Duke qëndruar si një dëshmi e zhvillimeve arkitektonike dhe kulturore të Evropës, kompleksi historik i ndërtesave të muzeve u njoh nga UNESCO si trashëgimi botërore në qershor të vitit 1999 dhe këtë vit po feston 200-vjetorin që nga vendosja e gurit themeltar të ndërtesës së parë, Ishulli i Muzeve në Berlin. Pas luftës, kur Ushtria e Kuqe Sovjetike pushtoi zonën në maj 1945, koleksionet e artit në të gjithë Gjermaninë u plaçkitën si reparacione lufte. Brigadat e Trofeve të Ushtrisë së Kuqe dërguan miliona eksponate në Moskë dhe Shën Petersburg. Shumë prej tyre që përfunduan në koleksione private pa dokumentacion
Ishulli i Muzeve në Berlin përmbledh në mënyrë unike historinë moderne të Gjermanisë: nga idetë e iluminizmit deri te shkatërrimi i Luftës së Dytë Botërore, nga epoka e Luftës së Ftohtë deri te restaurimi ultramodern i sotëm, që e ka shndërruar këtë ansambël muzesh një magnet për turistët.
Duke qëndruar si një dëshmi e zhvillimeve arkitektonike dhe kulturore të Evropës, kompleksi historik i ndërtesave të muzeve u njoh nga UNESCO si trashëgimi botërore në qershor të vitit 1999 dhe këtë vit po feston 200-vjetorin që nga vendosja e gurit themeltar të ndërtesës së parë.
Gjatë Luftërave Napoleonike (1803–1815), kur francezët pushtuan mbretërinë historike gjermane të Prusisë, shumë vepra arti u plaçkitën nga kryeqyteti i saj, Berlini. Pasi veprat e grabitura u kthyen pas luftës, udhëheqësit prusianë vendosën të krijonin një muze për të paraqitur thesaret në publik.
Altes Museum (Muzeu i Vjetër) ishte ndërtesa e parë nga pesë institucionet që më vonë do të njiheshin si Ishulli i Muzeve. Thjesht i quajtur “Muzeu” në vitet e para, guri themeltar Muzeut u vendos në vitin 1825 dhe u hap në vitin 1830.
Në atë kohë, pas dekadash lufte, Prusia ishte ekonomikisht dhe financiarisht e rrënuar, “e megjithatë ata investuan në një ndërtesë të tillë kulturore, duke angazhuar arkitektin më të mirë të kohës, Karl Friedrich Schinkel”, tregon Hermann Parzinger, presidenti në largim i Fondacionit për Trashëgiminë Kulturore Prusiane. Ai thekson këtë fakt në kontekstin aktual, ndërsa politikanët vënë në dyshim rëndësinë e financimit të kulturës.
Në frymën e iluminizmit, arsimi u njoh si përparësi. Mendimtari dhe burrështetasi Wilhelm von Humboldt i konsideronte muzetë si një shtyllë të rëndësishme të reformës arsimore.
“Muzeu, si një hapësirë për edukimin estetik të qytetarëve, ishte shumë i rëndësishëm për të”, shpjegon Parzinger. “Pra, nuk ishte vetëm ndërtimi i një muzeu. Kishte një vizion pas tij dhe arti bashkë me shkencën luanin një rol qendror.”
Gjatë epokës koloniale, koleksioni i objekteve të moçme u zgjerua, bashkë me ambicien për të paraqitur artistët romantikë kombëtarë gjermanë. Nevoja për më shumë muze në Berlin u rrit për t’i akomoduar këto vepra.
Në shekullin që pasoi, u shtuan edhe katër muze të tjerë në pjesën veriore të Ishullit në zemrën historike të Berlinit: Neues Museum (Muzeu i Ri) u hap më 1859, Alte Nationalgalerie (Galeria Kombëtare e Vjetër) më 1876, Bode Museum (atëherë i quajtur Muzeu Kaiser-Friedrich) më 1904 dhe më në fund Pergamon Museum, i projektuar për të strehuar Portën monumentale të Babilonisë, u përfundua në vitin 1930.
Për disa vjet para Luftës së Dytë Botërore, Ishulli i Muzeve ishte një nga thesaret kryesore të kulturës evropiane.
Nazistët i lavdëruan veprat klasike dhe koleksionet e Ishullit të Muzeve, duke i konsideruar pjesë të trashëgimisë së supozuar ariane.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, zyrtarët e muzeut evakuuan pjesërisht veprat e vlefshme në bunkerë nëntokësorë, miniera dhe kështjella në të gjithë Gjermaninë. Kjo lëvizje shpëtoi shumë eksponate.
Pas luftës, kur Ushtria e Kuqe Sovjetike pushtoi zonën në maj 1945, koleksionet e artit në të gjithë Gjermaninë u plaçkitën si reparacione lufte. Brigadat e Trofeve të Ushtrisë së Kuqe dërguan miliona eksponate në Moskë dhe Shën Petersburg. Shumë prej tyre që përfunduan në koleksione private pa dokumentacion.
