Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Ilirian Ahmeti Trio” me jazz pa kufij tingëllon edhe shqip

Koncerti “Jazz Without Borders” i “Ilirian Ahmeti Trio” në Prishtinë ka qenë një mbrëmje që tejkalon kufij. Ritmet shqiptare, ato të Austrisë, Sllovakisë e Japonisë u bënë bashkë në harmoninë e tingujve

Koncerti “Jazz Without Borders” i “Ilirian Ahmeti Trio” në Prishtinë ka qenë një mbrëmje që tejkalon kufij. Ritmet shqiptare, ato të Austrisë, Sllovakisë e Japonisë u bënë bashkë në harmoninë e tingujve

Koncerti “Jazz Without Borders” i “Ilirian Ahmeti Trio” në Prishtinë ka qenë dialog i veçantë muzikor. Identitetet kulturore i sollën talentet e reja duke i shtrirë në gjuhën universale të jazzit. Me vepra nga repertori i klasikëve të mëdhenj të jazzit, muzika e këtij formacioni ka përfshirë edhe motivet shqiptare të kontekstualizuara në frymën e jazzit bashkëkohor nëpërmjet kompozimeve origjinale. Treshja e kryesuar nga pianisti nga Kosova, Ilirian Ahmeti u bashkua në Austri. Secili prej anëtareve i jep formacionit tingujt e rrënjëve të veta

Jashtë kategorizimit e kufizimit në zhanre e gjeografi, koncerti “Jazz Without Borders” i “Ilirian Ahmeti Trio” në Prishtinë ka qenë  dëshmi se arti i tingullit nuk njeh barriera. Në një koncert të vetëm, kultura muzikore të vendeve të ndryshme u bënë një në kafe-galerinë “Lavjerr’s” në kryeqytet për një dialog të veçantë muzikor. Identitetet kulturore i sollën talentet e reja duke i shkrirë me gjuhën universale të jazzit.

Qe një mbrëmje jazzi që tejkalon kufij. Ritmet shqiptare, ato të Austrisë, Sllovakisë e Japonisë u bënë bashkë në harmoninë e tingujve. Në piano, Ilirian Patricio Ahmeti ka udhëhequr me ndjeshmëri e finesë këtë udhëtim tingujsh duke lidhur traditën dhe modernen.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kompozimet e tyre origjinale kanë bartur një thellësi emocionale që reflekton jo vetëm përvojën personale, por edhe rrënjët e tyre kulturore, ku herë pas here dëgjohen jehona të motiveve shqiptare të kontekstualizuara në frymën e jazzit bashkëkohor.

Në bas-kitarë, Earl Joshua Frost-Izumi ka sjellë një dimension tjetër duke ndërthurur harmonitë komplekse të jazzit evropian me ato aziatike. Interpretimi i tij qe një lloj shembulli sesi traditat muzikore japoneze mund të bashkëjetojnë natyrshëm me improvizimin jazz.

Bas-kitaristi ka thënë se skena muzikore në Prishtinë është shumë më ndryshe nga ajo e Vjenës, ku të tre muzikantët e bendit jetojnë dhe zhvillojnë karrierën.

“Jam shumë i emocionuar sepse është një botë shumë ndryshe nga skena muzikore në Vjenë. Gjithashtu që është hera e parë që po luaj në këtë pjesë të Evropës Lindore me bendin e mrekullueshëm, me dy muzikantë të mëdhenj. Na pëlqen të ndajmë momente në Kosovë dhe në vendet evropiane së bashku”, është shprehur Earl Joshua Frost-Izumi.

Derisa e ka përmbledhur programin që kanë interpretuar, ka thënë se ai është i ndikuar nga muzika botërore, por edhe se secili vë ritmet e vendit të tij në muzikën e trios.

“Muzika jonë varion nga muzika tradicionale në frymën ‘swing’ dhe nga repertori amerikan, por gjithashtu kemi kompozimet tona. Ideja është t’i përfshijmë në një vend muzikën e rrënjëve tona, pra atë tradicionale, me atë prej së cilës frymëzohemi. Kjo më së miri e përshkruan muzikën e programit të sotëm”, ka thënë ai.

