Kulturë

Muzeu i historisë gjermane ofron një qasje të re mbi vitet e pasluftës

Rreth 3 mijë e 800 eksponatet e ekspozitës i çojnë vizitorët pas në kohë përgjatë tetë dekadave të historisë gjermane, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore më 1945 deri në ditët e sotme

Rreth 3 mijë e 800 eksponatet e ekspozitës i çojnë vizitorët pas në kohë përgjatë tetë dekadave të historisë gjermane, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore më 1945 deri në ditët e sotme. Pothuajse gjithçka që ka qenë dhe është e rëndësishme në historinë gjermane – si në Perëndim ashtu edhe në Lindje – është e paraqitur. Sjellja e historisë bashkëkohore në jetë është qëllimi i ekspozitës së re të përhershme, e cila u financua me 25 milionë euro

Muzeu “Shtëpia e Historisë” në Bonn ka hapur ekspozitën e re të përhershme, “You are part of history” (Ju jeni pjesë e historisë). 

Shtesa më e fundit në ekspozitën e strukturuar kronologjikisht gjendet — logjikisht — në fund. Është një pankartë e kuqe proteste kundër ligjit të ri të rekrutimit ushtarak, me sloganin “Wages up, armaments down” (Pagat lart, armët poshtë). Një punonjës i Muzeut e solli atë përsëri në institucion nga demonstrata që u mbajt në Hofgartenwiese të Bonn më 5 dhjetor. Më pak se një javë më vonë, ajo tashmë ekspozohet si dokument historik në seksionin “Today” (Sot) të fundit nga pesë periudhat kohore të mbuluara në ekspozitën interaktive.

Rreth 3 mijë e 800 eksponatet e ekspozitës i çojnë vizitorët pas në kohë gjatë tetë dekadave të historisë gjermane, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore më 1945 deri në ditët e sotme. Pothuajse gjithçka që ka qenë dhe është e rëndësishme në historinë gjermane – si në Perëndim ashtu edhe në Lindje – është e paraqitur. Sjellja e historisë bashkëkohore në jetë është qëllimi i ekspozitës së re të përhershme, e cila u financua me 25 milionë euro.

Planifikimi dhe dizajnimi zgjati gjashtë vjet dhe, pas një mbylljeje 14-mujore, ekspozita e përhershme tani po rihapet.

Komisioneri Federal për Kulturën dhe Mediat, Wolfram Weimer, i cili zëvendësoi kancelarin Friedrich Merz në moment të fundit në ceremoninë në Bonn, u impresionua nga rezultati: “Ekspozita e re e përhershme është një pasqyrim i mrekullueshëm i historisë sonë moderne”.

Edhe para rinovimit, ajo që në gjermanisht është “Haus der Geschichte”, që u hap në vitin 1994, ishte një nga muzetë më të vizituar në Gjermani.

Megjithatë, sipas zyrtarëve të Muzeut, deri në vitin 2024 ishte vërejtur një çekuilibër midis seksioneve të ndryshme historike. Për shembull, të njëjtën hapësirë zinin 35 vjetët pas rënies së Murit të Berlinit ashtu si edhe katër vjetët e parë pas fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Kjo tani ka ndryshuar: ribashkimi është vënë në qendër, dhe 45 vjetët para tij zënë po aq hapësirë sa 35 vjetët pas tij.

Temat aktuale të debatit në Gjermani, si imigracioni dhe integrimi, racizmi, jeta e LGBTQ+, politika klimatike dhe mediat, tani kanë më shumë hapësirë të dedikuar.

Histori personale dhe eksponate goditëse – si një kukull e mbuluar me baltë nga përmbytjet e vitit 2021 në Ahr Valley – përdoren për të paraqitur ngjarjet e fundit, duke ndihmuar veçanërisht të rinjtë t’i përgjigjen pyetjes së rëndësishme: “Pse duhet të më interesojë?”.

Elemente të shumta interaktive gjithashtu kontribuojnë, si një stacion ku mund të vendosësh siluetën tënde në imazhe ngjarjesh historike si rënia e Murit të Berlinit apo fitorja e Gjermanisë në Kupën e Botës së futbollit të vitit 1954.

Në një tjetër instalacion, vizitorët mund të votojnë për politikat që do të financonin. Duke u ulur në karrige autentike të Bundestagut, ata mund të zgjedhin mes “Strengthen the military”, “Protect wildlife,” ose të ndajnë paratë në mënyrë të barabartë. Rezultatet shfaqen menjëherë. Demokracia mund të jetë kaq e thjeshtë.

“Ne duam të tregojmë se si bëhet historia – dhe se si secili prej nesh mund ta formësojë atë përmes veprimeve të veta si qytetarë të një shteti demokratik kushtetues”, shpjegon Harald Biermann, president i fondacionit “Haus der Geschichte”.

“Haus der Geschichte” (me degë në Berlin dhe Leipzig) është gjithashtu një arkiv kombëtar i rëndësishëm. Mbi një milion eksponate ruhen në koleksionin e institucionit.

Komisioneri për Kulturën Wolfram Weimer theksoi rëndësinë e Muzeut si “një pjesë kyçe e mënyrës se si e shohim dhe mendojmë për veten”.

Ekspozita e re e përhershme pyet: “Çfarë lloj demokracie kemi, çfarë lloj republike është kjo?”, ka thënë Weimer.

“Gjermania është përshkruar shpesh si një demokraci në provë”, shtoi ai. “Dhe këtu mëson se, pas 80 vjetësh, ne tashmë jemi një demokraci e provuar, me të gjitha debatet dhe konfliktet e saj. Paraqitja e kësaj pamjeje është një arritje e madhe e kësaj ekspozite”. /DW