Kulturë

Kalldrëmi i Prizrenit – i pambrojtur nga shpërfillja e vendimeve 

Ani pse të gjitha palët janë të një mendjeje se kalldrëmi përbën identitetin historik të rrugëve dhe rrugicave të Prizrenit, kur vjen puna te ruajtja e tij dalin në pah shpërfilljet e vendimeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Rasti më i freskët janë punimet për vendosjen nën tokë të rrjetit elektrik në Qendrën Historike, që nuk po kryhen sipas “direktivave” në detaje të institucionit që e ka për detyrë edhe mbrojtjen e monumenteve. Tash, kur janë bërë jo pak gabime, kërkohet përmirësimi i tyre, në të kundërt janë organet e drejtësisë që do të merren me këtë çështje 

Projekti për vendosjen nën tokë të rrjetit elektrik në Qendrën Historike të Prizrenit ka ngjallur reagimin e autoriteteve të trashëgimisë kulturore, për shkak të dëmtimit të kalldrëmit në këtë zonë. Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, duke e parë se gjatë realizimit të punimeve nuk po respektohet pëlqimi i saj, ka njoftuar zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe të Komunës së Prizrenit, përkatësisht inspektoratet kompetente. Si rrjedhojë e këtij komunikimi, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i MKRS-së ka urdhëruar investitorin që t’i mënjanojë parregullsitë gjatë punimeve në këtë projekt.

“Urdhërohet investitori KEDS sh.a. që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi  t’i  mënjanojë  parregullsitë  gjatë punimeve  për zbatimin  e projektit   të  aprovuar  nga  Qendra  Rajonale  për  Trashëgimi   Kulturore  në  Prizren, konkretisht: t'i vendosin kubëzat në mënyrë profesionale,  në formën harkore; të  nivelizohet  terreni, të rregullohen fugat  sipas projektit  dhe  punët  tjera në pajtim me projektin  e aprovuar”, shkruan në vendimin e ITK-së të datës 17 qershor. 

Ky inspektorat e ka obliguar edhe QRTK-në që në afatin prej 15 ditësh pas pranimit të këtij vendimi ta njoftojë ITK-në nëse është zbatuar projekti i aprovuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Krahas kësaj, Inspektorati i MKRS-së në vendim ka përkujtuar se secili veprim apo mosveprim me të cilin dëmtohet aseti i trashëgimisë kulturore, në këtë rast Qendra Historike e Prizrenit, përbën vepër penale sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në arsyetimin e këtij vendimi sqarohet se ITK-ja ka pranuar dy shkresa nga QRTK-Prizren lidhur me mosrespektimin e projektit nga investitori.
Shkresën e parë QRTK-ja e ka dërguar më 1 qershor 2021. 

“Para fillimit të punimeve pala duhej të njoftonte QRTK - Prizren të cilën nuk e ka bërë; Largimi i kubëzave duhej të bëhej në mënyrë manuale (me dorë), derisa gjatë punimeve u pa që ato janë larguar me makineri (ekskavator) (dëshmi foto dhe video nga vendpunishtja); Kubëzat e larguara duhej të deponoheshin në një vend të sigurt (p.sh. depo) derisa ato janë grumbulluar pranë kanalit të hapur dhe nuk janë siguruar nga dëmtimi dhe vjedhja; Pas përfundimit të punimeve duhej të vendoseshin kubëzat në vendin e vet në mënyrë profesionale, gjë që nuk është bërë dhe nuk vazhdon të bëhet; Kubëzat nuk janë vendosur si duhet, duke mos ndjekur metodën profesionale të vendosjes  së  tyre  që  duhej  të  ishin  në  formë  harkore.  Terreni  nuk  është nivelizuar si duhet, fugat ndërmjet kubëzave janë shumë të mëdha, nuk janë përzgjedhur madhësitë e kubëzave gjatë formimit të harkut, pasi ato nuk janë me madhësi  të  njëjta , si  dhe  gjatë  vendosjes  së  tyre  për  të  përshtatur  renditjen kubëzat janë thyer”, ka shkruar QRTK-ja në detaje. Sipas shkresës, për më tepër gjatë punimeve operatori ekonomik (punëkryesi) ka përdorur dhe ende po vazhdon ta përdorë Sheshin e Shatërvanit si vend parking për makineritë edhe gjatë ditëve kur nuk është punuar fare. Po aty QRTK-ja ka kërkuar që në afat prej 7 ditësh të ndërmerren masa dhe veprime për zbatimin e projektit të aprovuar, si dhe të njoftohet për veprimet e mëtutjeshme.

Meqë nuk ka marrë përgjigje, më 14 qershor 2021, QRTK sërish ka dërguar shkresë te ITK-ja dhe Inspektorati i Komunës së Prizrenit, duke theksuar se investitori nuk ka ndërmarrë veprime për mënjanimin e parregullsive gjatë zbatimit të projektit të aprovuar. Me këtë rast QRTK-ja ka kërkuar nga organet e Ministrisë dhe ato komunale që të ndërmarrin masa për ndalimin e punimeve, si dhe të obligojnë investitorin që ta zbatojë projektin e aprovuar nga QRTK-ja.

