“Çfarë fsheh nëntoka”, ka qenë titulli i punëtorisë me të cilën Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë në Shkodër ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve. E realizuar në hapësirën e Kalasë së Rozafës stimuloi emocionet dhe kreativitetin e fëmijëve në gjetjen e artefakteve dhe interpretimin e tyre, në këndin rekreativ “Arkeologu i Vogël”.
“Gjatë fazës së parë të punëtorisë, të vegjlit u njohën me sekretet e profesionit të arkeologut, mjetet e punës të rëndësishme për zbulimin e artefakteve nga nëntoka dhe metodologjinë e dokumentimit të këtyre gjetjeve mbi të cilat u punua në praktikë, si dhe rolin që kanë këto gjetje për trashëgiminë tonë kulturore”, shkruhet në njoftimin e këtij institucioni.
Nëpërmjet një gërmimi të improvizuar arkeologjik, fëmijët kanë përjetuar emocionin e “zbulimit” dhe teknikave gjatë gërmimit arkeologjik, dokumentimin, skicimin dhe hartimin e kartelës për objektet e zbuluara.
Por një aktivitetet si ky ka qenë vetëm njëri prej shumë sosh organizuar nga institucionet e Shqipërisë.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Berat 18 Prillin e ka shënuar me ekspozitën “Art dheTrashëgimi”, të autorit Dritan Çoku. ”Ekspozita solli në vëmendje rrezikun dhe faktorët e humbjes së vlerave monumentale. 26 skica të grafikës artistike pasqyruan objekte kulturore me vlera historike kulturore që mungojnë në qytetin e Beratit. Skicat janë pjesë e ilustrimit të një pune kërkimore, studim monografik të një banese me çardak në qytetin e Beratit që tashmë nuk ekziston më, që prej vitit 1969”, shkruhet në njoftimin e DRTK-së së Beratit, për aktivitetet në Konakët e Teqesë ku e ka selinë ky institucion. “Kjo ditë vjen si një thirrje për të mbrojtur trashëgiminë tonë dhe vlerat e saj monumentale”, shkruhet në njoftimin e DRTK-së së Beratit në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve e Lokaliteteve.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri në këtë ditë ka kthyer në vëmendje pasurinë e Luginës së Drinos afër Tepelenës kur ka njoftuar se kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë së pasur kulturore përmes programit të Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore. Projekti më i fundit është restaurimi i manastireve të Luginës së Drinos. “Projekti së fundmi mblodhi në Kampin Rajonal të Restaurimit studentë, profesionistë nga Shqipëria, Greqia, Bosnjë- Hercegovina për hartimin dhe vlerësimin e shtigjeve që lidhin manastiret”, shkruhet në njoftim, duke shtuar se këto shtigje do të tregojnë historinë e rajonit duke respektuar integritetin e tij kulturor dhe mjedisor dhe duke nxitur mundësitë ekonomike për komunitetet lokale.