Kulturë

Projekti për Lumbardhin rinis pa leje, ndërpritet për së dyti

Ani pse pikërisht për shkak të mungesës së pëlqimit nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, ishin ndërprerë muajin e kaluar, autoritetet komunale krye më vete kanë rinisur punimet në projektin për regjenerimin urban të urave e brigjeve të Lumbardhit. Janë ndërprerë sërish, dhe tash do të vlerësohet edhe dëmi i shkaktuar përderisa do të kërkohet që krejt projekti të rikthehet në pikën zero

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndaluar për herë të dytë punimet në projektin për regjenerimin urban të urave e brigjeve të Lumbardhit, të iniciuar nga Komuna e Prizrenit. Një veprim të kësaj natyre, Inspektorati i MKRS-së e pati ndërmarrë edhe muajin e kaluar, pas punimeve të autorizuara nga organet komunale, pa e siguruar pëlqimin e nevojshëm nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore.

Drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, ka theksuar se ky institucion, pas ankesës së bërë në shkallën e dytë lidhur me një vendim të Drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor, muajin e kaluar kishte njoftuar edhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore dhe atë të Komunës së Prizrenit lidhur me veprimtarinë e paautorizuar në Qendrën Historike më saktësisht tek Ura e Gani Tadës, gjë që kishte rezultuar edhe me ndalimin e punimeve. Një njoftim të ngjashëm, QRTK-ja e ka bërë edhe javën e shkuar pasi ka vërejtur se punimet në këtë projekt po vazhdojnë.

“Gjatë vizitave rutinore në terren, bashkëpunëtorët profesionalë të QRTK-së në Prizren kanë vërejtur se përkundër faktit se janë ndalur punimet nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, megjithatë operatori ekonomik është parë në vend të ngjarjes duke zbatuar punimet në projektin në fjalë. Me të marrë këtë informatë ne kemi adresuar shkresën e dytë njoftuese për Inspektoratin e trashëgimisë kulturore, rrjedhimisht edhe për Inspektoratin e Komunës së Prizrenit. Pastaj brenda pak ditësh jemi njoftuar se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka nxjerrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të veprimtarisë së paautorizuar për zbatim të këtij projekti, derisa nga ana e inspektorëve komunalë nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, ka thënë Hoxha.

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në fillim të kësaj jave ka nxjerrë vendimin për ndalimin e çdo veprimi të paautorizuar në Qendrën Historike të Prizrenit, duke njoftuar DUPH-në, QRTK-në dhe kabinetin e ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se herën e parë punimet në këtë projekt janë ndaluar më 11 nëntor 2021, deri në vendosjen e ankesës së QRTK-së nga shkalla e dytë. Ndërkohë, theksohet se DUPH-ja ka kërkuar nga kontraktuesi që t’i rifillojë punimet, dhe se QRTK-ja më 8 dhjetor 2021 ka njoftuar ITK-në për punimet e zhvilluara pa pëlqimin e këtij organi, me ç’rast inspektorët me datë 10 dhjetor kanë dalë në terren dhe në takim me përgjegjësit e kësaj drejtorie, nga këta të fundit janë njoftuar se punimet kanë rifilluar pasi ende nuk është shfuqizuar leja e DUPH-së nga ana e MMPHI-së dhe se kanë kaluar afatet për zgjidhjen e ankesës.

“Lejen që e kemi nxjerrë është e ligjshme për momentin derisa MMPHI-ja nuk e hedh poshtë”, pati theksuar muajin e shkuar ish-drejtori i DUPH-së, Beni Kizolli, duke shtuar se bazuar në këtë leje edhe është zhvilluar procesi i prokurimit dhe përzgjedhja e operatorit, si dhe kanë filluar punimet.

Mirëpo, me qëllim të pritjes së shqyrtimit të ankesës së QRTK-së nga shkalla e dytë dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, ITK-ja ka bërë të ditur se DUPH-së ia ka ndaluar punimet dhe se nga kontraktuesi ka kërkuar marrjen e masave për sigurinë e kalimtarëve.

Samir Hoxha nga QRTK-ja ka pohuar se është i bindur që niveli qendror do ta aprovojë ankesën e bërë kundër vendimit të DUPH-së.

Image
Projekti për rigjenerimin e urave e brigjeve të Lumbardhit, përfshin edhe urën dhe kejet përballë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Edhe aty janë ndërprerë punimet

“Jemi në pritje të një përgjigjeje nga ana e MMPHI-së dhe jemi të bindur se vendimmarrja e shkallës së dytë do të jetë në favor të ankesës sonë dhe ky projekt do të kthehet në pikën zero”, ka thënë Hoxha.

