Kulturë

Dita e Monumenteve bashkon fëmijët për njohjen e trashëgimisë kulturore

“Vetëdijesimi i fëmijëve mbi Trashëgiminë Kulturore”, është titulluar aktiviteti i mbajtur të martën në Prizren, me rastin e shënimit të 18 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve. Synimi ka qenë që nëpërmjet fotografimit të fëmijëve në monumente të promovohen vlerat e trashëgimisë kulturore të rajonit të Prizrenit. Gjithashtu vizitat në monumentet e kulturës dhe fotografimi i fëmijëve në to ose pranë tyre kanë synuar që të zgjojnë kureshtjen e fëmijëve dhe familjeve të tyre për monumentet

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, për nder të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, janë angazhuar në realizimin e projektit “Vetëdijesimi i fëmijëve mbi Trashëgiminë Kulturore”, që ka paraparë fotografimin e fëmijëve në monumentet e trashëgimisë kulturore të rajonit të Prizrenit.

Sipas bartësve të këtij projekti, synimi ka qenë që nëpërmjet fotografimit të fëmijëve në monumente të promovohen vlerat e trashëgimisë kulturore të rajonit të Prizrenit. Gjithashtu vizitat në monumentet e kulturës dhe fotografimi i fëmijëve në to ose pranë tyre kanë synuar që të zgjojnë kureshtjen e fëmijëve dhe familjeve të tyre për trashëgiminë kulturore, duke iu ofruar mundësi që të informohen më shumë rreth trashëgimisë arkitekturore, arkeologjike e etnologjike dhe rëndësinë e ruajtjes së saj. Si pjesë e projektit, të martën, në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, fëmijët kanë pasur rastin që ta vizitojnë këtë monument, por edhe të argëtohen me lojën “Mos u nxeh Prizren!”, që ishte lansuar në fillim të këtij viti, si pjesë e angazhimeve për edukimin e gjeneratave të reja për trashëgiminë kulturore të Komunës së Prizrenit. Për të pranishmit në këtë organizim janë dhuruar edhe nga ekzemplar të librit me përrallën “Aventura e re e Karlit”.

Me këtë rast drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, ka theksuar se Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve po shënohet me përpjekjen për vetëdijesimin e fëmijëve për trashëgiminë kulturore.

“Me qëllim të rritjes apo ndërgjegjësimit dhe vetëdijes për brezat e ardhshëm për njohuritë që do të duhej t’i merrnin sa më shumë që është e mundur për monumentet e trashëgimisë kulturore, e kush më mirë e kush më shumë ka si qyteti i Prizrenit dhe besoj se të gjithë ju dhe ne bashkërisht duhet të ndihemi krenarë që kemi një qytet kaq të bukur, kemi një qytet me numër kaq të madh të monumenteve dhe aseteve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Hoxha. Ka shtuar se kjo pasuri sjell edhe një përgjegjësi për ruajtjen, kujdesin, mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, të cilat rrjedhimisht janë pjesë e identitetit kombëtar.

Sipas tij, jo rastësisht ngjarja përmbyllëse po realizohet në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, për shkak të rëndësisë së këtij monumenti në historinë kombëtare.

“Të gjitha gjeneratat, me theks të veçantë brezat e rinj, duhet të kenë njohurinë e mjaftueshme për të kaluarën tonë historike, për monumentet dhe vlerat e trashëgimisë kulturore që ka Prizreni dhe rajoni ynë”, ka deklaruar Hoxha.

Ai ka pohuar se 18 prilli është një datë e rëndësishme, meqë sjell ndërmend rëndësinë për ruajtjen, mbrojtjen e promovimin e monumenteve dhe lokaliteteve të trashëgimisë kulturore, që në vetvete ka sfida të shumta. Por ka shtuar se institucioni që ai drejton është në realizim të projekteve në mbi 20 monumente.

“Aktualisht janë rreth 23 projekte restauruese dhe konservuese të cilat po zhvillohen në Prizren dhe rajonin e Prizrenit”, është shprehur ai.

Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i “EC Ma Ndryshe”, Valon Xhabali, ka theksuar se ky bashkëpunim me autoritetet e trashëgimisë kulturore po synon të përçojë porosinë te komuniteti për rëndësinë e ruajtjes së vlerave të aseteve të trashëgimisë kulturore.

“Është me të vërtetë kënaqësi kur punon me të rinj, e sidomos me brezat që ne mendojmë se e kemi obligim që t’ua bartim përgjegjësitë për mbrojtjen e kësaj pasurie që e kemi në Kosovë, por edhe Prizren, duke pasur parasysh edhe diversitetin kulturor”, ka thënë Xhabali. Sipas tij, ky nuk do të jetë aktiviteti i fundit me QRTK-në e organet e tjera, ngase krahas punës me të rinjtë, ka plane edhe për realizimin e aktiviteteve me profesionistët e fushës, me të vetmin qëllim: mbrojtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore.

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, të martën mbrëma, forumZFD, programi në Kosovë, ka organizuar një fotoekspozitë, si dhe debatin e titulluar “Kosova – trashëgimia e kujtesës”, në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës në Prizren.

Prej vitit 1982, kur edhe vendosi Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s, 18 Prilli shënohet si Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve. Kjo ditë promovohet nga Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Lokaliteteve (ICOMOS).