Deputetë të partive opozitare ia kanë vënë fajin Qeverisë për rezultatin e testit PISA i cili tregoi se performanca e nxënësve ka mbetur pothuajse e njëjtë me vitin 2022 e në disa lëndë edhe më keq se atëherë.
Ata kanë akuzuar se në Kosovë po fundoset sistemi arsimor.
Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, në një postim në Facebook ka shkruar se është e papranueshme që rezultatet e nxënësve të Kosovës në PISA të vazhdojnë të bien, duke deklaruar se arsimi ende pret të trajtohet me seriozitetin që meriton.
Ka thënë se krahasuar me vitin 2015, përqindja e nxënësve që mbeten nën nivelin bazë të aftësive është rritur me 7 pikë përqindjeje në matematikë, 7 në lexim dhe 11 në shkencë. Sipas saj, këto shifra janë alarmante, sepse ka vlerësuar ajo, pas tyre janë fëmijë që po kalojnë vite në shkollë pa marrë përgatitjen që u duhet për jetën.
“Si deputete dhe si mësimdhënëse, e kam të pamundur ta pranoj këtë rënie si diçka me të cilën duhet të mësohemi. Fëmijët tanë kanë potencial, ndërsa ne kemi përgjegjësi t’u sigurojmë arsimin që e zhvillon atë. Kjo gjendje duhet të na alarmojë si shoqëri dhe të na shtyjë të veprojmë menjëherë. Ministria duhet të dalë me masa konkrete, afate dhe përgjegjësi të qarta, duke punuar me komunat, mësimdhënësit dhe prindërit për të sjellë përmirësim real në çdo klasë. Çdo vit i humbur në arsim ua ngushton mundësitë një brezi të tërë. Fëmijët tanë meritojnë veprim tani”, ka shkruar ajo.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka thënë se këto rezultate tregojnë se vendi ka arsimin më të dobët në botë. Ka akuzuar se vetë qeveritarët po i shkollojnë fëmijët nëpër shkolla të njohura në Evropë, ndërkaq në Kosovë sistemi arsimor po fundoset.
“Rezultatet e PISA-s po tregojnë se arsimin e kemi ndër më të dobëtit në BOTË. Më keq se herën e kaluar. Më keq se pothuajse të gjithë. Ju marroftë Zoti, more amatera! Na e morët në qafë shtetin. Na i morët në qafë fëmijët. Na e morët në qafë një gjeneratë të tërë. E ndërkohë, fëmijët tuaj i shkolloni nëpër Evropë. Për fëmijët tuaj – shkollat e Evropës. Për fëmijët e Kosovës – një sistem që po fundoset çdo vit”, ka shkruar ai.
Në edicionin e vitit 2025 të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, i zhvilluar nga 10 deri më 30 maj, morën pjesë 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës. Sipas rezultateve, nxënësit e Kosovës kanë shënuar mesatarisht 357 pikë në shkencë dhe 340 pikë në lexim. Në krahasim me PISA 2022, rezultati në shkencë ka mbetur i pandryshuar, ndërsa në lexim e matematikë ka shënuar rënie.
Porse rezultate të dobëta nuk ka vetëm në Kosovë. Programi i Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve ka nxjerrë të dhëna alarmuese në lexim dhe matematikë në nivel bote.