Në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, eksperti i arsimit Dukagjin Pupovci ka thënë se dështimi i Kosovës në testin ndërkombëtar PISA nuk është rezultat i mungesës së politikave arsimore, por i moszbatimit të tyre dhe mungesës së angazhimit real për arsim cilësor.
Pupovci theksoi se periudha e viteve të ’90-ta dhe funksionimi i sistemit paralel ka lënë gjurmë në cilësinë e arsimit, por gjithashtu u shpreh se paslufta është dashur të sjellë një qasje më serioze ndaj arsimit si bazë e konkurrueshmërisë së vendit në rajon dhe më gjerë.
“Pas luftës nuk e kemi vlerësuar sa duhet rëndësinë e arsimit. Nuk është vetëm çështje financash, por edhe e angazhimit konkret dhe punës nëpër shkolla”, deklaroi Pupovci.
I pyetur nga Surroi nëse dështimi në PISA është pasojë e mungesës së një vizioni politik për arsim, Pupovci mohoi kategorikisht, duke shtuar se Kosova ka pasur strategji të mirëfillta që nga viti 2002, por ato rrallëherë janë zbatuar.
“Nuk është që nuk kemi pasur politika. Problemi ka qenë gjithmonë te moszbatimi i tyre. Strategjitë janë bërë, por nuk janë çuar as deri në gjysmë”, ka thënë Pupovci.
Në diskutim, Surroi ngriti shqetësimin për kapjen politike dhe financiare të arsimit, duke e quajtur këtë sektor të shndërruar në një "fabrikë suxhuku", ku interesi për fitim ka tejkaluar çdo shqetësim për cilësi.
Pupovci nuk e mohoi ndikimin e interesave financiare në arsimin e lartë, veçanërisht në institucionet private të themeluara pas vitit 2005, por shtoi se sfida e cilësisë është e pranishme edhe në disa universitete publike.
“Ka bindje në opinion që disa universitete private funksionojnë për profit, por cilësia lë për të dëshiruar edhe në disa institucione publike”, shtoi ai.
