Albumi i nisur si dedikim për nisjet e reja, gjeti një kontekst të ri për shkak të koronavirusit. Kur gjithçka u ndal, muzika u kthye në një ekspeditë, për të kërkuar forma të reja të udhëtimit. E në këtë udhëtim, “Visar Kuçi trio” vendoi ta marrë me vete publikun edhe me një koncert live. Albumi është cilësuar si gur i çmuar në jazz-skenën vendore, e koncerti përjetim i drejtpërdrejtë i asaj që shkrihet në “Departures”
Kur treshja e njohur del në skenë, s’ka dyshim se kryefjalë do të jetë jazzi. Ajo që tërheq vëmendjen e publikut, që në dëgjim të parë është pa dyshim karakteri minimalist dhe meditativ që u ka dhënë kompozimeve “Visar Kuçi trio”, me Kuçin në kitarë, Enver Muhamedin në kontrabas dhe Enes Bajramliqin në bateri. Bëhet fjalë për tetë sosh, që përthekojnë albumin e tyre të ri “Departures” (Nisjet) që u promovua të martën mbrëma në “Kino Armata”.
“Departures” është një udhëtim muzikor përmes jazzit modern. Albumi i nisur si dedikim për nisjet e reja, gjeti një kontekst të ri për shkak të koronavirusit. Kur gjithçka u ndal, muzika u kthye në një ekspeditë, për të kërkuar forma të reja të udhëtimit.
Krijime të reja të kompozuara nga Visar Kuçi, përveç këngës emrin e së cilës e mban ky album, që është kompozuar nga Enver Muhamedi dhe Visar Kuçi, janë një kalim i ngadaltë dhe gradual nëpër gjendjet shpirtërore të ndryshme. Ashtu si nis e përfundon albumi, ishte edhe koncertit i mbajtur për promovimin e tij. Muzikantët nuk kanë dashur që të përfshijnë vepra të tjera dhe kanë ndjekur linjën e albumit. Me këtë u kanë ikur kapërcimeve muzikore. Të rëndësishme e kishin që publiku të marrë nuancat e para të albumit, që tani është i qasshëm edhe në platformat online, por edhe si kopje fizike.
Kontrabasisti Enver Muhamedi i lindur në Mitrovicë, i cili aktualisht vepron në Stamboll, është kthyer në Prishtinë pas dy vjetësh. Atëherë kishte performuar në Prizren dhe aty ishte krijuar edhe kompozimi për veprën “Departures” dhe ishte ngjizur ideja për një album.
“Edhe unë, edhe Visari, e sidomos ai është një artist që interpreton me njerëz të ndryshëm në vende të ndryshme dhe besoj që kënga, por edhe albumi janë një shkrije e eksperiencave dhe pak a shumë i kemi eksperiencat e njëjta, si artistë që veprojmë jashtë vendit”, ka thënë ai.
Sipas tij, albumi është një gërshetim në mes të jazzit “mainstrem” në skenën e Amerikës dhe asaj të Evropës me detaje etnike, por që zakonisht nuk vërehen brenda si ngjyrë. “Një album i lehtë për t’u dëgjuar po që përcjell shumë emocione”, ka thënë ai.
“Departures” nis me kompozimin “The Ride and the Sea”. Nuk është një udhëtim për në det, por udhëtimi i jetës drejt pafundësisë, ose qetësisë shpirtërore që të gjithë mundohen ta arrijnë. Ndiqet nga kënga “August”, për ditët e nxehta të gushtit. Një këngë e dhimbshme që flet për periudhën kur moti është i përkryer, por njerëzit brenda ndihen lëmsh. E pas saj kënga “Departures”, kujton jo vetëm fillimet e reja, por edhe largimet ose shmangiet. Por kompozimi që përmbledh rrugëtimin e albumit edhe këtë vit është “Life Passing By”.
Kantautori Shpat Deda ka thënë se koncerti për të ishte edhe një çmallje me muzikën live. Sipas tij, albumi i treshes, por edhe muzika që sjell është një kontribut i çmuar në jazzin shqiptar.
“Muzika gjithmonë ka efekt pozitiv te njerëzit e sidomos në këtë kohë. Unë veç e bleva kopjen fizike të albumit dhe e di se kanë me më kënaq dhe me më ba shoqëri të mirë”, ka thënë Deda, i cili të dielën ka publikuar edhe vetë albumin e tij ri, të tretin me radhë, “Rrugës”.
“Albumi është një trajtim muzikor i përjetimeve jetësore dhe i rrugëtimit artistik”, ka thënë Kuçi. Thyerjen brenda këtij albumi e bën “Archaic”, me etno-elemente. Në të ritmi ballkanik pushton jazzin. Komponimi lë pas modernen duke kërkuar gjurmë tek e kaluara. Kuçi për realizimin e saj është fokusuar kryesisht te këngët e tekstet e vjetra, kryesisht pikëlluese por me të cilat në një formë të çuditshme njerëzit vallëzojnë me to.
Bateristi Nesim Maxhuni ka thënë se kompozitorët modernë të jazzit e kanë një frymë të tyre ku zakonisht dëshirojnë të përfshijnë motive të Ballkanit. Por, sipas tij, e rëndësishme është që kjo të bëhet me finesë dhe kujdes.
“Vazhdimisht arrijnë që të përçojnë emocion dhe kjo është me rëndësi. E dyta është që na kanë dhënë diçka në një kohë shumë të vështirë dhe unë u jam falënderues”, ka thënë ai.
Albumi vazhdon me “Enisa” dhe përmbyllet në mënyrë të përkryer me “The Sunkiss” si shpresë që përmes muzikës mund të kalohen momentet e vështira. Reflekton shumë mirë titullin që e ka, është si një rreze e ngrohtë dhe shpresë për ditë të mira.
Sipas multi-instrumenitstit Visar Kuçi, me promovimin e albumit është shpërblyer i gjithë mundi për realizimin e tij.
“Ky projekt, i cili ka filluar para se të niste pandemia dhe është dashur që të finalizohet gjatë pandemisë, më ka dhënë një mësim shumë të mirë se nëse do diçka dhe dëshiron të realizohesh diçka, duhet të shkosh deri në fund pasi që hapen rrugët atëherë kur më së paku e pret”, ka thënë ai. Sipas tij, njëlloj si albumi, ky vit përfundon me një moment të lumtur edhe për trion.
Kompozimet e realizuara në nëntor të vitit të kaluar nga “Visar Kuçi trio”, ishin paraparë që të publikoheshin në qershor të këtij viti, mirëpo për shkak të situatës së krijuar me pandeminë, finalizimi i albumit u bë në fund të nëntorit të këtij viti, një vit pas audioincizimit. Trioja debutimin e pati në vitin 2013 në “Prishtina Jazz Fest”. Në vitin 2017 publikoi albumin e parë të titulluar “Modern Waves”. Emri i këtij albumi kishte ardhur duke reflektuar mbi arkitekturën moderne në Prishtinë, por edhe mbi rrymat muzikore që kanë ndikim te artistët.
Albumi “Departures” është dedikim për mjekun Elmir Taranin, njërin prej përkrahësve dhe njëherësh adhuruesve më të mëdhenj të trios, e që nuk mungonte në asnjë koncert të tyre. Tarani, specialist i sëmundjeve të brendshme dhe njohës i arteve, shpesh luante në kitarë dhe, ndër të tjera, ishte edhe koleksionues i pllakave. Dizajnin e mbështjellësit të albumit e ka punuar Nita Salihu – Hoxha. Audiomiksimi dhe masterizimi u bënë në Prishtinë, nga Tomor Kuçi.