Punimet para Bibliotekës Kombëtare kanë vazhduar, ndonëse institucionet e trashëgimisë kulturore kanë kërkuar ndalimin e tyre. Komuna e Prishtinës, sipas një shkrese të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, po ndërhyn edhe në zonën mbrojtëse të këtij aseti, pa pëlqimet përkatëse dhe jashtë projektit të miratuar
Komuna e Prishtinës ka vazhduar edhe të shtunën largimin e kabëzave në hapësirën para Bibliotekës Kombëtare, ndonëse një ditë më parë Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore që funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, ka kërkuar që punimet të ndalen.
Pas inspektimit të bërë të premten, kjo qendër ka konstatuar se punimet janë duke u zhvilluar edhe në perimetrin dhe zonën mbrojtëse të këtij aseti të trashëgimisë kulturore.
Në dokumentin e siguruar nga KOHA, thuhet se ndërhyrja nuk është e përfshirë as në projektin e aprovuar nga institucionet.
“Çdo ndërhyrje në perimetrin dhe zonën mbrojtëse të aseteve i nënshtrohet dispozitave të legjislacionit për trashëgiminë kulturore dhe kërkon sigurimin paraprak të pëlqimeve nga institucionet kompetente, përfshirë IKMM-në përmes QRTK-Prishtinës. Andaj, kërkojmë që punimet në hapësirën e perimetrit dhe zonës mbrojtëse të Bibliotekës Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’ të mos vazhdojnë deri në sigurimin e pëlqimeve përkatëse nga institucionet e trashëgimisë kulturore, si dhe sqarimin e përfshirjes së kësaj ndërhyrjeje në projektin e miratuar”, thuhet në dokumentin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore.
Shkresa i është dërguar drejtores së Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Zyhrije Pllana, si dhe drejtores së Transformimit, Nora Cimili.
KOHA ka adresuar pyetje në Komunë në lidhje me çështjet e ngritura në shkresë dhe për mosrespektimin e kërkesës për t’i ndalur punimet, por përgjigjet kanë munguar.
Njohësi i urbanizmit, Driton Tafallari, ka thënë se problemi nuk duhet parë vetëm te dokumentet, por edhe te mënyra se si projektet publike në kryeqytet janë bërë arenë e përplasjeve politike.
“Komuna e Prishtinës është vetë institucion i cili prej palëve kërkon që të merren leje për të mundur të zhvillohen aktivitete të ndryshme ndërtimore prandaj për mua është e pakuptimet në qoftë se vetë Komuna e Prishtinës ka mundur ta lejojë veten që të bëjë shkelje të kësaj natyre... Të jepet përshtypja që edhe me qëllim po bëhen këto lojëra që pastaj për të mundur ta akuzojnë njëra-tjetrën se ti ose ti i ke fajet”, ka thënë Tafallari.
Përveç çështjeve të ngritura pas inspektimit, ka edhe masë pezullimi nga gjykata për pjesën e projektit në hapësirën përballë Bibliotekës Kombëtare.