Koncerti që ka sjellë “Classic Jazz Trio+” qe si udhëtim nëpër tingujt që kishin shoqëruar fundin e viteve ’80 e krejt dekadën pasuese si dhe fillimin e këtij mijëvjeçari. Për vetë muzikantët – Luan Osmani në bas-kitarë, Ilir Bajri në tastierë, Besim Gashi – Babuka në bateri e Arian Randobrava në saksofon – ka qenë ritakim që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së tyre artistike. Atë kohë kur liria e jazzit, sfidonte edhe realitetin
Nja dy dekada pasi kishin ndarë skenën për herë të fundit në këtë formacion, muzikantët që shquhen si përfaqësues të brezit të parë të jazzit modern në Kosovë janë ribashkuar në Prishtinë. Në qendrën për kulturë alternative “Defy Them”, koncerti i “Classic Jazz Trio+” nuk ka qenë veç mbrëmje muzikore, por edhe rikthim në kohën kur muzika jazz e fusion kultivoheshin edhe në periudha të vështira për jetën kulturore të vendit.
Për publikun, mbrëmja qe si udhëtim nëpër tingujt që kishin shoqëruar fundin e viteve ’80 e krejt dekadën pasuese si dhe fillimin e këtij mijëvjeçari. Për vetë muzikantët – Luan Osmani në bas-kitarë, Ilir Bajri në tastierë, Besim Gashi – Babuka në bateri e Arian Randobrava në saksofon – ka qenë takim që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së tyre artistike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEdhe vetë programi u ndërtua mbi emra që kanë lënë gjurmë në historinë e jazzit dhe të fusionit. Nga Michel Petruccianit me “Miles”, te energjia ritmike e “Jean Pierre” të Miles Davisit dhe “Chameleon” të Herbie Hancockut, koncerti ka marrë hov me ngjyra të ndryshme muzikore. Delikatesa melodike e “Little sunflower” e Freddie Hubbard u pasua nga dinamika e “Spain” të Chick Coreas. E, “Red Baron” i Billy Cobhamit dhe “Footprints” i Wayne Shorterit kanë sjellë frymë improvizuese që mbetet shenjë dalluese e jazzit.
Në skenë kanë qenë muzikantë që, edhe sot janë ndër emrat më të përkushtuar në mbajtjen në skenë të kësaj muzike në Kosovë. Bateristi Besim Gashi ka kujtuar periudhën kur jazzi zhvillohej larg kushteve ideale – e që mungojnë edhe sot – por jo larg pasionit.
“Ne jemi një shoqëri, një grup, një ekip i, të mos them i pionierëve të jazzit në Kosovë, sidomos Luan Osmani që është më i ri ndër ne. Ai ka bërë jazz- fusion modern ndërsa unë dhe Iliri më pas kemi marrë pjesë në një festival në Mitrovicë kur kemi filluar për herë të parë në vitin 1987. Jemi një gjeneratë që e ka mbajtur jazzin gjallë kryesisht në fund të viteve ’80 dhe në krejt vitet ’90. Edhe pse kemi qenë nën okupim, pa salla adekuate për koncerte, por i kemi mbajtur nëpër lokale, por jazzin e kemi mbajtur si kulturë të cilën e kemi njohur dhe jemi marrë me të. Tani, prej pasluftës kemi qenë në tre vjetët e parë shumë aktivë me këtë repertor të jazzit modern apo fusion të kombinuar”, është shprehur ai.
Pikërisht ky repertor, që dikur dëgjohej në klube e hapësira alternative, është rikthyer pas 22 vjetësh në një skenë të përbashkët.
“Tash pas 22 vjetësh prapë jemi mbledhur bashkë, pavarësisht se nuk e bëjmë muzikën e jazzit të viteve ’80 dhe ’90, por jemi gjeneratë e muzikës së kësaj kohe”, ka thënë Babuka.

Për të, thelbi i jazzit mbetet liria. Jo veç si koncept artistik, por edhe si mënyrë e komunikimit midis muzikantëve.