Për vazhdimin e punimeve të paautorizuara në këtë projekt gjatë ditës së enjte ka reaguar edhe organizata “EC Ma Ndryshe”, duke theksuar se projekti për “Regjenerimin Urban të brigjeve të lumit Lumbardh” në Qendrën Historike të Prizrenit, i filluar nga qeverisja e kaluar komunale është shoqëruar me shkelje të dispozitave ligjore, gjë që është konstatuar nga MKRS-ja. “EC...” ka bërë të ditur se përmes një shkrese zyrtare është njoftuar nga MKRS-ja se kjo e fundit ka obliguar DUPH-në që t’i pezullojë të gjitha veprimet deri në zbatimin e rekomandimeve të QRTK-së dhe miratimin e projektit.

“Në përputhje me dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit respektivisht procedurën e konsultimit të Ligjit Nr. 02/L-88 për Trashëgimi Kulturore, si dhe pas konsultimit me Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), MKRS-ja mbështet rekomandimin e KKTK-së dhe obligon - kërkon nga Komuna e Prizrenit përkatësisht Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (DUPH) që t’i zbatojë të gjitha procedurat paraprake të shqyrtimit të kërkesës dhe projektit. Konfirmohet që në procedurë ka bërë shkelje të dispozitave të Ligjit Nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit duke filluar zbatimin e projektit bazuar në një aktvendim i cili i referohet vendimit të QRTK-së Prizren duke mos pasur vendim dhe paraprakisht DUPH Prizren duke mos përfillur rekomandimet e QRTK-së Prizren të dhëna më datë 28.06.2021. Komuna e Prizrenit përkatësisht Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (DUPH) me veprimet e ndërmarra në procedurë nuk ka respektuar edhe pikat e Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruara më datë 01.04.2021 respektivisht pika 3 (paragrafi 3.1.4 dhe 3.1.7). Prandaj, obligohet Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (DUPH) Prizren që t’i pezullojë të gjitha veprimet deri në zbatimin e rekomandimeve të QRTK-së Prizren, dhe miratimin e projektit”, thuhet në shkresën e MKRS-së. Kjo organizatë i ka bërë thirrje lidershipit të ri komunal që ta rishikojë në tërësi projektin për “Regjenerimin Urban të brigjeve të lumit Lumbardh” të filluar nga ish-ekzekutivi komunal, “me qëllim që në koordinim edhe me institucionet tjera përgjegjëse për trashëgiminë kulturore të ndërmerren masat për respektimin e ligjshmërisë në Qendrën Historike të Prizrenit”.

Në anën tjetër, Hoxha i QRTK-së ka bërë të ditur se sapo të pranohet vendimi i shkallës së dytë, do të bëhet edhe vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga punimet e paautorizuara.

“Sapo ta pranojmë vendimin e MMPHI-së në ankesën e bërë ndaj vendimit që e konsiderojmë të jashtëligjshëm të DUPH-së, do të angazhohen zyrtarët e QRTK-së që të dalin në vendngjarje, të bëjnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe përmes një raporti të detajuar do të njoftohen të gjitha institucionet kompetente, duke kërkuar nga ta që të ndërmarrin veprime konkrete në përputhshmëri të plotë me ligjin”, ka deklaruar Hoxha.

Nisma për intervenime në brigjet e Lumbardhit është prezantuar muaj më parë si projekt që synon pamje atraktive të Prizrenit. Në rigjenerimin e brigjeve të Lumbardhit, përfshihen urat dhe kejet përreth lumit, që nga lagjja “Marashi” e deri tek ura përballë Brigadës së Zjarrfikësve.

Sipas një njoftimi të mëhershëm të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, ky projekt synon të sigurojë qëndrueshmërinë e Qendrës Historike të Prizrenit, duke e shndërruar në një mjedis funksional dhe më lehtë të qasshëm për të gjithë qytetarët dhe vizitorët, duke planifikuar dhe siguruar më shumë hapësira publike, të përshtatshme për këmbësorët, më shumë gjelbërim, dukje dhe veprimtari të ndryshme.

Për projektin e regjenerimit urban të brigjeve të Lumbardhit, “EC Ma Ndryshe” muaj më parë pati kërkuar respektimin e kritereve që parasheh legjislacioni, si dhe përfshirjen e komunitetit.