroh zemrat. Vepra e Ravelit është mjeshtërore, nuk më kujtohet kur e kam dëgjuar për herë të parë, mirëpo kam menduar se është e pamundur të mësohet e të inskenohet në lojë, por sapo e luajtëm dhe koncerti u shijua sa duhet”, ka thënë violinisti maqedonas.

Më 4 shtator qe mbajtur në Prishtinë koncerti i ansamblit “No Borders Orchestra”. Pjesë e orkestrës ishin instrumentistë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Koncertin e atëhershëm e ka konsideruar më ndryshe nga ky i së martës.

“E gjitha është muzikë kamertale dhe mua më pëlqen më shumë kjo muzikë, pak edhe muzika orkestrale. Gjithçka sillet rreth interaktivitetit, të dëgjosh e të ndash me të tjerët performancën. Në koncertet e ‘No Borders Orchestra’, gjithçka ka qenë më ndryshe, secila pjesë kërkonte energji të ndryshme nga njëra-tjetra, andaj është më ndryshe, mirëpo thelbi është i njëjti, e tëra sillet rreth muzikës kamertale”, ka shtuar Marco Pop Ristov.

Në anën tjetër, Isak Haraçiq që me violonçel ka kombinuar tingujt, është boshnjak, lindur në Beograd. Ka studiuar në Sarajevë dhe ka performuar në festivale të ndryshme në Evropë dhe Amerikë. Ka treguar se ndihet i lumtur që pavarësisht vështirësisë, e kanë sjellë performancën e veprës së Ravelit.

“Ndihem shumë i lumtur, akustika ishte shumë e mirë, salla po ashtu, si dhe njerëzit që erdhën në koncert. Repertori nuk dëgjohet shumë shpesh. Beata dhe Ravel, që është goxha i vështirë, sa njerëzit nuk e luajnë zakonisht, mirëpo ne vendosëm ta bëjmë. Ishte pak e vështirë, mirëpo jam i lumtur që e realizuam”, ka thënë ai.

Nga publiku, violinistja Mrika Hoxha e ka konsideruar si të veçantë performancën që ka ardhur si duet. Gati si kuartet i është dukur harmonia mes dyshes.

“Ka qenë një koncert shumë i veçantë, se është një duo që nuk e has shumë shpesh nëpër koncerte dhe këta e kanë njëfarë kimie mes vete, domethënë, dy instrumente tingëllojnë sikur të jenë katër veta, si kuartet dhe veprat kanë qenë më interesant, që e bëjnë të ndihet pak më e madhe si duet, jo vetëm duo, por si një orkestër e vogël”, ka thënë ajo.

Edhe drejtoresha artistike e “KamerFestit”, Sihana Badivuku, ka treguar se këto dy vepra kanë qenë premiera në Kosovë, si shumë prej veprave që kanë ardhur në këtë edicion të festivalit.

“Sonte publiku kishte kënaqësinë t’i dëgjojë dy vepra premierë, sepse përpos kompozitores suedeze që i ka dhënë të drejtat e autorit që të performohet kjo vepër, e cila akoma nuk është publikuar. Kjo është premierë e Kosovës, kurse edhe sonata e Ravelit ishte premierë. Jam e lumtur që në këtë edicion kemi pasur shumë vepra premierale”, ka thënë ajo.

Të mërkurën kur edhe është mbyllur edicioni i 24-t i festivalit, nata finale ka sjellë performancë për nder të përvjetorit të kompozitorit Shostakovich me Romain Garioud në violonçel, Daniela Dikova me piano, dhe si artiste e ftuar edhe Sihana Badivuku në violinë.