Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar rezultatet e testit PISA 2025, të cilat tregojnë se performanca e nxënësve 15-vjeçarë ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2022 në shkencë dhe lexim, ndërsa në matematikë është shënuar rënie. Kosovarët sërish janë kah fundi i listës.
Në edicionin e vitit 2025 të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, i zhvilluar nga 10 deri më 30 maj, morën pjesë 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës.
Sipas rezultateve, nxënësit e Kosovës kanë shënuar mesatarisht 357 pikë në shkencë dhe 340 pikë në lexim. Në krahasim me PISA 2022, rezultati në shkencë ka mbetur i pandryshuar, ndërsa në lexim ka shënuar rënie nga 342 në 340 pikë.
Në matematikë, nxënësit kanë marrë mesatarisht 350 pikë, pesë pikë më pak se në vitin 2022. Ndërkohë, rezultati më i lartë është regjistruar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me 359 pikë.
Megjithatë, performanca e nxënësve të Kosovës në të katër treguesit kryesorë mbetet nën mesataren e vendeve anëtare të OECD-së.
Një tjetër gjetje është performanca më e lartë e vajzave.
“Në shkencë, vajzat kanë shënuar 366 pikë, ndërsa djemtë 347 pikë, me një diferencë prej 19 pikësh. Në lexim, vajzat kanë arritur 358 pikë, krahasuar me 322 pikë te djemtë, duke shënuar një diferencë prej 36 pikësh. Ndërsa në matematikë, rezultatet janë pothuajse të barabarta, me 351 pikë për vajzat dhe 350 pikë për djemtë, me vetëm 1 pikë diferencë”, thuhet në raport.
Rezultatet tregojnë gjithashtu për një numër të madh nxënësish që nuk arrijnë nivelin bazë të aftësive të përcaktuar nga PISA.
Në vitin 2025, rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë arritën të paktën Nivelin 2 në shkencë, ndërsa kjo përqindje ishte 15 për qind në matematikë dhe rreth 16 për qind në lexim.
Leximi fillestar i rezultateve të PISA 2025 sugjeron që ndërhyrjet në sistemin arsimor duhet të orientohen drejt rritjes së cilësisë së të nxënit dhe përparimit të të gjithë nxënësve.
Raporti rekomandon gjithashtu përdorim më efektiv të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, jo vetëm si mjete instrumentale, por për kërkim, analizë, verifikim dhe krijim të pavarur të njohurive.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se do të analizojë në detaje gjetjet dhe të dhënat e PISA 2025. Sipas saj, raporti do të shërbejë si referencë për ndërhyrjet dhe përmirësimet sistematike, metodologjike dhe pedagogjike që pritet të përfshihen në Strategjinë e re të Arsimit.
Kina, Singapori dhe Japonia kryesojnë renditjen në PISA 2025, sipas rezultateve të publikuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Në vlerësimin e PISA 2025, Kina është renditur e para me 594 pikë, e ndjekur nga Singapori me 561 pikë, ndërsa Japonia renditet e treta.
Nxënësit nga Kosova ishin renditur të 74-tët në mesin e bashkëmoshatarëve të tyre nga 80 shtete pjesëmarrëse në testin PISA 2022. Në raport është theksuar se 85 për qind e 15-vjeçarëve nga Kosova nuk kanë mundur të zgjidhin një detyrë të thjeshtë matematikore, e 83 për qind e tyre nuk kanë arritur ta kuptojnë një tekst me gjatësi mesatare.
OEK: Rezultatet e PISA-s alarm për arsimin dhe ekonominë e Kosovës
Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se rezultatet e testit PISA 2025, janë një alarm për arsimin por edhe ekonominë e Kosovës.
OEK ka thënë se ky rezultat duhet të shërbejë si alarm për veprime konkrete. Ka shtuar se nuk mund të ndërtohet ekonomi konkurruese e së ardhmes pa një sistem arsimor që përgatit të rinj me njohuri.
“Për OEK-un, kjo nuk është vetëm çështje e arsimit. Cilësia e arsimit përcakton drejtpërdrejt cilësinë e fuqisë punëtore, produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe aftësinë e Kosovës për të tërhequr investime. Rezultatet e PISA-s duhet të shërbejnë si alarm për veprim konkret. Nevojitet bashkëpunim më i strukturuar ndërmjet institucioneve arsimore, Qeverisë dhe sektorit privat, me fokus në përmirësimin e aftësive bazë dhe lidhjen e arsimit me tregun e punës. OEK tashmë ka kontribuar në zhvillimin e arsimit dual dhe është e gatshme të mobilizojë bizneset për të ofruar më shumë mundësi për praktikë profesionale, mentorim dhe mësim në vendin e punës. Kosova nuk mund të ndërtojë një ekonomi konkurruese të së ardhmes pa një sistem arsimor që përgatit të rinj me njohuri, aftësi praktike dhe kapacitet për t’iu përshtatur ndryshimeve në tregun e punës”, thuhet në reagim.