“Një jazz-muzicienti i nevojitet të njohë më shumë harmoninë apo muzikën pak më thellësisht që të mundet të jetë pak më i lirë. Karakteristika e jazzit është liria. Kjo nënkupton se mund të improvizosh, por të jesh në formë, të kesh kulturën e dëgjimit që të komunikosh me grupin. Jazzi është muzikë që nëse bëhet në grup është si ekip i futbollit ku të gjithë luajnë së bashku, jo ku luan njëri dhe dëgjohet energjia e secilit në kuptimin e lirisë sesi ai shprehet. Pra, karakteristikë e jazzit është liria e shprehjes në muzikë. Varet sa ka fjalor në instrumentin e vet që të mund ta thotë atë që ndjen dhe që e mendon”, ka konsideruar bateristi i shquar.
Pianisti Ilir Bajri e ka konsideruar koncertin si rikthim te muzika që dikur i kishte formësuar ata artistikisht.
“Është muzikë që e kemi luajtur në vitet ’90. Pak prej mosdijes, pak prej nevojës, pak prej rinisë. E kemi luajtur shumë, sikurse edhe sonte, muzikën që në atë kohë na ka frymëzuar që të mbajmë një lloj integriteti artistik. Si një rikujtim për gjeneratat më të reja t’u tregojmë çfarë kemi bërë sepse po tregojmë vetëm me fjalë dhe jo me vepra”, ka thënë Bajri derisa është shprehur entuziast për ribashkimin në skenë të muzikantëve që miqësinë ua solli muzika.
Siç bënte dikur herë pas here, trios i është bashkuar saksofonisti Arian Randobrava. Jo rrallë edhe shkëputej veç fizikisht pasi muzika e tij gjithsesi jehonte, si imazh i një lloj anëtari hibrid siç Randobrava përshkruan aktivitetin e tij në atë kohë.
“Për mua është, jo vetëm tash, por edhe më herët pasi unë jam më i ri prej tyre dhe ata kanë funksionuar si klasik jazz trio. Unë kam qenë një djalë që sapo ka filluar të luajë në saksofon dhe kam qenë dëgjues. Nuk ka pasur ku dhe prej kujt tjetër të mësosh përmes dëgjimit pos Luan Osmanit, Ilir Bajrit e Besim Gashit. Ka më shumë se 20 vjet që nuk kemi pasur rastin të luajmë së bashku, por thjesht edhe unë jam i befasuar”, ka thënë saksofonisti Randobrava.
Kur kishte nisur të luante në saksofon, anëtarët e grupit për të kishin qenë ndër referencat kryesore për ta mësuar e kuptuar jazzin. E, për repertorin e zgjedhur ka thënë se sjell dimension që rrallë dëgjohet në skenën vendore.
“Është një program që zakonisht nuk luhet këtu. Ka disa jazz-standarde që kemi përzgjedhur që të akomodohet veshi i njerëzve e që duket i afërt, por ka edhe fusion”, ka thënë Randobrava.
E ka konsideruar koncertin si moment të shumëpritur. “Kam pritur që ky moment të vijë më herët”, ka thënë ai.
Gent Behramaj, menaxher i “Defy Them” ka thënë se me koncerte të tilla synojnë që muzika jazz të jetë sa më e pranishme në skenën e qendrës për kulturë alternative.
“Janë seritë e jazzit që duam t’i bëjmë më të shpeshta pos ‘Jazz Catz’ që e kemi dhe ‘Fuzz Improv Colective’ që i kemi filluar si ngjarje mujore. Duam t’i kemi më të shpeshta të krijojmë hapësirë për gjeneratat më të vjetra e më të reja, të bëjmë një kombinim për të tentuar të krijojmë sa më shumë muzikë dhe hapësirë për artistë që të shkëmbejnë përvoja, por edhe për publikun që të dëgjojë muzikë kualitative”, ka thënë ai.
Koncerti i “Classic Jazz Trio+” ka qenë rikthim nostalgjik e rikujtim për kohën kur jazzi në Kosovë mbahej gjallë nga një grusht muzikantësh të përkushtuar. E, interpretimi u dëshmua si energji e asaj kohe që vazhdon edhe sot.