Gjykata Speciale e ka konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Në njoftimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, është thënë se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por data që përcakton afatin e zgjatur.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Po, Paneli Gjyqësor ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të çështjes. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data që përcakton afatin e zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje tjetër bëhet absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër për këtë në kohën e duhur”, thuhet në njoftim.
Ish-krerët e UÇK-së kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt para trupit gjykues. Ata edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
“Liria ka emër”: Shtyrja e aktgjykimit në Hagë, zgjatje e padrejtësisë
Organizata “Liria ka emër” ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK, duke e konsideruar si zgjatje të padrejtësisë.
Sipas kësaj organizate, kjo praktikë nuk mund të shihet më si procedurë normale gjyqësore, por si degradim serioz i parimeve themelore të drejtësisë për gjykim brenda afatit të arsyeshëm.
“Ky proces që po zvarritet për vite të tëra, me shtyrje të përsëritura, e ka humbur tërësisht kredibilitetin dhe është shndërruar tashmë në mekanizëm që prodhon padrejtësi të vazhdueshme. Mbajtja e ish-krerëve të UÇK-së për gati gjashtë vite në paraburgim bie ndesh me çdo standard të drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave themelore të njeriut”, thuhet në reagim.
Sipas kësaj organizate, vendime të tilla dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, duke krijuar perceptimin e një procesi të zvarritur, të pabalancuar dhe të papërgjegjshëm.
PDK: Shtyrja e aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së, goditje ndaj drejtësisë dhe besimit publik
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në reagimin e PDK-së thuhet se kjo vonesë është dëshmi që ky proces i stërzgjatur ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është shndërruar në proces të ndikuar nga kalkulimet politike.
“Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura”, thuhet në njoftim.
PDK-ja tutje i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.
“PDK mbetet e palëkundur në bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkon një vendim përfundimtar, pa vonesa të mëtejshme, i cili do të mundësojë rikthimin e tyre në Kosovë”, thuhet më tej në reagim.