Ahmeti për testin PISA: Alarmi i fundit që ta trajtojmë arsimin si urgjencë kombëtare
Rezultatet e testit PISA që sërish kanë renditur Kosovën kah fundi i listës në nivel bote për nxënësit në matematikë, lexim e shkencë, duhet të shihen si alarmi i fundit që Kosova ta trajtojë arsimin si urgjencë kombëtare, ka vlerësuar Agon Ahmeti nga organizata ETEA.
Në emisionin “tre8tre” në KTV, Ahmeti ka thënë se “s’ka çka të jetë më alarmuese se kjo”.
Të martën, PISA publikoi testet e vitit 2025. Aty nxënësit 15-vjeçarë nga Kosova sërish dolën kah fundi i listës. Më shumë se 80 për qind në lëndë të ndryshme (matematikë, lexim e shkencë) s’ia dolën as në nivelin e dytë.
“Mendoj se kjo duhet të jetë alarmi i fundit që Ministria, drejtoritë komunale, akterët e arsimit të ulen dhe ta trajtojnë seriozisht këtë situatë dhe t’i adresojnë problemet esenciale që kanë të bëjnë me arsimin. Të trajtohet si urgjencë kombëtare çështja e arsimit. S’di sa më alarmuese duhet të jetë për qeveritë. Secila e ka përgjegjësinë e vet, por arsimi duhet të dalë përtej kalkulimeve politike partiake”, ka thënë ai.
Vetë Ahmeti ka thënë se nuk është i befasuar me rezultatin zhgënjyes. Ai ka thënë se sistemi është fajtor duke shtuar se sistemi arsimor në Kosovë është ndër më të dobëtit në nivel bote.
Ahmeti thjeshtëzon pyetjet e PISA-s: Çka nuk ditën nxënësit e Kosovës
Agon Ahmeti, drejtor i organizatës ETEA, në një shkrim në Facebook ka thjeshtëzuar detyrat në të cilat kanë dështuar nxënësit e Kosovës në testin PISA.
Ai ka thënë se Kosova po shkon drejt totalitetit të analfabetizmit funksional.
“Sot dolën rezultatet e PISA-s: 85% e nxënësve kosovarë dështuan në matematikë, 84% në lexim dhe 79% në shkencë”, ka shkruar ai.
Çka nuk ditën fëmijët e Kosovës
Shembujt që ai ka thjeshtëzuar në matematikë, lexim e shkencë:
◾️ MATEMATIKË:
Për me shku në qytet janë dy mënyra të mundshme:
- Rruga A: 30 km deri në një fshat, pastaj 40 km deri në qytet
- Rruga B: 60 km drejtpërdrejt në qytet
Cila rrugë është më e shkurtër?
Fatkeqësisht, 85% e nxënësve janë të prirur me zgjedh rrugën A sepse nuk arrijnë me kuptu që fillimisht duhet me i mbledh sa bëjnë 30+40 për me kuptu që rruga B është 10 km më e shkurtër...
◾️ LEXIM:
Lexoni tekstin "Arta e kishte pritur gjithë javën piknikun e së dielës. Çantën e mbante afër shtratit që nga e mërkura. Kur u zgjua të dielën në mëngjes dhe e pa shiun nga dritarja, çantën e futi përsëri në dollap".
Pse Arta e futi çantën përsëri në dollap?
Fatkeqësisht, 84% e nxënësve nuk arrijnë me kuptu që Artës ia prishi shiu planet për piknik...
◾️ SHKENCË:
Dy peshqirë të njëjtë lagen me të njëjtën sasi uji. Njëri shtrihet, tjetri lihet i palosur. Pas dy orësh, peshqiri i shtrirë është i terur, ndërsa i palosuri jo, pse?
Fatkeqësisht, 79% e nxënësve nuk arrijnë me kuptu që peshqiri i shtrirë ka më shumë sipërfaqe në kontakt me ajrin dhe rrjedhimisht uji avullon më shpejt...
PISA: Sa dinë matematikë, lexim e shkencë 15-vjeçarët në Kosovë
Kosova sërish ka dalë ndër vendet më të dobëta në rezultatet e fundit të publikuara për testin PISA 2025.
Ajo ka mbetur pothuajse në të njëjtin vend krahasuar me vlerësimin e bërë për 15-vjeçarët në vitin 2022 dhe më 2018.
