Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve në Kosovë nuk është shënuar me ndonjë aktivitet. Ministria e Kulturës është mjaftuar me një video nëpërmjet së cilës promovohet ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Përderisa tema e sivjetme e Ditës ishte “Trashëgimia dhe klima”, nëpërmjet rrjeteve sociale ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka përsëritur ato që i thotë tash e më shumë se një vit prej kur ka marrë pozitën.
Nëpërmjet videos të shpërndarë nga MKRS-ja Çeku tregon se trashëgiminë e pasur kulturore të Kosovës, monumentet, dëshmitë e historisë, kujtesës dhe identitetit po i mbrojnë dhe rifunksionalizojnë.
“Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve na përkujton obligimin dhe përgjegjësinë që bartim për të dokumentuar, kultivuar, promovuar dhe transferuar këtë pasuri të përbashkët te brezat e ardhshëm. Gjatë kësaj periudhe jemi angazhuar shumë dhe kemi vënë shpëtimin e trashëgimisë sonë kulturore në prioritet”, thotë Çeku në video e MKRS-së.
Aty tregon se është dyfishuar fondi për ndërhyrje emergjente dhe se nga 200 monumente në rrezik rreth një e katërta janë shpëtuar.
“Programi i restaurimeve, menaxhimi dhe rikthimi i aseteve në të mirë të komunitetit është detyrë e jona. Këto objekte nuk do të mbesin të mbyllura. Ato do të kenë funksion dhe program”, tregon ministri Çeku. Ai bën të ditur se janë miratuar disa akte nënligjore dhe se po ashtu është aktivizuar “sistemi i mbrojtjes së përhershme”.
“Puna në kuadër të ndërhyrjeve emergjente po vazhdon në kompleksin memorial ‘Adem Jashari’ dhe po punohet në detyrën projektuese që do t’i paraprijë konkursit ndërkombëtar për master planin e kompleksit”, tregon ai.
Pas tij, në video kryetarja e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi, tregon se janë duke u shqyrtuar dosjet e dorëzuara nga MKRS-ja.
“KKTK-ja është në fazën finale të shqyrtimit të dosjeve të aseteve për mbrojtje të përhershme. Viti tjetër do të na gjejë me një numër më të madh të asteteve nën mbrojtje të përhershme”, tregon ajo midis të tjerash.
Prej vitit 1982, kur edhe vendosi Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s, 18 prilli shënohet si Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve. Kjo ditë promovohet nga Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Lokaliteteve (ICOMOS). Tema e sivjetme është “Trashëgimia dhe klima”.
Sa i përket kësaj teme, UNESCO dhe ICOMOS kanë bërë të ditur se ndryshimet klimatike janë një nga çështjet përcaktuese të kohës sonë dhe ndër kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen monumentet dhe lokalitetet e trashëgimisë botërore kulturore dhe natyrore. “Një në tri zona natyrore dhe një në gjashtë vende të trashëgimisë kulturore janë aktualisht të kërcënuara nga ndryshimet klimatike”, shkruhet në tekstin e sivjetmë të ICOMOS-it.
Aty shkruhet se në muajt dhe vitet e fundit, janë parë asete të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të kërcënuara nga zjarret, përmbytjet, stuhitë e rreziqe të tjera.
“Në përgjigje të këtij ndikimi të pamohueshëm të ndryshimit të klimës në monumentet dhe vendet e trashëgimisë botërore, UNESCO po punon për të ndërtuar kapacitetet e vendeve dhe komuniteteve për t'u përgatitur dhe për t'u rikuperuar nga ndikimet dhe fatkeqësitë që lidhen me ndryshimet klimatike. Në të njëjtën kohë, ne jemi të përkushtuar për të shfrytëzuar potencialin e kulturës për veprim klimatik, i cili ende mbetet kryesisht i pashfrytëzuar”, shkruhet për temën e sivjetme.
Aty tregohet se zhvillimi i politikave publike gjithëpërfshirëse për veprimin klimatik përmes kulturës është një tjetër hap thelbësor për të çuar përpara një agjendë të përbashkët globale të klimës, e cila do të mbështetet fuqimisht përmes zbatimit të dokumentit të politikës së përditësuar për veprimin klimatik për trashëgiminë botërore. “Përveç kësaj, ndërtimi i njohurive mbi trashëgiminë botërore dhe ndryshimet klimatike do të na lejojnë të informojmë udhërrëfyesin tonë të ardhshëm për 50 vjetët e ardhshëm të Konventës së Trashëgimisë Botërore të vitit 1972, ndërsa reflektojmë mbi këtë gjatë 50-vjetorit të saj këtë vit”, shkruhet për temën e sivjetme. Bëhet e ditur se UNESCO është duke u angazhuar për të siguruar që monumentet dhe lokalitet e trashëgimisë botërore të integrohen plotësisht në veprimet dhe strategjitë e klimës, si një pasuri e përbashkët globale që duhet të mbrohet nga efektet e ndryshimeve klimatike dhe si mjet transversal për zbutjen dhe përshtatjen e ndryshimeve klimatike për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.