Muzeu i Pergamonit në Berlin është një nga atraksionet “që duhen parë patjetër” në Berlin. Por vizitimi i tij nuk është aspak i lehtë: është mbyllur plotësisht për restaurim që nga tetori i vitit 2023 dhe shumë pjesë të tij do të mbeten të mbyllura për 14 deri në 20 vjet — deri në vitet 2037–2043. Megjithatë, disa nga pikat kryesore të Muzeut do të presin vizitorët një dekadë përpara përfundimit të plotë të rinovimit të ndërtesës. Krahu verior i Muzeut dhe salla mbresëlënëse e Altarit të Pergamonit, ku ndodhet hyrja e famshme e tempullit të Greqisë së Lashtë nga e cila Muzeu merr emrin, pritet të rihapen në fillim të vitit 2027
Si pjesë e Ishullit të Muzeve, të përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Muzeu i Pergamonit është një nga atraksionet “që duhen parë patjetër” në Berlin. Por vizitimi i tij nuk është aspak i lehtë: është mbyllur plotësisht për restaurim që nga tetori i vitit 2023 dhe shumë pjesë të tij do të mbeten të mbyllura për 14 deri në 20 vjet — deri në vitet 2037–2043.
Megjithatë, disa nga pikat kryesore të Muzeut do të presin vizitorët një dekadë përpara përfundimit të plotë të rinovimit të ndërtesës. Krahu verior i Muzeut dhe salla mbresëlënëse e Altarit të Pergamonit, ku ndodhet hyrja e famshme e tempullit të Greqisë së Lashtë nga e cila Muzeu merr emrin, pritet të rihapen në fillim të vitit 2027. Kjo sallë ka qenë e paarritshme për publikun që nga viti 2014.
Një aktivitet prezantues për mediat, i mbajtur këto ditë, ofroi një pasqyrë mbi projektin monumental të restaurimit të Muzeut.
“Ky është një thesar i njerëzimit”, deklaroi Wolfram Weimer, komisioner federal për kulturën dhe median, gjatë prezantimit.
“Do të jetë një sensacion. Nuk presim qindra mijëra vizitorë në vitet e ardhshme. Presim miliona, sepse është konceptuar si një vend me rëndësi globale”.
Muzeu i Pergamonit u porosit nga perandori gjerman Wilhelm II dhe u ndërtua nga viti 1910 deri në vitin 1930 sipas planeve të arkitektit Alfred Messel. Restaurimi dhe shtesat aktuale të Muzeut ndjekin shumë prej dizajneve origjinale të arkitektit.
Edhe
Ishulli i Muzeve në Berlin midis potencialit dhe rrezikut
Muzeu është një monument kombëtar i mbrojtur dhe rinovimi ruan tiparet kryesore arkitekturore dhe teknikat origjinale të ndërtimit, si edhe elemente të ndryshme, përfshirë dritaret.
Pak vite pas hapjes së tij në vitin 1930, Muzeu i Pergamonit u dëmtua rëndë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si pasojë e bombardimeve ajrore dhe goditjeve të artilerisë.
Pas luftës, Gjermania Lindore — ku ndodhej Muzeu — nuk kishte fondet e nevojshme për ta restauruar siç duhet ndërtesën.
Procesi aktual i restaurimit do të ruajë disa gjurmë të dëmtimeve të luftës si dëshmi të historisë së qytetit, ndërsa pjesët që janë degraduar natyrshëm me kalimin e kohës po riparohen.
Ndriçimi, sistemet e kontrollit klimatik dhe standardet e sigurisë po modernizohen për të ruajtur më mirë ekspozitat mijëravjeçare, ndërsa i gjithë Muzeu po përshtatet për të qenë i qasshëm për personat me aftësi të kufizuara.
Muzeu kërkoi përforcim të konsiderueshëm për shkak të vendndodhjes së tij pranë lumit Spree, mbi tokë ranore dhe të paqëndrueshme. Themelet u ankoruan me më shumë se 700 shufra çeliku me rezistencë të lartë.
Kjo çoi në një sfidë inxhinierike të papritur: gjatë shpimeve 10 deri në 30 metra në tokë për instalimin e shufrave, u zbuluan dy stacione pompimi nga kantieri fillestar i ndërtimit. Të ndërtuara për të kulluar ujërat nëntokësore, ato nuk ishin çmontuar kurrë plotësisht dhe mbetjet ishin mbuluar pa u dokumentuar, duke sjellë një hap të paplanifikuar (dhe kosto shtesë) në procesin e restaurimit.
Buxheti për këtë fazë të parë të rinovimit ka arritur pothuajse 500 milionë euro — dyfish më shumë se vlerësimi fillestar. I gjithë projekti i restaurimit pritet të kushtojë rreth 1.5 miliardë euro.