Shumë eksponate u kthyen në Berlin në vitet ‘50, veçanërisht gjatë qeverisjes së Nikita Khrushchev, por vlerësohet se rreth një milion vepra arti, më shumë se katër milionë libra dhe dorëshkrime, si dhe një sasi e konsiderueshme materialesh arkivore, ende mbahen në Rusi dhe vendet fqinje.
Edhe pse institucionet gjermane dhe ruse zhvilluan përpjekje të përbashkëta kërkimore për ato objekte të kontestuara, sot, “për shkak të luftës në Ukrainë, gjithçka është pezulluar e ndërprerë dhe nuk e dimë kur do të mund t’i rifillojmë këto kontakte”, tregon Parzinger.
Në Gjermaninë e ndarë Ishulli i Muzeve ndodhej në Berlinin Lindor, nën kontrollin e Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ). Shteti komunist “nuk kishte thjesht burime për rindërtim pas vitit 1945. Ndërtesat u riparuan, por jo plotësisht”, shpjegon Parzinger.
Neues Museum, që ishte dëmtuar veçanërisht rëndë, u la i paprekur, si një rrënojë simbolike e luftës. Parzinger kujton qartë vizitën e tij si student në Berlinin Lindor në vitin 1984, dekada para se të bëhej, në vitin 2008, president i Fondacionit për Trashëgiminë Kulturore Prusiane. Në atë vizitë ai pa për herë të parë strukturën e shkatërruar të Neues Museum.
“Mbaj mend që kishte fidanë që dilnin nga shkallët. Nuk kishte çati, dhe mund të shihje majat e pemëve mbi ndërtesë. Ishte e pabesueshme për mua”.
Kur ra Muri i Berlinit ishte thelbësore që ndërtesat të restauroheshin plotësisht dhe të bëheshin të përshtatshme për të ardhmen, shpjegon Parzinger.
Ajo që njihet si Masterplani përshkruan restaurimin shumëfazësh të pesë muzeve që përbëjnë ansamblin e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Pa dyshim, projekti më i rëndësishëm ishte ringjallja e Neues Museum. Dizajni i arkitektit britanik David Chipperfield fillimisht u prit me rezistencë të madhe. Ai integroi rrënojat në një ndërtim të ri, duke punuar me “plagët e luftës”, duke lënë të dukshme vrimat e plumbave dhe tavanet e papërfunduara, gjë që kundërshtuesit e konsideruan si devijim nga stili origjinal neoklasik.
Por zbatimi i këtij “koncepti madhështor” ishte vendim i duhur, thotë Parzinger me entuziazëm, duke shtuar se ai vazhdon të zbulojë detaje të reja sa herë që kthehet në ndërtesë. Muzeu i rinovuar fitoi shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare për arkitekturë.
Neues Museum strehon Muzeun Egjiptian dhe koleksionin e papirusit, dhe ekspozita më e njohur është busti faraonik i Mbretëreshës Nefertiti. Vitin e kaluar u nis një peticion për ta kthyer bustin 3.370-vjeçar në Egjipt. Por për Fondacionin e Trashëgimisë Kulturore Prusiane nuk ka asgjë për t’u diskutuar: “Nefertiti erdhi në Berlin si pjesë e një zbulimi plotësisht ligjor dhe të dokumentuar mirë”, pohon Parzinger.
Megjithatë, Parzinger ka qenë figurë kyç në debatin për kthimin e eksponateve, veçanërisht në lidhje me Bronzet e Beninit dhe eksponate të tjera me histori koloniale. Pas 17 vjetësh në krye të Fondacionit, ai tani po pensionohet dhe do të pasohet nga Marion Ackermann, e cila bëhet presidente e re më 1 qershor, pikërisht në kohën kur nisin festimet për 200-vjetorin e Ishullit të Muzeve.
“200-vjetori i Ishullit të Muzeve është një mundësi e shkëlqyer për ne që të bëhemi edhe më tërheqës”, thotë Ackermann.
Ndërsa ajo merr drejtimin, restaurimet do të vazhdojnë sipas Masterplanit të Ishullit të Muzeve. Një arritje e fundit e rëndësishme ishte hapja në vitin 2019 e galerisë “James Simon”, si hyrja kryesore e re në ishull, që u ofron vizitorëve orientim dhe mikpritje moderne.
Pergamon Museum aktualisht është i mbyllur deri në vitin 2027 për restaurim. Pas tij do të vijë radha e Altes Museum.
Kur të përfundojnë të gjitha restaurimet, katër nga pesë ndërtesat historike do të lidhen me një modul nëntokësor për personat me aftësi të kufizuara, e njohur si Promenada Arkeologjike, e frymëzuar nga urat historike mes muzeve të shkatërruara gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Të gjitha këto shtesa dhe restaurime kontribuojnë për të forcuar më tej statusin e Ishullit të Muzeve si ekuivalenti gjerman i Louvres në Paris apo i Muzeut Britanik në Londër. Duke ia dhënë një jetë të re kompleksit të muzeve pranë lumit Spree, Ishulli i Muzeve është i destinuar të pasqyrojë historinë e Berlinit edhe për shekujt e ardhshëm.