Në kuadër të projektit “Rigjenerimi i brigjeve të Lumbardhit”, të iniciuar nga Komuna e Prizrenit, parashihen intervenime në 16 pika përgjatë rrjedhës së këtij lumi në zonën urbane të qytetit të vjetër. Të mërkurën, në kejin mes Urës së Gurit dhe Urës së Arastës, janë prezantuar 12 projekte ideore, që synojnë të hapin rrugë për rregullime në këto pika. Me këtë rast drejtuesit e Komunës së Prizrenit dhe ata të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës duke prezantuar punën e deritanishme kanë shprehur qëndrimin se ky projekt do të mundësojë që këto pika të bëhen më atraktive dhe t’i japin pamje më të mirë Prizrenit.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se ky projekt synon intervenime rregulluese në disa pika përgjatë Lumbardhit.
“Sivjet i kemi paraparë disa intervenime në Qendrën Historike të Prizrenit, duke filluar prej urave. Ura e parë që është rregulluar është Ura e Marashit. Por për urat e tjera dhe brigjet e Lumbardhit kemi dëshirë t’i bëjmë disa intervenime. Kur kemi biseduar për projektimet, gjithmonë po dalin probleme kur ato po bëhen nëpërmjet prokurimit, prandaj në fillim të vitit u patëm takuar me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës, por edhe me institucionet e tjera relevante, si QRTK, KTK, por edhe me asociacionet e tjera e OJQ-të në Prizren, me të cilët u patëm dakorduar që të krijohen ekipe punuese për 16 pika, nga të cilat sot është prezantimi i 12 projekteve ose 12 pikave ku janë paraparë intervenime rregulluese në mënyrë që këto të bëhen me atraktive për qytetarët dhe të ndryshojnë pak a shumë pamjen e Prizrenit”, ka thënë Haskuka.
Ai ka shtuar se ka kohë që në këto ura nuk ka pasur intervenime.
“Shumica e urave janë të vjetra, por në të njëjtën kohë nuk ka pasur intervenime as në rregullimin e tyre e as në pamjen e jashtme. Me këto projekte faktikisht do të kemi një intervenim edhe në aspektin infrastrukturor”, është shprehur ai.
Ndërsa kryetari i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, Masar Dushi, ka uruar që ky shembull i bashkëpunimit të bartet edhe në qendrat e tjera të Kosovës.
“Sot është një moment, tepër sfidues, reciprokisht, sot Lumbardhi sfidohet me arkitektët vasha dhe djem të Prizrenit, bashkë me Asociacionin sfidohen me Lumbardhin, indi kryesor i Prizrenit, që i jep kuptim jo vetëm zonës historike të Prizrenit, por tërë qytetit, edhe patjetër në nivel të Kosovës”, ka deklaruar Nushi.
Sipas tij, propozimet e dhëna, në formë të projektit ideor do të diskutohen me publikun, e kjo ka rëndësi për epilogun e kësaj nisme.
“Kjo iniciativë, e cila sot del edhe publikisht të komunikojë me publikun, do të ketë epilogun e vet shumë të shëndoshë. Do ta kemi një Lumbardh tjetër, të begatuar në pika të ndryshme me mobiliar urban, me ndriçime, me gardhe...”, ka thënë ai.
Komuna e Prizrenit në fillim të këtij viti kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës, me të cilën parashihej përfshirja e arkitektëve në procesin e rigjenerimit të urave dhe hapësirave përcjellëse në të dyja anët e Lumbardhit.
Ndërkaq muajin e shkuar, drejtuesit e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorisë së Urbanizmit në Prizren kishin nënshkruar memorandum bashkëpunimi për kontribut të përbashkët në jetësimin e disa projekteve në zonën historike të këtij qyteti, duke përfshirë edhe procesin e hartimit të projektit të “Rigjenerimit të brigjeve të lumit Lumbardhi”, përkatësisht urat dhe kejët nga Ura e Marashit deri te Parku i Qytetit.