Prishtinë, 16 mars - Nuk ndodh fort shpesh që një artist të sfidohet deri në atë masë që brenda hapësirës së një galerie të fusë mbeturina. Agron Blakçori me kuratorin Mehmet Behluli e kanë bërë këtë gjë. Në pjesën qendrore është rikrijuar fotografia që artisti e kishte realizuar në lagjen e tij në Podujevë – e që shpërfaq një rrethojë hekuri me qese plastike e të rrethuar me mbeturina.
Në një “dhomë” tjetër të Galerisë Kombëtare të Kosovës shpërfaqen fotografi të realizuara në Berlin – që e nxjerrin në pah anën tjetër të qytetit gjerman, duke ekspozuar shishe qelqi e plastike të shkapërderdhura gjithandej. Këto fotografi Blakçori i kishte ekspozuar në “TRAFFIC Gallery” në Prishtinë vitin e kaluar. Pjesë e ekspozitës së tij personale të hapur të enjten mbrëma në GKK, janë edhe bocetat e shtatoreve që i kishte realizuar për konkurse të ndryshme. Të vendosura në një pozitë jo fort të zakonshme – prej më të voglës deri më të madhen me shikimin nga muri – në to shihen heronj e protagonistë historie, përfshirë Ismail Qemalin, Mbretin Zog, Ibrahim Rugovën e Nënë Terezën. Disa prej tyre, Blakçori i kishte ekspozuar në dhjetor të vitit që shkoi, në kuadër të ekspozitës “Monument” të hapur në galerinë e Fakultetit të Artit. Kësisoj, del që ekspozita e tij personale “A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur?” përmbledh në një version të zgjeruar në punët e tij, të ekspozuara më parë. Të gjitha veprat e tij shtrojnë pyetjen sipas së cilës ka marrë titullin ekspozita. Pyetjet që shtron Blakçori lidhen kryekëput me realitetin. Për shembull, në një tjetër dhomë, shihet një valixhe e mbushur me beton. Të betonuara janë edhe dy këpucë pranë saj. Kësisoj, artisti ironizon me lirinë e lëvizjes së kosovarëve.
Agron Blakçori, i diplomuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, më 2016 ishte fitues i edicionit të parë të “Artistëve të rinj” , organizuar prej Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ekspozita e tij personale e hapur në GKK është pjesë e këtij çmimi (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
{gallery}