“Babai im luan muzikë shqiptare. Gjatë gjithë kohës i kam në mendje meloditë, sidomos muzikën nga Gjakova. Muzika që ne e luajmë varion edhe nga frymëzimi që kemi nga muzika e viteve ’40 deri në vitet ’90 të Broadwayt. Varion që nga rreth njëqind vjet më parë deri në vitet e fundit”, ka thënë pianisti Ilirian Ahmeti

Ritmi dhe energjia u mbajtën gjallë nga bateristi sllovak Jakub Turac, i cili me lojën e tij ka krijuar bazë të fortë për eksplorimet melodike të dy muzikantëve tjerë. Loja e tij është dinamike, por dallohet edhe për kontraste të fuqishme.

“Karakteristika më e mirë e muzikës sonë është që personaliteti ynë është aty. Ne vijmë nga vende të ndryshme, secili kemi rrënjët tona dhe ne thjesht mundohemi që ato t’i përfshijmë në veprat tona, nga kompozime të mjeshtërve të vendeve tona nga periudha të ndryshme duke i kombinuar ato me muzikën tonë”, ka thënë bateristi Turac.

Trioja ka qenë në harmoni shpesh pa u shkëputur duke zhvilluar secila lojën si të jetë e pavarur nga njëra-tjetra.

Programi i koncertit ka përfshirë si kompozime origjinale, ashtu edhe interpretime të zgjedhura nga tradita e pasur e “Great American Songbook”. Këto vepra klasike, dhe me ndikim të madh në muzikën moderne të ripërpunuara nga trioja, morën jetë të re përmes ndikimeve të ndryshme kulturore që secili artist solli me vete.

Pianisti Ilirian Ahmeti ka thënë se interpretimet e tyre kanë qenë kryesisht aranzhime origjinale.

“Nga jazzi standard kemi disa kompozime tona që variojnë nga jazzi bashkëkohor, por muzika sonte ka qenë me nënzhanre të ndryshme. Kemi luajtur muzikë bashkëkohore e jazz tradicional”, është shprehur ai.

Ka theksuar ndikimin e muzikës shqipe në veprat e tij. Babai i tij është shqiptar nga Kosova e nëna portugeze.

“Babai im luan muzikë shqiptare. Gjatë gjithë kohës i kam në mendje meloditë, sidomos muzikën nga Gjakova. Muzika që ne e luajmë varion edhe nga frymëzimi që kemi nga muzika e viteve ’40 deri në vitet ’90 të Broadwayt. Varion që nga rreth njëqind vjet më parë deri në vitet e fundit”, ka thënë Ahmeti për të cilin skena e Kosovës nuk është e panjohur. Në kryeqytet ka interpretuar disa herë po jo me trion e tij. Në nëntor të 2024-tës, pianisti në të njëzetat e hershme të tij kishte luajtur në Festivalin e Jazzit në Prishtinë si pjesë e bendit “Sheki & Friends”. Po këtë vit në të njëjtën ngjarje ai kishte interpretuar edhe në bend me jazz-kitaristin e njohur Taulant Mehmeti, i cili vepron në New York.

“Kam interpretuar shumë herë në Kosovë paraprakisht në festivale të ndryshme dhe reagimi nga publiku është gjithmonë shumë imirë. Është shumë energjik. Është një ndjenjë e veçantë kur performoj në Kosovë sepse është vendi im dhe ndihem shumë i lidhur me të, kështu që më pëlqen të kthehem dhe të ndaj muzikën time me publikun”, ka thënë Ahmeti.

“Jazz Without Borders” ka qenë përvojë ndërkulturore që ka dëshmuar fuqinë e muzikës për të bashkuar njerëzit përtej gjuhëve dhe historive të ndryshme. Koncerti i së martës mbrëma ka qenë i pari në Prishtinë në kuadër të turneut në Kosovë dhe Sllovaki. Edhe të mërkurën trioja ka mbajtur një tjetër koncert në Prishtinë, për t’u zhvendosur të premten mbrëma në Gjilan, më pas sërish në Prishtinë para dy koncerteve në Sllovaki. Si për ta dëshmuar se jazzi shkrin kufij. E në rastin e trios së Ilirian Ahmetit tingëllon edhe shqip.