Prishtinë, 20 dhjetor – Albumi "Departures" (Nisjet) që nisi si dedikim për nisjet e reja, gjeti një kontekst të ri në situatën e krijuar këtë vit për shkak të pandemisë. Kur gjithçka u ndal, muzika u kthye në një ekspeditë, për të kërkuar forma të reja të udhëtimit. Kompozimet e realizuara në nëntor të vitit të kaluar nga “Visar Kuçi Trio”, brenda një viti morën dimension të ri. U përmbushën më shumë nga konteksti i tyre dhe tani janë gati për t’u dëgjuar nga publiku. Treshja e cila u bë bashkë në vitin 2013 - Visar Kuçi në kitarë, Enver Muhamedi në kontrabas, dhe Enes Bajramliqi në tupana – më 22 dhjetor në orën 17:00 në “Kino Armata” promovojnë albumin e tyre të ri.
“Visar Kuçi Trio” debutimin e pati në vitin 2013 në “Prishtina Jazz Fest”. Në vitin 2017 publikuan albumin e tyre të parë të titulluar "Modern Waves". Emri i këtij albumi kishte ardhur duke reflektuar mbi arkitekturën moderne në Prishtinë, por edhe mbi rrymat muzikore që kanë ndikim te artistët.
Gjatë viteve, treshja mori pjesë në shumë organizime të ndryshme të jazz skenës së Kosovës, si dhe asaj ndërkombëtare. Në nëntor të vitit të kaluar mbajtën dy koncerte në Stamboll të Turqisë. Gjatë qëndrimit në Stamboll, incizuan studio albumin e tyre të dytë, të titulluar "Departures". Albumi u incizua në "Hayyam Studio”, në Dolapdere të Stambollit.
Visar Kuçi është një ndër violinistët më të dalluar të gjeneratës së re në Kosovë. Ai është poli-instrumentist. Luan në violinë, kontrabas, kitarë, bas-kitarë, violë dhe piano. Është koncertmjeshtër i Filarmonisë së Kosovës. Kuçi është një ndër perlat e jazzit në vend, njëlloj si kontrabasisti Enver Muhamedi i lindur në Mitrovicë, i cili aktualisht vepron në Stamboll, ku edhe po lë gjurmë me muzikën e tij dhe është anëtar i Orkestrës së jazzit për të rinj. Skena e jazzit në vend është e paplotë pa Enes Bajramliqin, që po ashtu është pjesë e trios. Bajramliqi njihet për inovacionin e tij dhe ka bashkëpunuar me artistë të njohur si Armend Xhaferi dhe Elina Duni, Taulant Mehmeti, Genc Salihu e të tjerë.
Albumi “Departures” ishte paraparë të publikohej në qershor të këtij viti, mirëpo për shkak të situatës së krijuar me pandeminë, finalizimi i tij u bë në fund të nëntorit të këtij viti, një vit pas audioincizimit. "Departures" përmban tetë krijime të reja të kompozuara nga Visar Kuçi, përveç këngës emrin e së cilës e mban ky album, që është kompozuar nga Enver Muhamedi dhe Visar Kuçi.
Multi-instrumentisti Visar Kuçi ka thënë për KOHËN se "Departures" në gjuhën shqipe, në terminologjnë e fluturimeve, përkthehet si “Nisjet”, mirëpo ka edhe kuptime të tjera si: largim ose shmangie.
“Në një mënyrë, vetë jeta jonë është plot nisje, fillime të reja. Në veçanti kur ne vetë jemi të palëkundur drejt eksplorimit të fronteve të reja. Ky ka qenë pikërisht edhe konteksti personal jetësor në kohën kur është shkruar kënga”, ka thënë ai. Ka shtuar se më pas, ngjarjet e këtij viti dhe pandemia veçse e kanë zgjeruar domethënien e këtij titulli duke e karakterizua tërë procesin e finalizimit të albumit.
“’Departures’ e karakterizon të gjithë albumin, sepse e dëshmoi për neve si trio, por edhe për komunitetin e krijuesve, e bile të gjithëve ndoshta, pasi që në një kohe kur 'Nisjet' dhe destinacionet u ndalën tërësisht, ne përfunduam duke kërkuar forma të reja të udhëtimit, kërkimit të kuptimeve të reja, krijimeve që burojnë prej eksplorimeve nga brenda”, ka thënë ai. Në këtë formë, sipas tij, kompozimet e trios u bënë edhe më domethënëse.
Albumi i takon zhanrit "modern Jazz" dhe është një përfaqësim i shumë stileve apo nënzhanreve të muzikës jazz. Është i influencuar prej shumë artistëve të ndryshëm të jazzit të sotëm, si dhe zhanreve të tjera.
“Kryesisht ka karakter minimal me tema të shtrira që krijojnë hapësirë meditative për dëgjuesin”, është shkruar në komunikatën për media të lëshuar nga grupi. Por Kuçi shton se "Departures" është një trajtim muzikor i përjetimeve jetësore dhe rrugëtimit artistik. Sipas tij, muzika me karakter minimalist dhe meditativ krijon hapësirë për secilin dëgjues që ta interpretojë atë në mënyrën e vet.
Albumi "Departures" është dedikim për mjekun Elmir Taranin, njërin prej përkrahësve dhe njëherësh adhurueseve më të mëdhenj të trios, i cili para një viti na la fizikisht, për të mbetur përgjithmonë në kujtimet dhe muzikën e trios”, ka shkruar trioja në njoftimin e tyre. Tarani, specialist i sëmundjeve të brendshme dhe njohësi i arteve, shpesh luante në kitarë dhe, ndër të tjera, ishte edhe koleksionues i pllakave.
Dizajni i mbështjellësit u punua nga Nita Salihu - Hoxha dhe është përfaqësim i drejtpërdrejtë i konceptit muzikor që ka ky album. Audiomiksimi dhe masterizimi u bënë në Prishtinë, nga Tomor Kuçi. Albumi do të printohet në një numër të kufizuar në formë të CD-së, mirëpo forma kryesore e distribuimit do të jetë në platformën digjitale për muzikë "Spotify". Albumi dhe koncerti janë të mbështetur nga Komuna e Prishtinës dhe nga “Kino Armata”.