Krahasuar me rezultatet e vitit 2025, mesatarja e rezultateve për vitin 2025 është më e ulët në matematikë, ndërsa e njëjtë në lexim dhe shkencë. Ndërsa edhe më të ulëta janë shënuar krahasuar me të tria lëndët në vitin 2018.
Në matematikë, Kosova ka marrë 351 pikë, krahasuar me 355 në vitin 2022. Pra, ka pasur një rënie prej 4 pikësh. Mesatarja në shtetet që janë pjesë e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) ishte 463 pikë, që do të thotë se Kosova është rreth 112 pikë nën mesataren e OECD-së.
Në lexim, Kosova ka marrë 340 pikë, dy pikë më pak se në PISA 2022, kur kishte 342 pikë. Mesatarja e OECD-së në PISA 2025 ishte 461 pikë. Pra, Kosova është rreth 120 pikë nën mesataren e OECD-së.
Shkenca ishte fusha kryesore e PISA 2025. Kosova ka marrë 357 pikë, një rezultat praktikisht i njëjtë me vitin 2022. Kjo është rreth 125 pikë nën mesataren e OECD-së prej 482 pikësh.
Në raport bëhet e ditur se pothuajse asnjë nxënës nga Kosova nuk ishte ndër performuesit më të mirë në shkencë, që do të thotë se aftësitë e tyre llogariten në nivelin 5 ose 6.
Këta nxënës thuhet se mund të zbatojnë në mënyrë krijuese dhe të pavarur njohuritë e tyre për shkencën dhe rreth saj në situata të ndryshme.
Sa i përket asaj se çfarë dinë dhe çfarë mund të bëjnë nxënësit në fushën e matematikës, në Kosovë 15% e nxënësve arritën të paktën Nivelin 2 të aftësisë në matematikë (mesatarja e OECD-së: 65%).
Këta nxënës mund të interpretojnë dhe të dallojnë, pa udhëzime të drejtpërdrejta, se si një situatë e thjeshtë mund të paraqitet në mënyrë matematikore (p.sh. krahasimi i distancës totale përgjatë dy rrugëve alternative, ose shndërrimi i çmimeve në një monedhë tjetër).
Ndërsa në lexim, rreth 16% e nxënësve në Kosovë arritën Nivelin 2 ose më të lartin (mesatarja e OECD-së: 69%).
Më së paku që mund të bëjnë këta nxënës është të identifikojnë idenë kryesore në një tekst me gjatësi mesatare, të gjejnë informacion bazuar në kritere të qarta, ndonëse ndonjëherë komplekse, dhe mund të reflektojnë mbi qëllimin dhe formën e teksteve kur udhëzohen në mënyrë të qartë për ta bërë këtë.
Në Kosovë, pothuajse asnjë nxënës nuk shënoi në Nivelin 5 ose më të lartë në lexim (mesatarja e OECD-së: 6%). Këta nxënës mund të kuptojnë tekste të gjata, mund të bëjnë dallime midis faktit dhe opinionit, bazuar në të dhëna të nënkuptuara që lidhen me përmbajtjen ose burimin e informacionit.
Ulje është shënuar edhe në raportet për mbështetjen e prindërve në pothuajse të gjitha vendet dhe ekonomitë pjesëmarrëse në PISA krahasuar me dy edicionet e kaluara, përfshirë Kosovën.
Në vitin 2025, 64% e studentëve në Kosovë raportuan se prindërit ose kujdestarët e tyre i pyesin, të paktën një herë në javë, se çfarë bëjnë në shkollë, ndërsa 50% raportuan se kishin diskutime të paktën një herë në javë rreth problemeve që mund të kishin në shkollë. Në vitin 2022, përqindjet përkatëse ishin përkatësisht 74% dhe 65%.
Opozita akuzon Qeverinë për rezultatet e testit PISA
Deputetë të partive opozitare ia kanë vënë fajin Qeverisë për rezultatin e testit PISA i cili tregoi se performanca e nxënësve ka mbetur pothuajse e njëjtë me vitin 2022 e në disa lëndë edhe më keq se atëherë.
Ata kanë akuzuar se në Kosovë po fundoset sistemi arsimor.
Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, në një postim në Facebook ka shkruar se është e papranueshme që rezultatet e nxënësve të Kosovës në PISA të vazhdojnë të bien, duke deklaruar se arsimi ende pret të trajtohet me seriozitetin që meriton.
Ka thënë se krahasuar me vitin 2015, përqindja e nxënësve që mbeten nën nivelin bazë të aftësive është rritur me 7 pikë përqindjeje në matematikë, 7 në lexim dhe 11 në shkencë. Sipas saj, këto shifra janë alarmante, sepse ka vlerësuar ajo, pas tyre janë fëmijë që po kalojnë vite në shkollë pa marrë përgatitjen që u duhet për jetën.