Image
Në prill të këtij viti, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes rrjeteve sociale, bashkë me këtë foto, kishte njoftuar se Qendra Historike do të bëhet me rrjet nëntokësor të kabllove të rrymës elektrike

Pas këtyre dy shkresave, ITK-ja dhe DI-ja më 15 qershor 2021 kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar vërejtjet e QRTK-së. Tutje në arsyetimin e vendimit të ITK-së shpjegohet se pas kësaj është zhvilluar takim me drejtuesin e distriktit  të KEDS-it në Prizren, i cili ka njoftuar inspektorët se vërejtjet e QRTK-së janë pranuar dhe se punëkryesi është obliguar që të ndërmarrë veprime për kthim sipas projektit të aprovuar. Pos kësaj ka sugjeruar edhe komunikimin me drejtuesin e investimeve në KEDS. Ky i fundit, sipas përmbajtjes së arsyetimit të vendimit, në takimin e mbajtur më 16 qershor  2021 ka deklaruar se do të ndërmerren të gjitha veprimet për zbatimin e punimeve sipas projektit të aprovuar dhe aktit të lëshuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

ITK në arsyetimin e vendimit, pos të tjerash, ka bërë të ditur se nëse investitori nuk i mënjanon parregullsitë, atëherë ndaj tij do të iniciohet procedura penale dhe se do të obligohet për shpërblimin e dëmit sipas dispozitave të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve.

Rrjedhën e kësaj procedure për KOHËN  e ka konfirmuar edhe drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, duke shtuar se ky organ tashmë ka adresuar shqetësimin për mënyrën e realizimit të këtij projekti, konkretisht “për dëmtimin e kubëzave dhe kalldrëmit në Qendrën Historike të Prizrenit, moszbatimin e punimeve në përputhje me pëlqimin dhe moskthimin në gjendjen e mëparshme, sikurse edhe për mosreagimin e investitorit për konsulta dhe mosmarrjen e udhëzimeve nga QRTK-ja si autoritet i trashëgimisë kulturore”.

“Megjithëkëtë, QRTK do të kujdeset që gjatë afatit ligjor të përcjellë zbatimin e punimeve në përputhje me vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore të MKRS-së”, ka deklaruar Hoxha, i cili paraprakisht ka bërë të ditur se pëlqimi nga QRTK-ja për këtë projekt është lëshuar në gusht të vitit 2020, derisa punimet kanë filluar në prill të këtij viti.   
Për këtë çështje ditë më parë ka reaguar edhe  organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” duke theksuar se realizimi i punimeve për hapjen e kanalit për shtrirjen nëntokësore të kabllove në Qendrën Historike të Prizrenit është shoqëruar me vërejtje nga autoritetet e trashëgimisë kulturore, komuniteti i biznesit, si dhe nga qytetarët. Kjo organizatë ka shprehur qëndrimin se sipas legjislacionit në fuqi, Qendra e mbrojtur Historike e Prizrenit, si pronë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje përfshihet në Listën e trashëgimisë kulturore, në mbrojtje të përhershme të Republikës së Kosovës, me ç’rast dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit përkufizojnë se: “personi fizik dhe juridik, i cili bën ndërtimin, rrënimin, ndërhyrjet në infrastrukturë apo çfarëdo aktivitet  tjetër,  duhet  të  ndërmarrë  paraprakisht  të  gjitha  masat  e  nevojshme  për  të  mbrojtur objektin  e  trashëgimisë  kulturore  dhe  fetare  nga  shkaktimi  i  çfarëdo  dëmi  të  mundshëm,  gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve”. “Prandaj duke konsideruar se kalldrëmi përbën identitetin historik të rrugëve dhe rrugicave të Prizrenit, apelon që çdo intervenim në të duhet të bëhet me kujdesin maksimal, ashtu që edhe kjo pjesë e tërësisë së trashëgimisë kulturore të ruhet në mënyrën e duhur”, shkruan në reagimin e EC-it.

Në prill të këtij viti, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes rrjeteve sociale pati njoftuar se Qendra Historike do të bëhet me rrjet nëntokësor të kabllove të rrymës elektrike.

“Ky projekt ka filluar me vonesë për shkak se kemi pritur që KEDS-i t’i bëjë përgatitjet e duhura dhe t’i fillojë punimet, që u vonuan për shkak të pandemisë. Plani dinamik i punimeve pritet të zgjasë për rreth 40 ditë, ndërkaq kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve për këtë periudhë të punimeve për këtë projekt, i cili do të krijojë një pamje edhe më të bukur për qytetin tonë”, pati shkruar Haskuka.

Ndërsa KEDS-i në muajin maj kishte njoftuar se në Qendrën Historike të Qytetit të Prizrenit komplet rrjeti elektrik do të vendoset nën tokë. 

“Kjo do të mundësojë që qytetit të vjetër të Prizrenit t’i kthehet pamja e merituar, pasi me dhjetëra shtylla do të largohen përfundimisht nga atje, së bashku me të gjitha kabllot, përfshirë të operatorëve kabllorë. Krahas Qendrës, plani investiv parasheh që edhe rrugët përreth zonës turistike e deri te Kalaja të bëhen me infrastrukturë të re energjetike nëntokësore. Vlera e këtij investimi që kap shifrën e rreth 600 mijë eurove, krahas futjes së kabllove nëntokë, përfshin edhe vendosjen e komplet stabilimenteve të reja në dy nënstacione që do të furnizojnë këto zona”, thuhej në njoftimin e KEDS-it.