Me projekt, për 360 ditë pune, brigjet e Lumbardhit e infrastruktura e Qendrës Historike të Prizrenit do të merrnin pamje tjetër. E për këtë, Komuna e Prizrenit dhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore kishin punuar bashkë në hartim projekti. Por kur nisi puna, nisën edhe përplasjet. E para punoi krye më vete, QRTK-ja akuzon se janë shpërfillur vërejtjet e saj. Rezultati i episodit të parë, ndërprerja e punimeve. Njëra palë akuzon se edhe kjo është bërë jashtëligjshëm. Në lojë janë futur edhe institucionet qendrore
Projekti për rigjenerimin e brigjeve të Lumbardhit ka shkaktuar përplasje ndërmjet Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Komunës së Prizrenit, ani pse gjatë këtij viti këto dy institucione kanë bashkëpunuar në procesin e hartimit të tij. Madje, pas fillimit të punimeve të iniciuara nga Komuna e Prizrenit ka intervenuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore duke i ndaluar ato.
QRTK-ja në Prizren konsideron së vërejtjet që i ka dhënë nuk janë marrë parasysh nga organet komunale dhe për pasojë nuk e ka lëshuar pëlqimin për këtë projekt. Në anën tjetër, Drejtoria e Urbanizimit ka vlerësuar se ka ndjekur hapat ligjorë për ta lëshuar lejen për këtë projekt, për të cilin aktvendim QRTK-ja ka parashtruar ankesë në shkallën e dytë të vendimmarrjes. Ankesa e QRTK-së, deri në momentin e raportimit, nuk është trajtuar. Ndërkohë organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” përmes një reagimi ka shprehur qëndrimin se sipas legjislacionit në fuqi për çdo ndërhyrje në infrastrukturën e Qendrës Historike të Prizrenit nevojitet pëlqimi i QRTK-së dhe se ky nuk është rasti i vetëm që organet komunale gjatë këtij mandati kanë iniciuar punime në këtë zonë të mbrojtur pa pëlqimin e këtij organi të trashëgimisë kulturore.
Shpërfillja e vërejtjeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore
Drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, ka bërë të ditur se ky institucion me DUPH-në e Prizrenit sivjet ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me qëllim të bashkëkoordinimit të veprimeve për hartimin e projektit për rigjenerimin e brigjeve të Lumbardhit, si dhe disa projekteve të tjera restauruese-konservuese në zonën historike.
“Në zbatim të këtij memorandumi zyrtarët e QRTK-së kanë marrë pjesë në disa takime të grupeve punuese të organizuara nga DUPH-ja dhe në ato takime kanë dhënë vërejtjet, sugjerimet e rekomandimet e tyre në raport me projektin ideor për rigjenerimin e brigjeve të Lumbardhit. Është fatkeqësi e madhe që asokohe nga ana e DUPH-së, si iniciatore e këtij projekti, nuk janë marrë për bazë vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e zyrtarëve të QRTK-së në Prizren, ku si rezultat i anashkalimit të propozimeve tona, DUPH ka vazhduar që përmes një projekti ideor të fillojë punimet në realizimin e këtij projekti, që do të thotë pa e marrë aprovimin paraprak sipas Ligjit për Qendrën Historike dhe Ligjit për trashëgimi kulturore që parasheh që çdo projekt që realizohet në zonën historike dhe në monumente duhet të pajiset me pëlqim të shkruar nga QRTK-ja”, ka thënë Hoxha. Sipas tij me të pranuar lejen e lëshuar nga DUPH-ja për këtë projekt, QRTK-ja ka analizuar aspektin ligjor e juridik dhe e ka ankimuar në MMPHI, duke e konsideruar këtë vendimmarrje të paligjshme.
“Deri më tani ne ende nuk kemi pranuar një njoftim zyrtar nga MMPHI-ja dhe jemi në pritje të vendimmarrjes. Besojmë se në proces që nga fillimi i hartimit të projektit dhe dhënia e lejes ka shkelje të mëdha dhe presim që MMPHI-ja ta anulojë vendimin e DUPH-së dhe që procesi të kthehet komplet në pikën zero. Përkundër kësaj Komuna e Prizrenit ka filluar me zbatimin e këtij projekti dhe përkundër përpjekjeve tona në koordinim me MKRS-në, që t’i pezullojnë punimet derisa të pranohet përgjigja nga MMPHI, ata me arrogancë nuk e kanë pranuar ndalimin e punimeve dhe jemi detyruar në përputhje me mandatin e detyrimet ligjore ta njoftojmë Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, që i ka ndaluar punimet në zbatimin e këtij projekti. Besojmë se së shpejti vendimi i Komunës së Prizrenit për dhënie të lejes për zbatimin e këtij projekti do të anulohet nga ana e nivelit qendror”, ka deklaruar Hoxha.
Akuza për ndërprerje të jashtëligjshme të punimeve
Për dallim prej tij, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Beni Kizolli, ka sqaruar se projekti i rigjenerimi të brigjeve të Lumbardhit është njëra prej rekomandimeve të Planit të menaxhimit të Qendrës Historike të qytetit.