Pra, cilat thesare do të jenë sërish të aksesueshme për publikun në vitin 2027?
Altari monumental i Pergamonit, i zbuluar nga Carl Humann në qytetin antik të Pergamonit (në Turqinë e sotme) në vitet 1870, ruan sallën e tij të veçantë.
Muzeu origjinal u ndërtua posaçërisht rreth kësaj strukture tempulli që daton nga shekulli II para erës sonë. I zbukuruar në reliev të lartë që paraqet betejën midis gjigantëve dhe perëndive olimpike, altari është përshkruar në lista klasike si një nga Shtatë Mrekullitë e Botës së Lashtë.
Hapësira më mbresëlënëse se kurrë, tani është e mbushur me dritë, pasi elementet prej xhami të tavanit janë rinovuar plotësisht. Mbi sallë është shtuar edhe një strukturë e re mbrojtëse e çatisë, gjithashtu prej xhami.
Meqenëse do të ishte tepër e ndërlikuar të hiqej altari nga ndërtesa gjatë rinovimit, elementet e tij u mbajtën brenda sallës, të mbrojtura nga struktura të posaçme të ndërtuara për fazën e restaurimit.
Edhe
Muzetë përballë të ardhmes sfiduese
“Është mjaft e jashtëzakonshme të ndërtosh dhe të rinovosh një ndërtesë mes koleksionit ekzistues”, vuri në dukje Weimer.
Megjithatë, ekspozita të tjera madhore u zhvendosën në hapësira të reja.
Mes tyre është Fasada e Mshattas, një thesar i artit islamik të hershëm. Ajo daton nga periudha e kalifit Al-Valid II (743–744 pas Krishtit), gjatë dinastisë omejade. E zbuluar në vitin 1840 pranë Amanit (kryeqyteti i sotëm i Jordanisë), fasada e pallatit, me gjatësi 33 metra, iu dhurua perandorit Wilhelm II të Gjermanisë në vitin 1903 nga sulltani osman Abdul Hamidi II.
Dhoma e Alepos, një seri panelesh druri të pikturuara me hollësi që i përkisnin një dhome pritjeje, u çmontua me kujdes gjatë punimeve të rinovimit dhe u zhvendos nga krahu jugor në atë verior të muzeut. Pikturat, të restauruara në mënyrë të shkëlqyer, ndërthurin ikonografi të krishterë dhe islame dhe u blenë në Alepo në vitin 1912.
Kupola e Alhambrës, një kube druri e gdhendur me mjeshtëri që daton nga shekulli XIV, u zhvendos gjithashtu përkohësisht. Hapësira e saj pas rinovimit do të përfshijë elemente të ndryshme për të stimuluar shqisat e vizitorëve, si instalacione audio me poezi, si edhe stacione aromash që lëshojnë erëra të lidhura me origjinën e drurit.
Kjo kube u ble në vitin 1885 nga pallati i famshëm Alhambra, citadela historike e Granadës në Spanjë. Fillimisht e instaluar në një shtëpi private, ajo iu dhurua Muzeut të Pergamonit pothuajse një shekull më vonë.
Koleksioni i Muzeut të Pergamonit është i pazakontë për mënyrën se si bashkon artin islamik me thesaret e Greqisë së Lashtë.
“Ajo që shihni këtu është unike në shkallë botërore: nën një çati gjenden stile arkitekturore nga rajone dhe periudha të ndryshme të lashta”, theksoi Marion Ackermann, drejtoreshë e përgjithshme e Fondacionit të Trashëgimisë Kulturore Prusiane, i cili mbikëqyr disa koleksione muzeale, përfshirë Muzeun e Pergamonit.
Ky koncept, shtoi Ackermann, ishte vendosur që në themelimin e muzeut për të theksuar faktin se ekspozitat e Antikitetit ishin zbuluar në Mesopotami dhe në rajonet e Mesdheut lindor — të njëjtat rajone ku u zhvilluan kulturat islame.
Edhe
Muzeu i Louvreit synon të dalë prej krizës me shtrenjtim biletash
“Kjo tregon edhe një herë se kulturat nuk lindin kurrë në izolim të plotë. Ato ekzistojnë gjithmonë përmes ndërveprimit me njëra-tjetrën ose përmes proceseve ndërkulturore”, ka thënë Ackermann. “Dhe kjo është, sigurisht, një mënyrë shumë bashkëkohore dhe largpamëse e të menduarit”.
Adhuruesit e trashëgimisë botërore tashmë mund të presin me padurim të zbulojnë restaurimin e kujdesshëm dhe plot dritë të këtij Muzeu — në pranverën e vitit 2027.