Ndalimi i punimeve është masa e shqiptuar ndaj ndërhyrjeve të paautorizuara të Komunës së Prishtinës para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, zonë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore. Komuna e Prishtinës gjatë ditës së hënë s’ka shkuar në Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore për të pranuar procesverbalin, dokumenti i parë që lëshohet pasi shqiptohet masa e ndalimit të punimeve
Institucionet e trashëgimisë kulturore janë vënë në lëvizje një javë pasi Komuna e Prishtinës ka ndërhyrë para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, monument nën mbrojtje të përhershme nga shteti. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ka konstatuar se bëhet fjalë për veprime të paautorizuara, kurse Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka shqiptuar masën: ndalim punimesh. Vendosja e tabelës për ndalimin e punimeve është bërë paraditen e së hënës.
“Largimi apo dëmtimi i kësaj shenje zyrtare me qëllim të vazhdimit të punimeve është e përcaktuar si vepër penale sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, shkruhet në tabelën që njofton ndaljen e punimeve në vendpunishte. Pas kësaj, mjetet e rënda kanë ndalur punën.
Komuna e Prishtinës gjatë ditës së hënë s’ka shkuar në Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore për të pranuar procesverbalin, dokumenti i parë që lëshohet pasi shqiptohet masa e ndalimit të punimeve.
Komuna e Prishtinës s’është përgjigjur në lidhje me rastin.
Komuna ka shfrytëzuar si alibi projektin për sheshin “Xhorxh Bush” për të nisur me heqjen e kubëzave para ndërtesës së Bibliotekës. Në krye të herës ka qenë projekt i përbashkët. Por tash del se institucionet e trashëgimisë kulturore, kur kanë miratuar atë projekt, në dosje s’është përfshirë pjesa para Bibliotekës.
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, përgjegjëse për trashëgiminë kulturore të rajonit të kryeqytetit, pas inspektimit të bërë të premten, ka konstatuar se punimet janë duke u zhvilluar edhe në perimetrin dhe zonën mbrojtëse të këtij aseti të trashëgimisë kulturore.
Edhe
Nënkalimi tek “Agim Ramadani” është “rrezik për trashëgiminë”, projekti refuzohet për së dyti
“Çdo ndërhyrje në perimetrin dhe zonën mbrojtëse të aseteve u nënshtrohet dispozitave të legjislacionit për trashëgiminë kulturore dhe kërkon sigurimin paraprak të pëlqimeve nga institucionet kompetente, përfshirë IKMM-në përmes QRTK-Prishtinës. Andaj, kërkojmë që punimet në hapësirën e perimetrit dhe zonës mbrojtëse të Bibliotekës Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’ të mos vazhdojnë deri në sigurimin e pëlqimeve përkatëse nga institucionet e trashëgimisë kulturore, si dhe sqarimin e përfshirjes së kësaj ndërhyrjeje në projektin e miratuar”, shkruhet në dokumentin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të hartuar më 21 gusht.
Shkresa i është dërguar drejtoreshës së Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Zyhrije Pllana, si dhe drejtoreshës së Transformimit, Nora Cimili. Po ashtu, e njëjta shkresë i është dërguar edhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Ministrisë së Kulturës.
Ligji për Trashëgimi Kulturore, bashkë me aktet nënligjore, përcakton se në rastet kur ka ndërhyrje në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, pala – në këtë rast Komuna – duhet të drejtohet me shkresë që kërkon miratimin e projektit dhe të dorëzohet projekti i plotë. Pas miratimit të IKMM-së, që në këtë rast me ligj gëzon të drejtën e vetos, Komuna mund të nisë me sigurimin e vendpunishtes për implementimin e projektit.
Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se, në situatat kur zhvillohen punime afër monumenteve, duhet leje me shkrim.
“Cilado ndërhyrje që ndikon në tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore, kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon në mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
E menaxhmenti aktual i Komunës, veprime të tilla, i ka së paku pesë, pa llogaritur disa ndërhyrje rresht për projektin për sheshin “Xhorxh Bush”. Lejen për këtë shesh e ka marrë në qershorin e sivjetmë. Por, pa përfshirë në dosjen e aplikimit edhe pjesën para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, megjithëse si tender mbi 18 milionë euro e ka të përfshirë edhe këtë pjesë.
Në mars të vitit të kaluar, Komuna, pa përfillur Ligjin për Trashëgimi Kulturore, synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore. Punimet ishin ndërprerë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Pas aplikimit për leje, ajo nuk ishte dhënë, kryesisht për shkak të lokaleve që janë paraparë.
Edhe
Projektligji rrit dhe fuqizon Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime qysh vjet, kur Komuna aplikoi pas ndërprerjes së punimeve. IKMM-ja kishte kërkuar sqarime shtesë, siç janë analizat e kontekstit urbanistik e historik.
Pasi Komuna ka ripërpiluar dosjen dhe, po ashtu, ka hequr dorë nga lokalet afër monumenteve, leja i është miratuar.