“Për këtë projekt me kryetarin patëm vlerësuar se a të shkojmë me tender, me konkurs apo me ndonjë mënyrë tjetër. Edhe patëm ofertë prej Shoqatës së Arkitektëve të Kosovës. Ata e morën përsipër me hartu këtë projekt në mënyrë vullnetare, pa kompensim. Edhe vendosëm që gjatë procesit me qenë të përfshira edhe institucionet si QRTK dhe KTK. Prej shkurtit deri në fund të majit kemi punuar bashkë, çdo javë, në një mënyrë ata ishin pjesë përbërëse e kësaj. Me vërejtjet e sugjerimet e tyre arritëm versionin e fundit. Edhe ne formalisht ia dërguam KTK-së dhe QRTK-së për të kërkuar pëlqimet. KTK na ka kthyer pëlqimin brenda 10 ditësh, derisa QRTK-ja kërkoi kohë shtesë dhe në fund rekomandimet që i ka dhënë ia ndryshonte krejt pamjen e projekteve që i kishim dhënë ne”, ka thënë Kizolli.
Sipas tij dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike parashohin që nëse investitori është i pakënaqur me rekomandimet e QRTK-së, atëherë mund të kërkojë konsultime shtesë.
“Ne nëpërmjet KTK-së, siç e parasheh ligji, kemi mbajtur konsultime shtesë, ku sipas ligjit pas këtyre konsultimeve paraqiten qëndrimet. KTK-ja brenda javës i paraqet qëndrimet përfundimtare, e QRTK-ja nuk përgjigjet hiç. Edhe ligji e thotë që brenda muajit nëse nuk ka përgjigje, Urbanizmi mundet me e lëshu lejen. Ne e nxorëm lejen dhe filluam procesin. Ligji për Qendrën Historike thotë se nëse QRTK-ja është e pakënaqur me vendimin e urbanizmit, mundet me u anku në MMPHI e MMPHI, në konsultim me MKRS-në e vlerëson ankesën e QRTK-së. Përndryshe lejen që e kemi nxjerrë është e ligjshme për momentin, derisa MMPHI-ja nuk e hedh poshtë”, ka theksuar Kizolli, duke shtuar se bazuar në këtë leje edhe është zhvilluar procesi i prokurimit dhe përzgjedhja e operatorit, si dhe kanë filluar punimet.
Ai ka pranuar se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndaluar punimet, por vetëm me procesverbal dhe jo me një vendim.
“ITK i ka ndaluar punimet me procesverbal, jo me vendim. Kjo është e jashtëligjshme sepse ata nuk kanë të drejtë me ndërhy në këtë rast, se janë palë, pa e marrë përgjigjen e MMPHI-së. S’di ku janë bazuar, por vetëm e kanë përdorur autoritetin dhe i kanë ndalë punimet”, është shprehur Kizolli.
Çështja në dorë të institucioneve qendrore
Lidhur me këtë çështje të mërkurën ka reaguar edhe OJQ “EC Ma Ndryshe”, e cila duke u bazuar në një përgjigje zyrtare, që ka pranuar nga MKRS-ja, ka bërë të ditur se ankesa e QRTK-së ende nuk është trajtuar.
“Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi (respektivisht neni 18, i Ligjit për Qendrën Historike), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka përcjellë ankesën në fjalë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Me qëllim të trajtimit të ankesës, nga MKRS është deleguar një zyrtar ligjor. Kjo informatë është dërguar në MMPHI dhe kërkohet që në bashkëpunim me zyrtarët nga KKTK-ja dhe MMHPI-ja të trajtohet më tutje ankesa e parashtruar. Pas trajtimit të kësaj ankese nga institucionet përkatëse dhe në bazë të dispozitave ligjore në fuqi do të kërkohet ndërmarrja e hapave në përputhje me vendimin e dalë nga ankesa e shqyrtuar. Ne do të angazhohemi që kjo çështje të trajtohet me prioritet dhe të sigurohet zbatimi i ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen që MKRS-ja i ka ofruar kësaj organizate.
EC-i ka nënvizuar se, sipas legjislacionit në fuqi, për çdo ndërhyrje në infrastrukturën e Qendrës Historike të Prizrenit nevojitet pëlqimi i QRTK-së dhe se ky nuk është rasti i vetëm që organet komunale gjatë këtij mandati kanë iniciuar punime në këtë zonë të mbrojtur pa pëlqimin e këtij organi të trashëgimisë kulturore.
“Pos kësaj fillimi i punimeve në këtë projekt, në kohë fushate, pa pëlqimin e duhur të organit të trashëgimisë kulturore përbën edhe veprim jo-etik të zyrtarëve institucionalë”, thuhet në reagim.
EC-i u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve relevante që në raport me këtë projekt të ndërmarrin masa për respektimin e ligjshmërisë në Qendrën Historike të Prizrenit dhe që në të ardhmen projektet e tilla të realizohen me transparencë të plotë, me konkurs publik dhe me pjesëmarrje të qytetarëve.
Nisma për intervenime në brigjet e Lumbardhit është prezantuar muaj më parë si projekt që synon pamje atraktive të Prizrenit. Në rigjenerimin e brigjeve të Lumbardhit, përfshihen urat dhe kejet përreth lumit, që nga lagjja “Marashi” e deri tek ura përballë Brigadës së Zjarrfikësve. Sipas një njoftimi të mëhershëm të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës ky projekt synon të sigurojë qëndrueshmërinë e Qendrës Historike të Prizrenit, duke e shndërruar në një mjedis funksional dhe më lehtë të qasshëm për të gjithë qytetarët dhe vizitorët, duke planifikuar dhe siguruar më shumë hapësira publike, të përshtatshme për këmbësorët, më shumë gjelbërim, dukje dhe veprimtari të ndryshme.