Prej disa muajsh gjendja në pjesën rreth Urës së Gani Tadës në Qendrën Historike të Prizrenit është e palakmueshme për banorët dhe kalimtarët. Aty ish-qeveria komunale kishte filluar punimet pa pëlqimin e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, që kishte rezultuar me pezullimin e tyre nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Tani zyrtarët e Komunës janë zotuar se projektin do ta revidojnë duke i marrë parasysh rekomandimet e QRTK-së
Projekti i iniciuar nga ish-qeveria komunale e Prizrenit për rigjenerimin urban të urave e brigjeve të Lumbardhit vazhdon që të jetë i pezulluar si rezultat i një vendimi të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Si rrjedhojë, prej muajsh është krijuar një gjendje e palakmueshme në pjesën rreth Urës së Gani Tadës.
Për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe të ekzekutivit të ri të Komunës së Prizrenit rishtazi kanë zhvilluar disa takime, ku është vënë në pah nevoja për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga QRTK-ja.
Sipas drejtorit të QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, gjendja në këtë pjesë të zonës historike nuk është e mirë dhe për këtë arsye me zyrtarët komunalë ka pasur diskutime për adresimin e këtij problemi.
“Në parim jemi dakorduar që Komuna e Prizrenit t’i merr për bazë të gjitha rekomandimet e dhëna nga QRTK-ja, t’i inkorporojë në projektin ideor dhe në projektin zbatues, ta risjellë në QRTK për të marrë pëlqimin dhe aprovimin paraprak dhe më pas të rifillojnë punimet. Në parim jemi dakorduar që të bëhen këto ndryshime. Ne jemi në pritje të sjelljes së projektit dhe në momentin që do të vijë projekti do të shohim se a janë marrë për bazë të gjitha vërejtjet tona”, ka thënë Hoxha.
Punimet në projektin për rigjenerimin e brigjeve dhe urave të Lumbardhit kanë nisur te Ura e Gani Tadës dhe bregut përreth në nëntor të vitit të shkuar, gjatë fushatës paraelektorale për zgjedhjet komunale, me iniciativën e pushtetarëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që konsideronin se kanë vepruar në përputhje me ligjin. Nisja e këtyre punimeve, pa pëlqimin e QRTK-së, kishte bërë që kjo e fundit të përplasej me pushtetin lokal, gjë që pati sjellë deri te intervenimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për t’i ndaluar ato. Edhe monitoruesit nga OJQ “EC Ma Ndryshe” kanë konsideruar se bazuar në legjislacion, për çdo ndërhyrje në infrastrukturën e Qendrës Historike të Prizrenit nevojitet pëlqimi i QRTK-së. Njëherësh kanë kërkuar nga të gjitha institucionet që në raport me këtë projekt të ndërmarrin masa për respektimin e ligjshmërisë në Qendrën Historike të Prizrenit dhe që në të ardhmen projektet e kësaj natyre të realizohen me transparencë të plotë, me konkurs publik dhe me pjesëmarrje të qytetarëve.
Pavarësisht këtyre reagimeve, ish-qeveria komunale kishte urdhëruar vazhdimin e punimeve në këtë pjesë, duke e detyruar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore që në dhjetor të vitit të shkuar t’i ndalojë ato për herë të dytë.
Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prizrenit, Jona Hoxhaj, ka pohuar se projekti i nisur nga ish-qeverisja komunale ka pasur probleme në aspektin e ligjshmërisë, dhe se ekzekutivi aktual po angazhohet që në përputhje me rekomandimet e QRTK-së në afat sa më optimal ta sanojë gjendjen në këtë zonë.
“Kemi formuar një grup punues ose kemi bërë një takim me të gjitha palët duke përfshirë drejtorin e Urbanizmit, drejtorin e Shërbimeve Publike dhe drejtorin e QRTK-së, dhe së bashku me ta kemi vendosur që në bazë të rekomandimeve të QRTK-së për mbrojtjen e Qendrës Historike ne do të bëjmë një projekt sipas rekomandimeve dhe do të vazhdojmë punën dhe sanimin e dëmeve që tashmë janë bërë në atë vend”, ka deklaruar Hoxhaj.
Nisma për intervenime në brigjet e urat e Lumbardhit është prezantuar në maj të vitit të shkuar si projekt që synon pamje atraktive të Prizrenit. Në rigjenerimin e brigjeve të Lumbardhit përfshihen urat dhe kejet përreth lumit, që nga lagjja “Marashi” e deri te ura përballë Brigadës së Zjarrfikësve. Sipas një njoftimi të mëhershëm të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës që ka bashkëpunuar me Komunën e Prizrenit në projektim, ky projekt synon të sigurojë qëndrueshmërinë e Qendrës Historike të Prizrenit, duke e shndërruar në një mjedis funksional dhe më lehtë të qasshëm për të gjithë qytetarët dhe vizitorët, duke planifikuar dhe siguruar më shumë hapësira publike, të përshtatshme për këmbësorë, më shumë gjelbërim, dukje dhe veprimtari të ndryshme.