“Si deputete dhe si mësimdhënëse, e kam të pamundur ta pranoj këtë rënie si diçka me të cilën duhet të mësohemi. Fëmijët tanë kanë potencial, ndërsa ne kemi përgjegjësi t’u sigurojmë arsimin që e zhvillon atë. Kjo gjendje duhet të na alarmojë si shoqëri dhe të na shtyjë të veprojmë menjëherë. Ministria duhet të dalë me masa konkrete, afate dhe përgjegjësi të qarta, duke punuar me komunat, mësimdhënësit dhe prindërit për të sjellë përmirësim real në çdo klasë. Çdo vit i humbur në arsim ua ngushton mundësitë një brezi të tërë. Fëmijët tanë meritojnë veprim tani”, ka shkruar ajo.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka thënë se këto rezultate tregojnë se vendi ka arsimin më të dobët në botë. Ka akuzuar se vetë qeveritarët po i shkollojnë fëmijët nëpër shkolla të njohura në Evropë, ndërkaq në Kosovë sistemi arsimor po fundoset.
“Rezultatet e PISA-s po tregojnë se arsimin e kemi ndër më të dobëtit në BOTË. Më keq se herën e kaluar. Më keq se pothuajse të gjithë. Ju marroftë Zoti, more amatera! Na e morët në qafë shtetin. Na i morët në qafë fëmijët. Na e morët në qafë një gjeneratë të tërë. E ndërkohë, fëmijët tuaj i shkolloni nëpër Evropë. Për fëmijët tuaj – shkollat e Evropës. Për fëmijët e Kosovës – një sistem që po fundoset çdo vit”, ka shkruar ai.
Në edicionin e vitit 2025 të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, i zhvilluar nga 10 deri më 30 maj, morën pjesë 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës. Sipas rezultateve, nxënësit e Kosovës kanë shënuar mesatarisht 357 pikë në shkencë dhe 340 pikë në lexim. Në krahasim me PISA 2022, rezultati në shkencë ka mbetur i pandryshuar, ndërsa në lexim e matematikë ka shënuar rënie.
Porse rezultate të dobëta nuk ka vetëm në Kosovë. Programi i Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve ka nxjerrë të dhëna alarmuese në lexim dhe matematikë në nivel bote.
Testi i PISA-s nxjerr shifra alarmuese në nivel bote
Programi i Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve ka nxjerrë të dhëna alarmuese në lexim dhe matematikë në nivel bote.
I njohur si PISA, ky studim botëror mat se sa kanë aftësi 15-vjeçarët, në matematikë, lexim dhe shkencë. Fillimisht është realizuar më 2000 dhe konsiderohet matja më me ndikim në çështjet e arsimit. Më 2025, më shumë se 760 mijë nxënës në 91 shtete u përfshinë në test.
Në periudhën 2015-2025, aftësitë në lexim kanë pësuar më së shumti rënie, duke rënë për 28 pikë në shtetet që janë pjesë e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Për 16 pikë pati rënie në shtetet tjera.
Në matematikë, në nivel mesatar pati rënie prej 22 pikësh në shtetet pjesë të OECD-së dhe tetë pikë në pjesën tjetër të botës.
Edhe në shkencë në nivel të përgjithshëm pati rënie.
Sipas të dhënave, gati çdo i treti 15-vjeçar konsiderohet me “performancë të ulët” në të tri drejtimet. Kjo nënkupton se ata kanë telashe në interpretim të të dhënave të thjeshta apo në deshifrimin e një grafiku. Në lexim, ata kanë vështirësi të gjejnë informacione në teskte të thjeshta. Në matematikë, nuk kuptojnë raportet mes njësive dhe çmimeve – aftësi themelore të nevojshme për blerje të ushqimeve.
Sipas studimit, 20 pikë janë ekuivalent i një viti me mësim. Kjo nënkupton se 15-vjeçarët tani po performojnë sikur të ishin 14-vjeçarë.
Autorët e studimit kanë thënë se një prej arsyeve të rënies së nivelit arsimor është mbyllja e shkollave për shkak të COVID-19. Ndikim mund të ketë pasur edhe inteligjenca artificiale. Më shumë se 40 për qind e nxënësve kanë thënë se e përdorur.
Edhe në Kosovë pati ngecje në këtë test. Sipas rezultateve, nxënësit e Kosovës kanë shënuar mesatarisht 357 pikë në shkencë dhe 340 pikë në lexim. Në krahasim me PISA 2022, rezultati në shkencë ka mbetur i pandryshuar, ndërsa në lexim ka shënuar rënie nga 342 në 340 pikë.