Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxha: Komuna e Prizrenit nisi rigjenerimin e Lumbardhit me tenderë të jashtëligjshëm

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK), Samir Hoxha, ka thënë se punimet në projektin e Komunës së Prizrenit për “Regjenerimin Urban të brigjeve të lumit Lumbardh” kanë filluar pa pëlqimin e organeve të trashëgimisë kulturore.

Hoxha ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se QRTK-ja ka dhënë vërejtjet e saj me kohë për këto punime, porse ato nuk janë marrë parasysh nga Drejtoria e Urbanizmit në Prizren, duke shtuar se komuna ka nisur punimet me tenderë të jashtëligjshëm.

“Në këto takime ne si Qendër Rajonale kemi dhënë disa prej vërejtjeve dhe sugjerimeve tona dhe asnjëherë këto vërejtje, sugjerime dhe rekomandime tona nuk janë marrë për bazë nga komuna e Prizrenit. Ata hartuan projektin ideor, e sollën tek ne për ta marrë aprovimin dhe ne brenda institucionit tonë, e bëmë vlerësimin e tij dhe kthyem në komunë të Prizrenit, për tu marrë përsipër vërejtjet dhe rekomandimet që kishin bazë ligjore. Nuk u morën për bazë prapë rekomandimet tona dhe në shpërputhje të plotë me Ligjin për qendrën historike, Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative dhe Ligjin për trashëgimi kulturore i dhanë leje vetes që të vepronin. Propozimet tona janë të mëhershme, para se të hartohej projekti ideor. Gjatë procesit të hartimit të projektit ideor kemi dhënë vërejtje të theksuara sepse insistonin që t’i ndërrohej fizionomia urave dhe çeshmeve që gjenden në qendrën historike të Prizrenit dhe me këtë bëhet shkelje flagrante e Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe e Ligjit për Qendrën Historike, sepse të gjitha ato kanë status të mbrojtur ligjor andaj ato monumente duhet të trajtohen detajisht dhe duhet të jenë në përputhje me standarde dhe kritere që i përcakton ligji”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, komuna e Prizrenit donte të impononte një projekt ideor dhe i ka dhënë leje vetës pa u përfillur procedura ligjore.

“Ne kemi kërkuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore që me urgjencë të ndalojë punimet në këto ura sepse edhe dhënia e tenderit është dhënë në mënyrë të jashtëligjshme pa u pajisur me pëlqim. Komuna e Prizrenit ka filluar ta zbatojë një projekt me projekt ideor. Nuk i kanë detajet siç do të duhej të parashihej në një projekt. Ne në momentin që e kemi pranuar vendimin e komunës së Prizrenit, kemi ankimuar këtë vendim në shkallën e dytë, në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka thënë Hoxha.

Punimet në projektin e Komunës së Prizrenit për “Regjenerimin Urban të brigjeve të lumit Lumbardh” janë ndaluar nga Inspektorati për Trashëgiminë Kulturore të MKRS-së.